Anëtarësimi në NATO dhe BE i vendeve të Ballkanit Perëndimor(BP) nuk është vetëm qëllim dhe sfidë kombëtare por edhe rajonale. Çdo vend, në planin e tij të veprimit, që në hapat e para të këtij procesi të vështirë, nuk përballet vetëm me detyrimin për të kryer plotësisht reformat e brendshme transformuese dhe përshtatës me ato të vendeve anëtare (NATO-BE)
Dr. Arben Cici
Qëllimi i këtij shkrimi nuk është aspak të japë mësime e rrugëzgjidhje për integrimin në Bashkimin Evropian të Serbisë apo të Kosovës e natyrisht as të zgjojë e të ndërsejë mendjet e atyre që ndoshta ditë e natë mendojnë se si t’i pengojmë këto vende të anëtarësohen në NATO dhe në BE. Anëtarësimi në NATO dhe BE i vendeve të Ballkanit Perëndimor(BP) nuk është vetëm qëllim dhe sfidë kombëtare por edhe rajonale. Çdo vend, në planin e tij të veprimit, që në hapat e para të këtij procesi të vështirë, nuk përballet vetëm me detyrimin për të kryer plotësisht reformat e brendshme transformuese dhe përshtatës me ato të vendeve anëtare (NATO-BE). Ai duhet të plotësojë edhe kriterin jashtëzakonisht të rëndësishëm të bashkëpunimit rajonal, atë të normalizimit të marrëdhënieve me fqinjët apo të implementimit të politikës së fqinjësisë së mirë. Si i tillë, ecja apo ndalimi i këtij procesi për një vend ndikon pozitivisht ose negativisht si në vendin (vendet) fqinj ashtu dhe në rajon. Ky zinxhir integrimi përmbushet dhe forcohet e për më tepër funksionon kur të gjitha hallkat (lexo vendet) e tij janë të qëndrueshme dhe të pashkëputura nga njëra- tjetra.
Harta e sotme e anëtarësimit në NATO dhe BE e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe Slloveninë, (për arsye studimi) është një mozaik i larmishëm, por tek historia individuale e çdo vendi të befason një fenomen i përbashkët. Kriteri i vetos apo i konsensusit të detyrueshëm që anëtarët e NATO-s dhe BE-së respektojnë për të pranuar anëtarë të rinj është përdorur dhe po përdoret nga vendet anëtare (nuk është qëllimi im të analizoj sa i drejtë apo i padrejtë është përdorimi në rastet konkrete) për të kushtëzuar (në media dhe në politikë përdoret termi bllokuar) procesin integrues dhe antarësues të një vendi aspirues apo kandidat për në NATO ose në Bashkimin Evropian. Ndoshta ekspertët e këtyre strukturave kanë llogaritur kostot jo vetëm financiare (megjithëse në këtë kohë krize ky element fiton përparësi) por edhe politike, edhe ato të sigurisë lokale, rajonale apo euroatlantike të këtyre bllokimeve për të propozuar zgjidhjet e duhura, por nuk duket kështu, të paktën deri tani.
Faktet janë kokëfortë. Sllovenia, me historinë model integruese të një vendi të ish-Jugosllavisë, u anëtarësua në NATO më 29 mars të vitit 2004 dhe më 1 maj të të njëjtit vit u bë anëtare e BE-së. Nuk mund të harrojmë veton dhe bllokimin në vitin 1994 të negociatave BE-Slloveni nga Italia, anëtare e vjetër e BE-së, me kushtëzimin e ndryshimeve të Kushtetutës sllovene për çështjen e njohjes dhe rikthimit të pronave të italianëve të para Luftës së Dytë Botërore. Çështja pastërtish dypalëshe bllokoi procesin shumëpalësh, shumë-planesh dhe jashtëzakonisht të rëndësishëm të një vendi, i cili duhej të bëhej shembull premtues, për të gjitha vendet e tjera të ish bllokut komunist por sidomos të ish-Jugosllavisë, në atë kohë të kredhura në qorrsokakun e nacionalizmit politik, etnik dhe në makthin e një lufte mizore. U deshën disa vite deri sa grindja italo-sllovene të merrte fund. Odiseja e takimeve të MPJ, Suzana Anjeli dhe Zoran Thaler, prodhoi të ashtuquajturin “kompromis spanjoll”, i cili i hapi rrugë nënshkrimit të Marrëveshjes së Asociimit Slloveni-BE, më 10 qershor 1996 dhe aplikimit të saj formal për anëtarësim në të njëjtën datë.
