English

Basha, biznesit amerikan: Tirana vendi më i mirë për të investuar

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, në vijim të vizitës në SHBA është takuar me Zëvendës - Ndihmës Sekretarin e Departamentit Amerikan të Tregtisë për Europën dhe Azinë Jau Burgess. Në këtë takim është diskutuar për mundësinë dhe mënyrat e mbështetjes financiare të investitorëve amerikanë, të cilët duan të shtrijnë aktivitetin e tyre në Shqipëri.

”Exim Bank” dhe “OPIC”, (Korporata e Investimeve Private Amerikane), jashtë vendit janë konsideruar si dy mekanizma të kësaj mbështetje. Zoti Basha ka bërë një prezantim të projekteve dhe vizionit të tij, për një Tiranë të zhvilluar të shekullit të 21. Në mënyrë të veçantë, zoti Basha u ndal tek projektet strategjike, të cilat mund të zbatohen nga kompani amerikane, të cilat kanë shprehur tashmë interes siç është ndërtimi i linjave të tramit, zgjatimi i bulevardit, ndërtimi i terminalit etj. Po kështu, zoti Basha theksoi angzhimin e tij, për ta bërë Tiranën një qytet atraktiv dhe miqësor për investimet e huaja, - “ku ato amerikane janë të mirëpritura”, - tha Basha.

Zëvendës - ndihmës Sekretari i Departamentit Amerikan të Tregtisë për Europën dhe Euro-Azinë Jau burgess vlerësoi arritjet e Shqipërisë, veçanërisht në këto kohë te vështira për ekonomitë e zhvilluara botërore. Në mënyrë të veçantë, zoti Burgess nënvizoi faktin, se Shqipëria renditet ndër të vetmet vende që vazhdon të ketë rritje ekonomike. - ”Asnjë vend, sipas Burgess, nuk ka ecur kaq shpejt në një kohë kaq të shkurtër, sa Shqipëria”. Zëvendës - ndihmës Sekretari i Departamentit Amerikan të Tregtisë garantoi zotin Basha, se do të shikojë me kujdes të gjitha mundësitë, për të mbështetur dhe nxitur kompanitë amerikane të investojnë në Shqipëri, ndërsa nënvizoi se investimet amerikane në Shqipëri janë histori suksesi dhe motivim për kompani të tjera, për të investuar në Shqipëri e veçanërisht në Tiranë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha zhvilloi një takim edhe me Zv.presidenten ekzekutive të Korporatë së Investimeve Private Amerikane jashtë vendit, OPIC, Mimi Alemayehou. Themeluar si një Agjenci e Qeverisë së SHBA-ve në vitin 1971, OPIC mbështet kompanitë amerikane, në më shumë se 150 vende të botës.

Z. Basha e ka njohur zonjën Alemayehou me projektet strategjike të Bashkisë, siç është trami, rehabilitimi i Lumit të Tiranës dhe zonës përreth apo ndërtimi i terminalit të ri të trenit, tramit dhe linjave urbane e interurbane, për zbatimin e të cilave mund të përdoret edhe partneriteti publik – privat apo iniciativa të tyre personale, por edhe më mundësi të tjera që ofron Tirana për investitorët amerikanë.

Zonja Alemayehou u shpreh e gatshme për të asistuar kompanitë amerikane që duan të investojnë në Shqipëri. Deri tani nuk ka patur ndonjë projekt me Shqipërinë, por shprehu gadishmërinë e OPIC, për të shqyrtuar mundësitë e angazhimit dhe mbështetjes, në zbatimin e projekteve të rëndësishme, për jetën e një qyteti, të parashtruara nga Basha.

Në këtë takim u ra dakord për ngritjen e grupeve të përbashkëta të punës, për të garantuar mbështetjen financiare të kompanive amerikane, të interesuara për tu bërë pjesë e realizimit të projekteve strategjike të Bashkisë së Tiranës.


Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha zhvilloi një takim me biznesmenë amerikanë dhe shqiptaro-amerikanë, ku i pranishëm ishte edhe Presidenti i Bordit Drejtues të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, Michael Granoff. Zoti Basha bëri të ditur se zhvillimi ekonomik, punësimi përmirësimi i cilësisë së jetës janë shtyllat mbi të cilat bazohet programi i tij, i cili nuk mund të realizohet pa dëgjimin e zërit të qytetarëve. Zoti Basha bëri të ditur se kontakti me qytetarin i drejtpërdrejtë, përmes letrave apo maileve është i përditshëm. Hartimi i buxhetit u bë në konsultim me rreth 7 mijë qytetarë e po kështu, duke nisur nga data 10 shkurt do të nisë konsultimi fillimisht me grupet e interesit, për planin urbanistik:

“Nga të gjithë gjërat që unë kam mundur të bëj në këto 6 muaj, ajo çka gjykoj më të rëndësishme është aftësia e qytetit për t’iu larguar konfliktit politik, aftësia e qytetarëve të Tiranës, për të konsideruar Bashkinë e Tiranës, si një njësi shërbimi, jo si një instrument partiak, por si një njësi në shërbim të dëshirave dhe aspiratave të tyre për të ardhmen.

Këtë e bëra, pikë së pari duke refuzuar debatin politik, dhe e dyta duke i bërë qytetaët pjesëmarrës në bashkëvendimarrje, në të gjithë mënyrat, ndaj dhe jam krenar të ndaj sot me ju faktin se buxheti që miratuam këtë vit është rezultat i 10 takimeve me qytetarët, anembanë qytetit ku morrën pjesë më shumë se 7000 qytetarë dhe rezultatet e këtij bashkëbisedimi do të reflektohen në çështje të tilla si shkolla, investime, sport, art, kulturë etj.

E njëjta praktikë do të ndiqet edhe sa i përket planit urbanistik të Tiranës, konsultimet për të cilin do të nisin që me datë 10 shkurt (plani i fundit urbanistik është ai i 1999-ës, i miratuar nga Adil Çarçani, nuk e di sa prej jush e kujtojnë atë kohë). Nuk ka kompromis për këtë plan. Plani i ri do të hartohet dhe do i përmbahet standarteve më të larta të mundshme. Ky plan është një plan për brezin e ri dhe dhe jo për zgjedhjet e reja. Ky plan do të krijojë mundësi të reja për zhvillimin e qytetit dhe zhvillimi i qytetit, zhvillimi ekonomik i qytetit të Tiranës është prioriteti numër një për mua si Kryetar i Bashkisë. Kjo është një punë voluminoze dhe kërkon pjesëmarrjen e biznesit, kërkon infrastrukturë që t’i përgjigjet ambicjeve të këtij plani, dhe kërkon forcë pune të kualifikuar dhe ne do të punojmë fort në të tre këto drejtime.”

Zoti Basha ka bërë edhe një prezantim të nismave, për ta bërë Tiranën një qytet miqësor për biznesin dhe nxitur punësimin:

“Gjëja e parë sa i takon biznesit, në Këshillin Bashkiak ishte heqja e 60 taksave e tarifave, duke e çuar nga 83, në 23 listën e taksave e tarifave si dhe propozimi për përjashtimin për një vit nga taksat, për bizneset që punësojnë më shumë se 50 apo më shumë punonjës, shkurtimi me 13 % i taksës së famshme të infrastrukturës, në të gjithë industrinë e ndërtimit, që punëson 75 apo më tepër persona.

Krijimi i një mjedisi miqësor e të përshtatshëm për biznesin është shumë i rëndësishëm dhe këtij qëllimi i shërben krijimi i një one stop shop në Tiranë, ku çdokush që kërkon të aplikojë për një leje apo licencë (2/3 e të cilave unë kam si synim t’i heq nga lista dhe do të jenë me vetëdeklarim) do të kenë tashmë një ndalesë të vetme. 360 ditë për një leje ndërtimi nuk është mënyra e duhur për ta kthyer Tiranën në qytetin më atraktiv për të bërë biznes dhe qëllimi im është që duke nisur nga shtatori i këtij viti, për çdo leje ndërtimi do të nevojiten 45 ditë, as më pak dhe as më shumë, pas aplikimit për të.”

