Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës shpreh keqardhje për reagimin e pakuptimtë dhe të pasaktë të Lidhjes Demokratike të Kosovës ndaj lëvizjeve interne kadrovike të MPJ.
Përkujtojmë subjektin partiak që Ministria e Punëve të Jashtme ka trashëguar një gjendje shumë të rëndë kadrovike, logjistike dhe administrative nga koha e operimit të kësaj ministrie nën ish-Ministrin që vinte nga radhët e LDK-së. Fletërrufeja e kësaj partie e dërguar sot mediave ka injoruar faktet më bazike krahasuese të punës më parë dhe tani. Gjuha sulmuese e përdorur nga ky subjekt politik po ashtu ngjanë tentativave për diferencime politike nga kohërat moniste.
MPJ nuk ka përjashtuar asnjë nëpunës të vetëm nga asnjë pozitë e vetme në MPJ, duke dashur të ruajë kohezionin dhe kontinuitetin në punë. Përkundrazi, kemi filluar për së pari herë në histori të MPJ-së, një program shumë të gjerë trajnimesh diverse për ta përmirësuar kualitetin e punës së stafit, edhe atë me ndihmën e institucioneve më kredibile akademike ndërkombëtare.
LDK-ja harron krejtësisht se gjatë mandatit ka sjell në pozita kyçe diplomatike, përfshi edhe në ekipin e mbrojtjes në rastin e GJND-së, edhe persona që nuk kanë pasur as njohje më bazike të gjuhës angleze. LDK-ja harron se gjatë mandatit të vet e ka lënë shumicën e stafit të MPJ-së që për tre vite të punojnë në kushte jonjerëzore dhe të rrezikshme për shëndet, në bodrume pa dritë dielli. LDK-ja harron se gjatë mandatit të vet nuk ka punuar fare në ngritje të kapaciteteve dhe trajnime të reja apo në edukim të vazhdueshëm. LDK-ja po ashtu harron në qindra ankesa të qytetarëve tanë në mbarë botë që janë ballafaquar drejtpërdrejtë me punën e ngadalshme dhe interaksionin shpesh frustrues për shtetas me Ministrin dhe ish-kabinetin e tij.
MPJ-ja, përkatësisht Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm ka obligim ligjor dhe profesional, që në bazë të dispozitave ligjore në fuqi, analizës zyrtare të performances së punës, procedurave ligjore të verifikimit të ankesave dhe vendimeve të Komisionit disiplinor, të propozoj dhe implementoj ndryshime brenda organogramit të aprovuar të stafit senior, që qëllim të vetëm ka funksionalizimin e vonuar të MPJ-së në fushat kritike operative. Emërimet dhe ndryshimet kadrovike janë kudo në botë mjetet më themelore të përmirësimit të performancës dhe subjekti politik i LDK-së do të duhej të marr mësim për mënyrën e menaxhimit modern të diplomacisë konform nevojave të shtetit dhe kujdesit për stafin.