Çuditërisht historia përsëritet me Slloveninë por në rol të kundërt. Anëtare e BE-së që në vitin 2004 ajo gati sa nuk bllokon anëtarësimin e Kroacisë në NATO, por bllokon procesin e anëtarësimit të saj në BE. Sërish vetoja e përdorur nga një anëtar i BE-së ndaj një kandidati për një çështje pastërtish dypalëshe. Grindja 18 vjeçare slloven-kroate për të përcaktuar kufirin tokësor dhe detar mes dy shteteve në zonën e Gjirit të Piranit e rrezikoi anëtarësimin e Kroacisë në NATO në vitin 2009 duke provokuar kërkesën për referendum popullor në Slloveni dhe duke mos lejuar Parlamentin slloven ta ratifikojë atë deri në afatin më të fundit të përcaktuar nga procedura ratifikuese e një vendi anëtar të Aleancës. Bllokimi i negocimit të 10 kapitujve të marrëveshjes Kroaci-BE (8 për t’u filluar dhe 2 për t’u përfunduar) nga ana e Sllovenisë, në dhjetor të vitit 2008, rriti tensionin mes dy vendeve e në të njëjtën kohë nxori në pah edhe një herë pafuqinë bashkë-evropiane për t’i dhënë rrugë një çështjeje të tillë dypalëshe. “Komisioni Evropian shpreh keqardhjen ndaj vendimit të Sllovenisë për të bllokuar Kroacinë. Në vazhdimësi Komisioni i është përmbajtur pikëpamjes se çështja e kufirit është çështje bilaterale e cila nuk duhet të sillet në tryezën e bisedimeve për asociim.” Ky ishte reagimi i Komisionit nëpërmjet zëdhënëses së asaj kohe Kristina Nagy. Vetëm në qershor 2010 Slovenia zhbllokoi kapitullin 31 “Për çështjet e politikës së jashtme, të sigurisë dhe mbrojtjes” duke pranuar në parim zgjidhjen që do të jepej nga gjykimi i arbitrazhit ndërkombëtar ndaj kësaj grindjeje euro-ballkanike. Kroacia e vonuar, është tashmë në pritje të përfundimit të procesit të ratifikimit nga vendet anëtarë të BE-së për t’u ulur në Bruksel, në të njëjtën tryezë me fqinjin e saj Slloveninë, duke filluar nga 1 qershori 2013, por duke lënë disa çështje dypalëshe ende të pambyllura me fqinjët e saj. Serbia, Bosnje-Hercegovina dhe Mali i Zi, të ndërgjegjshme për çështjet e pazgjidhura akoma me Kroacinë (trashëgimia jugosllave, kufijtë, ende të pambyllura çështja e refugjatëve, etj.), shpresojnë të mos gjenden të kushtëzuara në agjendën e tyre evropiane prej saj me të drejtën e anëtarit të BE-së.
Vendi tjetër i BP, Maqedonia, aplikoi për kandidat në BE më 22 mars 2004 në Dublin. Ajo merr përgjigje pozitive dhe fiton statusin e kandidatit më 17 dhjetor 2005. Në progres-raportin e vitit 2006 (qershor 2007) të FYROM-it, mes të tjerash citohej se “BE nënvizon se çështja e emrit nuk do të trajtohet gjatë procesit të anëtarësimit (ndonëse qëndrimi i vetos së Greqisë mbetet i pandryshuar)”. Por në rezolutën e samitit të BE-së (qershor 2008) zgjidhja e çështjes së emrit u shtua si parakusht për anëtarësimin e Maqedonisë në BE. Asgjë nuk ka ndryshuar që nga ajo kohë. Sërish bëhemi dëshmitarë se si një çështje pastërtish dypalëshe bllokon anëtarësimin e një vendi tjetër të BP në Bashkimin Evropian. Për të njëjtën çështje dypalëshe, anëtarësimi i Maqedonisë në NATO ka mbetur pezull që në Samitin e NATO-s në Bukuresht (prill 2008) kur ftesa u bllokua nga vetoja e Greqisë. Pavarësisht ndërmjetësimit të OKB-së për të lehtësuar zgjidhjen dhe nxitjes për gjetjen e “një zgjidhje të pranueshme” (Hillari Klinton), Maqedonia vazhdon të lexojë pothuajse të njëjtën frazë, por të thënë ndryshe, në progres-raportet e përvitshme, duke mbetur në platformën e BE-së dhe të NATO-s, me biletën në dorë dhe me shpresën se treni drejt Brukselit do të ndalet e do të hapë derën edhe për të.
Më vjen në mend edhe viti 1994. “Masakra e 10 prillit” e atij viti shkaktoi tension në marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri-Greqi me deklarata të ashpra dhe qëndrime të denja për një situatë krize marrëdhëniesh dypalëshe deri në largime diplomatësh nga ambasadat e të dy kryeqyteteve. Greqia, anëtare e BE-së që në vitin 1981, përdori kryesinë e saj gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 1994 për të bllokuar 35 milionë eku, të akorduara nga BE për buxhetin e shtetit shqiptar. Fatmirësisht marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri-Greqi u normalizuan, çështja e fondit të bllokuar mori zgjidhje dhe më 1996 u nënshkrua “Traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit” mes dy vendeve. Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO në vitin 2009 nuk hasi pengesë bllokues nga Greqia, si vendi i vetëm fqinjë i drejtpërdrejtë, anëtar i NATO-s dhe i BE-së.
Në këtë kontekst, nuk duket, të paktën deri tani, se kryesia qipriotë e BE-së e gjashtë muajve të fundit të këtij viti, do të hapë një kapitull të ri për anëtarësimin e Turqisë në BE. Zgjidhja e çështjes së Qipros është bërë pjesë e kalendarit anëtarësues të Turqisë në BE dhe kusht për anëtarësimin e saj. Kjo çështje, në thelb dypalëshe, mes Qipros, një vendi vetëm anëtar të BE-së, ndaj anëtarësimit në NATO e Turqisë, një vendi anëtar të NATO-s, kandidat për në BE që në vitin 1987, ka më shumë se tre dekada që nuk merr zgjidhje, pavarësisht ndërmjetësimit ndërkombëtar dhe planeve të hedhura në tryezë e të rrëzuara sa nga një palë aq edhe nga pala tjetër. Në nëntor 2009, z/kryeministri turk Cemil Cicek pohoi se “në se Turqia do të detyrohet të zgjedhë mes anëtarësimit në BE dhe Qipros turke, zgjedhja e saj do të jetë përgjithmonë pranë Qipros turke. Çdonjëri mund ta kuptojë këtë.” Në këto rrethana, vendi anëtar i BE-së i cili do të jepte i fundit konsensusin për anëtarësimin e Turqisë në BE mbetet Qipro. Edhe për sa kohë ? Nuk e dimë dhe as mund ta parashikojmë. (Vijon në numrin tjetër)
(Autori është ambasador i Shqipërisë në Danimarkë)