English

Shqipëria rrezikohet nga deflacioni

Politikat ekonomike nuk janë vetëm të tilla. Sipërfaqësisht, duket sikur ato marrin parasysh vetëm tregues të prodhimit vendas, ofertës, apo kërkesës, dhe vendosin plane veprimi në të mirë të ruajtjes së qëndrueshmërisë së çmimeve dhe rritjes ekonomike. Është lajm i vjetër tashmë që ekonomiksi ndikohet nga aktiviteti ekonomik dhe financiar i vendit, po aq sa ndikohet edhe nga faktorë socialë dhe më pak të prekshëm, si pritshmëria konsumatore, vetëbesimi në të shpenzuarin dhe kursyerin, parashikimet vetjake të së ardhmes ekonomike, mirëqenia familjare e kërkuar, si dhe mjedisi demografik në përgjithësi. E thënë më qartë, efektshmëria e çdo politike monetare nuk mund të shikohet kurrë e ndarë prej mjedisit që e rrethon, dhe kjo e thënë në një kuptim të mirëfilltë social. Por, çfarë lidhje ekziston mes kësaj logjike dhe situatës aktuale ekonomike dhe financiare në Shqipëri dhe më gjerë?

Indeksi i Çmimeve të Konsumit pësoi rënie të re gjatë janarit, gjë që e shpie ekonominë shqiptare drejt nivelit të situatës deflacioniste. Instituti i Statistikave njoftoi se çmimet e janarit 2012 qenë vetëm 1.6 për qind më të larta në krahasim me një vit më parë.
Ky është niveli më i ulët i inflacionit i regjistruar në Shqipëri që nga janari i vitit 2009, kur kriza ekonomike dhe financiare botërore sapo pati filluar.
Grupi i ushqimeve shënoi rritje prej 1.4 përqindësh, ku mallrat me kërkesë inelastike shënuan rritjen më të madhe ndërsa mallrat që preken nga rënia e kërkesës, pësuan rënie.
Buka dhe drithërat u shtrenjtuan me 5.6 për qind ndërkohë që zarzavatet qenë 14 për qind më të lira se sa një vit më parë. Në rënie qenë edhe çmimet e veshjeve dhe këpucëve, të cilat kushtuan 2.2 për qind më të lira se sa një vit më parë.
Ndërkohë, mallrat e ndikuara nga niveli i taksave si pijet alkoolike dhe duhani, vijuan të shtrenjtohen me 3.4 për qind në terma vjetorë, edhe pse tashmë nga rritja e akcizave të duhanit është mbushur një vit.
Inflacioni në Shqipëri është rritur me mesatarisht 3.1 për qind gjatë pesë viteve të fundit, duke u luhatur në pjesën më të madhe të kohës nga 2 në 4 për qind.
Ky është rasti i tretë që nga viti 2007 që inflacioni zbret nën 3 për qind dhe në të tria rastet, rritja tepër e ngadaltë e çmimeve ka shënuar edhe ecuri të keqe të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Në tremujorin e parë të vitit 2009, Prodhimi i Brendshëm Bruto shënoi rënie me 0.6 për qind dhe kjo rënie u shoqërua me inflacion mesatar prej 1.9 përqindësh.
Banka e Shqipërisë vlerëson se inflacioni më i ulët se 2 për qind është negativ për ekonominë dhe se inflacioni më i ulët se 1 për qind duhet të konsiderohet si situatë deflacioniste. Për këtë arsye, objektivi i BSH-së është luhatja e inflacionit mes 2 dhe 4 për qind.
“Shumë studime kanë treguar se ecuria e inflacionit ka një prirje të brendshme statistikore për të regjistruar vlera pozitive. Në realitet, një nivel inflacioni afër 0 mund t’i korrespondojë një situate deflacioniste”, thuhet në dokumentin e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë.
Inflacioni i ulët ushtron presion mbi gjendjen financiare të kompanive, të cilat përballë rënies së çmimeve të produkteve që shesin, duhet të menaxhojnë uljen e kostove, gjë që nënkupton paga më të ulëta.
Por ky proces është shumë i vështirë për t’u menaxhuar pa prekur eficencën e prodhimit. Për këtë arsye, deflacioni konsiderohet si një problem shumë më i rëndë se sa inflacioni. Çmimet e ulëta të zarzavateve p.sh., pakësojnë të ardhurat e fermerëve dhe këto të fundit detyrohen të reduktojnë konsumin.
Banka e Shqipërisë e ka ulur interesin bazë të lekut tri herë në pesë muajt e fundit, në përpjekje për të shtuar qarkullimin monetar dhe konsumin, por efektet e kësaj mase vlerësohet se japin ndikim disa muaj me vonesë.
Çmimet e ulëta sugjerojnë se Prodhimi i Brendshëm Bruto po ecën shumë ngadalë këtë periudhë, por sistemi statistikor i vendit nuk siguron dot informacion në kohë të shpejtë.
E dhëna e fundit e disponueshme është ajo për ecurinë e PBB-së për tremujorin e dytë të vitit 2011, e cila fliste për rritje minimale prej 0.5 përqindësh. Të dhënat për tremujorin e tretë pritet të publikohen këtë javë.

KOMENTE