English

Basha: Dëgjimi i zërit të qytetarëve dhe Tirana qytet i zhvilluar, prioritetet e administratës së re

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha u prit në takime të veçanta nga Robert Benjamin (Instituti Demokratik Amerikan) dhe Thomas E. Garrett, zv/President i Institutit Ndërkombëtar Republikan. Në këto takime, zoti Basha ka vënë theksin tek përpjekjet e tij, për t’u kthyer Bashkinë qytetarëve të Tiranës dhe për ta nxjerrë nga konflikti politik.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se transparenca dhe bashkëvendimarrja me qytetarët janë dy shtylla të rëndësishme të axhendës së tij. “Që në javën e parë të marrjes së detyrës si Kryebashkiak, - theksoi Basha, Bashkia u hap dhe u vu në shërbim të qytetarëve. Çdo të premte, Kryetari i Bashkisë pret qytetarët, sikundër dhe gjithë drejtorët e Bashkisë. Po kështu, letrat dhe mailet janë një mundësi komunikimi. Vetëm në 6 muaj kanë mbërritur në Bashkinë e Tiranës 7 mijë letra nga qytetarët” - bëri të ditur zoti Basha.

Po kështu, Kryetari i Bashkisë tha se asnjë projekt i rëndësishëm për qytetin, nuk do të kalojë pa dëgjuar zërin e qytetarëve, madje ata do të përfshihen edhe në vendimarrje. Për këtë Kryetari i Bashkisë u bëri me dije, se gjatë hartimit të buxhetit janë zhvilluar takime me banorët e 11 njësive bashkiake. Këshillat dhe sugjerimet e tyre u konsideruan edhe në buxhet, i cili përfshiu në zërin e tij të investimeve edhe tre projekte të sugjeruara nga banorët e Tiranës. Një praktikë e tillë do të ndiqet edhe me planin urbanistik, i cili duke nisur nga muaji shkurt, do të konsultohet me grupet e interesit. Duke vlerësuar iniciativat e zotit Basha, për një bashkëqeverisje me qytetarët, drejtuesit e të dy instituteve të njohura amerikane u shprehën të gatshëm, për të ofruar ndihmën dhe asistencën e tyre, në këtë projekt të zotit Basha.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha zhvilloi një takim edhe me drejtues të Fondacionit “Heritage”, një institut i krijuar në vitin 1973, misioni i të cilit është për të formuluar dhe për të promovuar politikat konservatore publike, bazuar në parimet e sipërmarrjes së lirë. Drejtuesit e këtij misioni u interesuan kryesisht për politikat fiskale që do të ndjekë Bashkia e Tiranës, reduktimin e burokracive dhe lehtësirat që do u krijohen sipërmarrësve. Zoti Basha u bëri të ditur se një nga vendimet e para, të propozuara prej tij, për tu marrë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak ishte pikërisht reduktimi 60 taksave dhe tarifave vendore, nga 83 që ishin gjithsej.

Në muajin shkurt nis funksionimi i sportelit unik, për lejet dhe liçencat. Aktualisht, grupi i punës ka përfunduar përpilimin e listës së atyre lejeve dhe liçencave që do të kalojnë me vetëdeklarim. Afati i marrjes së këtyre lejeve ose liçencave nuk do të jetë më shumë se 45 ditë. Nëse ky afat kalon, atëherë, sipas Bashës, do të zbatohet parimi “heshtja është miratim”. Kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se ka një bashkëpunim shumë të mirë me komunitetin e biznesit, me të cilët ka një komunikim intensiv, të cilin do ta vazhdojë duke e konsoliduar me tej. Zoti Basha tha se qëllimi i tij dhe i administratës së Bashkisë është ta bëjë Tiranën, një qytet atraktiv për investitorët dhe për këtë, zoti Basha u shpreh i hapur, për të adaptuar praktikat më të mira që ekzistojnë. Drejtues të Fondacionit vlerësuan vizionin e zotit Basha, si një kontribut të rëndësishëm për sipërmarrjen e lirë.

KOMENTE