English

Austri, Rama shprehet: ne nuk konsiderojmë ish pronarë, por pronarë

Shumë shqiptarë të ardhur nga qytete të ndryshme të Austrisë, si dhe një numër i konsiderueshëm të ftuarish austriakë,ishin mbledhur në “House of the European Union” për të marrë pjesë në debatin "EU-Between Me and You" që u zhvillua të premten në Vjenë. Në këtë aktivitet, ku ka promovuar librin e tij Kurban, Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka biseduar me të pranishmit në lidhje me vizionin e tij për çështjet e nxehta të politikës së ditës. Rama u është përgjigjur po ashtu pyetjeve mbi vizionin e tij dhe të Partisë Socialiste për çështjet që do zgjidhë PS në qeverisje. Çështja e pronave ka qenë një nga pikat ku Edi Rama është ndalur duke konfirmuar se, sic thuhet edhe në Programin e PS për një Rilindje Shqiptare, për Partinë Socialiste nuk ka ish pronarë, por vetëm pronarë: “Ne jemi shprehur shumë qartë për zgjidhjen e problemit të pronës duke filluar që nga fakti se ne nuk konsiderojmë “ish pronarë” por pronarë. Vetë koncepti ish pronarë është një koncept i cili për ne i takon të shkuarës. Ne jemi angazhuar solemnisht për zgjidhjen e problemit të pronës, sepse problemi i pronës dhe zgjidhja e tij nuk është as e majtë as e djathtë, por është një çështje që lidhet me drejtësinë mbi të cilën duhet të ngrihet e gjithë bashkëjetesa shoqërore.”

Partia Socialiste në qeverinë e saj do të garantojë pavarësi të institucioneve dhe drejtësi për njerëzit e zakonshëm duke qeverisur me drejtësi, deklaroi Rama.

Duke komentuar në lidhje me faktet e dala në dritë pas ekseprtizës së FBI-së Kryetari Rama u shpreh: “Nëse paskan zbatuar ligjin pse ndërrojnë tytat?! Pse fshijnë provat në serverin e kryeministrisë?! Dhe pse pengojnë në mënyrë konstante hetimin duke bërë presione barbare ndaj Prokurorisë dhe personalisht Prokurores së Përgjithshme?! Ajo që ne angazhohemi është të krijojmë të gjitha kushtet që drejtësia të jetë realisht e pavarur, që prokuroria të jetë realisht e pavarur, dhe që i gjithë sistemi gjyqësor të ketë mundësi të bëjë punën e tij. Padyshim, që ne do të jemi në krahun e njerëzve të zakonshëm dhe do të bëjmë çmos për të qenë të drejtë, në radhë të parë duke qeverisur në mënyrë të drejtë, duke mos e përdorur fuqinë e pushtetit për të bërë padrejtësia, për të tjetërsuar pasuri kombëtare në funksion të njerëzve të qeverisë apo të klientëve të qeverisë, për të tjetërsuar prona që i takojnë qytetarëve në funksion të ortakëve në biznes të pushtetarëve, për të trajtuar qeverinë si një pronë dhe si një oborr ku çdo gjë është e mundur, por për shqiptarët jashtë oborrit çdo gjë është e pamundur, ky është vizioni im.”

Rama ka falenderuar shqiptarët në emigracion për kontributin e paçmuar që kanë dhënë e vazhdojnë në japin për mbijetesën e Shqipërisë në kushtet e keqqeverisjes. Duke u shprehur mirënjohjen Rama u kërkoi shqiptarëve që jetojnë në Austri që të bashkohen për të dënuar me votë keqqeverisjen e pushtetit aktual: “Unë do ju them vetëm një gjë, të gjithë keni një histori të jashtëzakonshme për të treguar në rast se bie radha për ta treguar. Të gjithë keni marrë rrugën pa asnjë mbështetje, pa e ditur se çfarë do të gjeni, por të shtyrë nga ambicia për të jetuar më mirë dhe sot jetoni më mirë falë ambicies suaj, falë vullnetit tuaj, falë sakrificave të jashtëzakonshme që keni bërë dhe bëni përditë. Jo vetëm kaq. Por, me punën tuaj nga një anë shkollohen të reja dhe të rinj në kushte optimale dhe nga ana tjetër jeton normalisht, në kushtet e mbijetesës, vetë Shqipëria.
Pa ndihmën e shqiptarëve jashtë Shqipërisë Shqipëria nuk do mund t’i mbijetonte keqqeverisjes duke filluar nga kuptimi fare i thjeshtë i ekonomisë së përditshme. E pra, nëse keni marrë rrugën nga të gjitha shtigjet e mundshme, me anije, nëpër male, me lloj lloj formash e mjetesh nga më aventurozet, për të realizuar qëllimin tuaj bëni çmos që jo vetëm ju, por të gjithë ata që mendojnë si ju, ta merrni rrugën mbrapsht për të votuar për një Shqipëri më të mirë në mënyrë që numri i votave të jetë i atillë që të mos ketë vjedhje që të mund t’i bëjë më derman pushtetit të sotëm.”

Moment interesant ishte edhe vendosja e autografëve në librat Kurban nga Edi Rama për shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Austri.

KOMENTE