English

Alternativë e re për kursimin e energjisë vjen përmes shtëpisë pasive

Sipas zërit të Amerikës, Shtëpitë në Shtetet e Bashkuara çlirojnë më shumë se 1 të pestën e dioksidit të karbonit, kryesisht si rezultat i përdorimit të energjisë elektrike për ngrohjen dhe ftohjen e ambjentit. Por për ata që janë të përkushtuar ndaj mbrojtjes së mjedisit, ka një mënyrë për ta ulur ndjeshëm këtë sasi gazesh dhe koston e tyre.
Arkitekti David Peabody dhe ekipi i tij në studion Peabody Architects, projektuan shtëpinë e parë pasive në zonën e Uashingtonit. Shtëpitë pasive, shpjegon ai, janë të termo-izoluara më së miri, duke ulur koston e ngrohjes dhe ftohjes rreth 90 për qind. Por ajo që e dallon këtë shtëpi nga të ashtu-quajturat “shtëpi të gjelbra” është fakti që duket krejt normale:
Studioja Peabody Architects është e para që ndërtoi një shtëpi pasive në zonën e Uashingtonit, por traditën tani po e ndjekin të tjerë si Roger Lin dhe vëllai i tij Eric në Arlington të Virxhinias. Roger Lin thotë:
“Duhet të vendosësh material të bollshëm izolimi. Kemi këtu panele prej sterofome me trashësi 5 centimetra. Kjo shtëpi është e izoluar plotësisht deri në themele”.
Edhe dritaret nuk lejojnë qarkullim ajri, kur janë të mbyllura. Ato janë të rrethuara përgjatë gjithë perimetrit me një material special që bllokon humbjen e energjisë.
Një fqinje, Kathleen Harrison thotë se është e gëzuar që shtëpitë pasive po bëhen të pranishme në lagje.
“Jam shumë entuziaste që shtëpitë pasive po shfaqen në Shtetet e Bashkuara dhe po integrojnë shumë teknologji që kam parë të zbatohen në Gjermani, ku familja ime merrej me ndërtim”.- thotë ajo
Shtëpia është e izoluar aq mirë, sa që në një ditë të ftohtë dimri, kur temperatura ka arritur në 4 gradë celcius, brenda në shtëpi, megjithëse ndërtimet nuk kanë mbaruar, temperatura është 12 gradë celcius.
Shtëpia e parë pasive ishte një pallat me apartamente në Darmstadt të Gjermanisë, i ndërtuar 20 vjet më parë me ndihmën e dy fizikanëve, një prej të cilëve themeloi Institutin Passivhaus në Darmstadt.
Megjithë përdorimin e disa materialeve speciale në ndërtim, si paneleve parafabrikate prej betoni, sistemeve të ventilimit dhe shtresave të izolimit, kostoja e shtëpisë pasive është vetëm 5-8 për qind më e lartë se një shtëpi tradicionale. Por shtëpia pasive mund të kursejë deri në 90 për qind të energjisë që shpenzon një shtëpi tradicionale, një kursim që mund të kompensojë shumë shpejt koston shtesë për ndërtimin.

KOMENTE