English

U hiqet imuniteti 3 deputetëve

Pas shpjegimeve që të tre deputetët socialistë dhanë në sallën e Kuvendit në lidhje me akuzat e prokurorisë për organizim e ngjarjeve të 21 janarit, deputetët kanë votuar pro heqjes së imunitetit të tyre. Ashtu siç ishte paralajmëruar edhe më herët, grupi parlamentar socialist votoi pro heqjes së imunitetit të kolegëve të tyre.
Fillimisht ishte deputeti i PD-së, Viktor Gumi, i cili lexoi raportin e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve.Heqja e imunitetit për këta deputetë, u kërkua nga Prokuroria e Përgjithshme, për të hetuar mbi organizimin e demonstratës së 21 janarit të vitit të kaluar.

Kështu për heqjen e imunitetit të deputetit Taulant Balla votuan pro 118 deputetë, 8 deputët votuan kundra ndërsa 2 deputetë abstenuan. Gjithashtu Kuvendi votoi me 116 vota pro, 9 kundër dhe 4 abstenime për heqjen e imunitetit të deputetit Tom Doshi, dhe 107 vota pro, 19 kundra dhe 3 abstenime për heqjen e imunitetit të deputetit socialist Besnik Bare.

Në fjalën e tyre në seancën plenare të Kuvendit të tre deputetët theksuan se do të jenë në dispozicion të organit të akuzës në kuadër të vijimit të hetimeve për ngjarjet e 21 janarit.

Prokuroria e Përgjithshme kërkoi autorizim për 3 deputetët nën akuzën për “organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme”. Për secilin nga deputetët, organi i akuzës ka përgatitur një material prej 272 faqesh, ku përfshihen deklarata të të arrestuarve nga policia si dhe foto të tre deputetëve të premten e 21 janarit 2011.

KOMENTE