English

Drejtuesit e postës dhe telekomit të Kosovës. Konfirmohet pjesërisht aktakuza ndaj tyre

Është konfirmuar pjesërisht aktakuza ndaj pesë të dyshuarve, dy nga të cilët drejtues të lartë të Postës dhe Telekomit të Kosovës, për nënshkrim kontratash të dëmshme njofton Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit.
Në një njoftim të këtij misioni thuhet se një gjykatës EULEX-it, ka konfirmuar pjesërisht aktakuzën që ka të bëjë me një marrëveshje për telefoninë celulare ndërmjet Postës dhe Telekomit të Kosovës dhe kompanisë private Dardafon, në vitet 2008 dhe 2009.
Gjykatësi ka konfirmuar tri pika të aktakuzës kundër tre afaristëve të dy kompanive të përfshira në këtë proces, për mashtrim, lidhje të kontratave të dëmshme, dhe falsifikim të dokumenteve.
Gjykatësi po ashtu ka konfirmuar tri pika të aktakuzës kundër Shyqyri Haxhës, ish kryeshef ekzekutiv në Postën dhe telekomit të Kosovës dhe Rexhë Gjonbalajt, kryetar i bordit të drejtorëve të kësaj kompanie për lidhje të kontratave të dëmshme dhe shpërdorim të pozitës zyrtare.
Aktakuza ishte ngritur në qershor të vitit 2011.
Shqetësimet rreth kësaj akuze ishin arsyeja e dështimit të procesit të shitjes së Postës dhe Telekomit të Kosovës në vjeshtën e vitit të kaluar. Shitja e aksioneve të Postës dhe telekomit parashihej t’i siguronte buxhetit të Kosovës nga 300 deri në 600 milion euro.

KOMENTE