“Mjetet tona të transportit janë bllokuar në detin Azov, që ndodhet mes Rusisë dhe Ukrainës, për shkak se ka ngrirë pothuajse i tëri, madje edhe një pjesë e Detit të Zi, duke e bërë të pakalueshëm gazin. Ky problem zgjat prej ditësh dhe deri në zhbllokimin e situatës do të duhet të paktën edhe një javë, deri në mbërritjen e sasisë”, shprehen për gazetën “Shqip” disa importues me peshë në tregun vendas.
Si pasojë e motit të keq tregtarët po kërkojnë gaz nga të munden, pasi linja e rregullt e gazit që importohet nga Rusia është bllokuar nga koha e keqe.
“Në fillim të muajit janar, sipas bursave, një ton gaz i lëngshëm kushton afro 900 dollarë, ndërsa sot (dje) është rreth 1100 dollarë. Tendenca duket se do të vijojë me rritje, pasi Europa ka shtuar kërkesën me 30 për qind, ndërsa vendet eksportuese e kanë të pamundur t’i përgjigjen. Vërehet se edhe kursi i këmbimit po ecën ‘kundra’ nesh, me një rritje të dollarit, ndërsa nafta bruto pritet të pësojë shtrenjtim. Të gjitha këto elemente nuk sjellin gjë tjetër vetëm shtrenjtim të gazit, i cili është kthyer në mall të kërkuar nga të gjithë”, thonë tregtarët.
Pra një bombol gazi 10 kg do të kushtojë shumë shpejt 1700 lekë, nga 1500 lekë që blihet aktualisht, e cila mund të zgjasë deri në disa muaj.