Kuvendi do të mblidhet sot për të hequr imunitetin 3 deputetëve socialistë Taulant Balla, Besnik Bare dhe Tom Doshi të cilët do të kalojnë nën hetimin Prokurorisë për ngjarjen e 21 janarit. Në seancën pleanare do të votohet pro heqjes së imunitetit të deputetëve socialistë edhe nga vetë grupi parlamentar i PS-së. Kryetari i PS-së Edi Rama deklaroi dy ditë më parë se opozita do të mbështesë kërkesën e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të tre deputetëve për të vijuar me hetimet për 21 janarin.
Por gjithashtu në seancën e sotme do të japin shpjegimet e tyre dhe do t`iu përgjigjen edhe pyetjeve të deputetëve edhe tre deputetët socialistë Balla, Doshi dhe Baraj, ndaj të cilëve prokuroria ka kërkuar heqjen e imunitetit. Tre deputetët socialistë i dërguan ditë më parë një letër Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, në të cilën janë shprehur se janë dakord me heqjen e imunitetit të tyre ndërsa kanë theksuar se sqarimet në lidhje me këtë do t`i japin në seancën e sotme në Kuvend.
Sipas rregullores së Kuvendit, raporti i Këshillit të Mandateve do t`u shpërndahet deputeteve gjatë seancës së sotme por ky raport nuk do të jetë objekt i diskutimit. Ndërsa në fund do të votohet në mënyrë të fshehtë për heqjen e imunitetit të tre deputetëve socialistë.