Projekte strategjike si ndërtimi i terminalit, tramit, zgjatimi i bulevardit, rehabilitimi i lumit të Tiranës i japin qyetit, sipas Bashës një frymëmarrje të re dhe shumë mundësi për investime e punësim.

“Plani urbanistik i qytetit të Tiranës përfshin disa punë të rëndësishme publike dhe në këtë kërkoj vëmendjen tuaj (disa prej jush janë aktorë të rëndësishëm në këtë fushë). Në këtë drejtim, ne kërkojmë dhe kemi nevojë për vëmendjen dhe prezencën e kompanive të mëdha amerikane. Terminali i ri për autobusat, tramin, trenin do të ndërtohet në periferitë e qytetit.
Do të ketë një konçesion tërësisht privat për 80 000 m2, me mundësi më për të ndërtuar tregje, hapësira publike dhe të gjelbërta, 2 linja trami, 9 km secila lindje - perëndim dhe veri jug, për të cilat jemi duke diskutuar me OPIC këtu, bankat amerikane dhe banka të tjera europiane, mundësinë e dhënies me konçesion.

Zgjerimi i Bulevardit nga Universiteti deri tek Stacioni i Trenit do të zgjerohet dyfishin në drejtim të veriut, dhe më 9 mars të këtij viti, 7 nga 20 arkitektët më të mirë në botë do të vijnë në Tiranë, të prezantojnë modelet e tyre. Fituesi do të paraqesë me hollësi rreth skicën e cila do të bëhet jo më vonë se muaji tetor dhe po kështu edhe për Lumin Lana. Kjo është një mundësi për t’i dhënë qytetit, një të ardhme urbane. Ky plan që është draftuar nga specialistët më të mirë do të krijojë mundësi më të mëdha në sektorin e vërtetë publik, në ndërtimet residenciale, dhe një zonë të re të qendrës ekonomike financiare, rikrijimin e mundësive, një park të ri për qytetin e Tiranës, që do të sjellë ciësi më të mirë të ajrit dhe cilësi më të mira mjedisore.”

Zoti Basha ka ftuar biznesemenët ta shohin Tiranën, si mundësi të mirë për të shtrirë investimet e tyre, duke i garantuar se Bashkia e Tiranës është e gatshme të ndërmarrë çdo masë, për të garantuar suskesin e çdo investitori:

“Na duhet ndihma juaj dhe ju ndodheni këtu dhe jeni ndër brezat e parë që keni dhënë modele të vet-bërjes së suksesit dhe sigurisht për këtë vlen të përmendim edhe mjedisin në të cilin keni vepruar, e cila sigurisht që ka lidhje me suksesin që ju keni arritur dhe për këtë ju garantoj se po bëj gjithçka, për ta kthyer Tiranën në një model mundësish, përmes shkallës më të lartë të lirisë dhe shanseve të barabarata, si dhe konkurrencës së ndershme dhe për këtë na nevojitet modeli juaj i suksesit, sidomos prania juaj drejt për së drejti si dhe ndihma dhe këshilla juaj do të ndihmojë të çojmë përpara qytetin të cilit i përkasim”.

Presidenti i Bordit Drejtues të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, Michael Granoff garantoi mbështetjen e Fondit për projektet e Bashkisë, duke theksuar se dy janë gjërat për të cilat si Fondi ashtu dhe Komuniteti Shqiptaro - Amerikan është i fokusuar, çuarja më tej e marrëdhënieve shqiptaro - amerikane dhe për të ndihmuar sa më shumë Shqipërinë dhe njerëzit atje.

Granoff: “Të gjithë ne që jemi këtu kemi përgjegjësi për të bërë dy gjëra, së pari për të asistuar në situatë makro, për të gjitha çështjet e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA-së por edhe për situata të tjera që kanë të bëjnë me biznesin, për të ndihmuar sa më shumë Shqipërinë dhe njerëzit atje. Sot është natë interesante sepse të gjitha këto segmente janë në zbatim dhe misioni i Bashës është në një linjë, me atë që ka edhe Fondi dhe është linja e duhur për të ndihmuar Shqipërinë. Ka shumë për të bërë në vitet në vijim, por është një fillim i mbarë”.

KOMENTE