English

Shqipëria është një vend me potenciale serioze shprehet Berisha nga KSM në Gjermani

Sot në Mynih të Gjermanisë, ka nisur punimet dita e parë e Konferencës së 48-të së sigurisë. Në këtë konferencë merr pjesë dhe kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha dhe presidentja e Kosovës znj. Ahitfete Jahjaga.
Gjatë konferencës do të trajtohen temat: "Roli i Gjermanisë në Evropë e në botë", si dhe "Energjia, burimet dhe ambienti: si Parametra për një siguri të re".

Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Heydar Oglu Aliev, Presidenti Ukrainës Viktor Yanukovych, Presidenti i Bankës Botërore Robert B. Zoellick, Ministri i Jashtëm i Suedisë Carl Bildt, Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë Thomas de Maiziere kanë qënë të parët që mbajtën fjalën ne të dy sesionet e sotme, ndërsa Kryemininstri Berisha u prenoncua mbi diskutimet në sesionet e sotme:

“Kjo është Konferenca më e rëndësishme vjetore që bëhet në kuadrin e sigurisë euroatlantike. Në këtë Konference, siç njoftoi organizatori i saj, ish-sekretari i shtetit të Republikës Federale Gjermane diplomati i njohur Ischinger, marrin pjesë delegacione të 70 qeverive nga Europa, SHBA, Kanada dhe vende të tjera të planetit. Në tërësi Konferenca trajton çështje të sigurisë euroatlantike dhe globale. Ajo që ishte me interes te veçantë për mua ishte fakti, se kësaj here, tema e diskutimit ishte përqendruar tek energjia dhe siguria.
Shqipëria është një vend me potenciale të mëdha, por është një vend gjithashtu, të cilën duhet se do të kalojnë dhe gazsjellës të mëdhenj, që do të sjellin gazin Kaspik drejt Evropës. Ndaj dhe e konsiderova shumë të rëndësishme këtë seancë. Bisedova me faktorë kryesore siç është presidenti Azerbajxhanit, ku unë së shpejti do të kem një vizitë zyrtare në këtë vend mik, por dhe me faktorë dhe me përfaqësues të tjerë të rëndësishëm në fushën e energjisë.
Shqipëria dihet që është një vend me potenciale serioze në energjinë e rinovueshme dhe unë do t`ju them se një nga qëllimet më kryesore të miat është të takoj përfaqësues të biznesit të interesuar për investime në energjinë ujore, të erës, gjeotermike dhe të diellit, në një vend që i ofron të gjitha këto në sasira të konsiderueshme. Kam takuar sot pasdite biznesmene që janë në Londër dhe vende të tjerë, të cilët po tregojnë interes të madh për burimet e energjetike të Shqipërisë.
Pata një takim miqësor me Ministrin e Jashtëm të Australisë, të cilin e njoh prej shumë kohësh ku diskutuam gjerësisht mbi marrëdhëniet bilateral dhe ramë dakord që të punojmë për shtrirjen e tyre në të gjitha fushat. Ministri i Jashtëm i Australisë do të vizitojë në një kohë të afërt Shqipërinë në një vizitë historike për një ministër të jashtëm të një vendi mik, e cila do të jetë një nxitje e madhe për marrëdhëniet bilaterale që ka Shqipëria me këtë vend mik”.

Konferenca e Sigurisë e Mynihut, e themeluar në vitin 1962, ka një traditë të gjatë në diskutimin e politikave të sigurisë dhe është kthyer në evenimentin më të madh botëror në këtë fushë. Në këtë eveniment marrin pjesë Sekretarja e Shtetit e SHBA-së, Hillary Clinton, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Leon Panetta, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, zëvendëspresidentja e Komisionit dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE, Catherine Ashton, kryeministri i Italisë, Mario Monti, ministri i Jashtëm i Federatës Ruse, Sergey Lavrov, etj

KOMENTE