Kryetari i Bashkisë së Tiranës z Lulzim Basha u takua me kongresmenet Alcee Hasting, Eliot Engel dhe Jean Schmid. Zoti Basha i ka njohur kongresmenët me projektet e zhvillimit të Tiranës. Sipas zotit Basha tre janë projektet kryesore të tij në krye të Bashkisë: zhvillimi ekonomik, cilësia e jetës dhe punësimi. Zoti Basha tha se një nga angazhimet e tij është ta bëjë Tiranën një qytet miqësor për biznesin dhe atraktiv për investime. Po kështu zoti Basha prezantoi edhe projektet e tij strategjike për Tiranën si zgjerimi i bulevardit, rehabilitimi i Lumit të Tiranës, ndërtimi i linjave të tramit si dhe ndërtimi i terminalit të pasagjerëve. Po kështu kreu i Bashkisë bëri me dije se ekspertë të njohur të urbanistikës po punojnë për Planin e ri Urbanistik. Punësimi mbetet prioritet absolut sipas zotit Basha. Kreu i Bashkisë tha se iu ofrua nga kryetari i Bashkisë së Uashingtonit eksperienca dhe ndihma për hapjen e zyrës së punësimit e cila do të bëjë lidhjen mes punëdhënësve dhe punëkërkuesve. Në funksion të nxitjes së punësimit zoti Basha u bëri të ditur nismën për heqjen e taksave për katër vjet atyre që punësonjë mbi 50 punonjës.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës kërkoi mbështetjen nga anëtaret e Kongresit dhe veçanërisht të Engel dhe Schidt si bashkëdrejtues të Grupit të Miqësisë Shqipëri-SHBA. Pranë institucioneve financiare amerikane për të mundësuar mbështetjen me kredi të buta për financimin e tramit, po edhe për programe të tjera si skema punësimi, stazhe për të rinjtë, mbështetje për nënat kryefamiljare etj. Kongresmenët kanë vlerësuar vizionin e zotit Basha për zhvillimin e Tiranës, adresimin e drejtë të prioriteteve e veçanërisht përfshirjen e qytetarëve në vendimarrje siç ishte dhe diskutim për buxhetin. Engel dhe Schmid u shprehën të gatshëm për të përdorur influencën e tyre për të siguruar kredi të buta për të mbështetur projektet e Bashkisë së Tiranës.