English

Edi Rama në Twitter: Dëbora ka gjunjëzuar shtetin

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka reaguar menjëherë në rrjetin social “Twitter” pas deklaratave të Berishës në Kukës i cili ka premtuar fonde në ndihmë të banorëve. Rama në mesazhin e tij shkruan se arka e shtetit është bosh dhe nuk përballon dot asnjë situatë problematike. “Këto janë kopje e premtimeve që ka bërë Berisha për Shkodrën dhe ku ende sot askush s’është ndihmuar me fonde”, ka theksuar kryetari socialist.
“Deklarimet e KM në veri për fonde për banorët kopje e premtimeve për Shkodrën e përmbytur: Askush s'është ndihmuar me fonde ende sot! Kjo qeveri s'ka asnjë fuqi për të përballuar emergjenca, arka e shtetit është bosh kurse shteti është rrënuar në moral e në profesionalizëm!”

Rama ka shtuar më tej se kryeministri mund të gënjejë për ngricën që ka bllokuar ekonominë po s’mund të fshehë dot dëborën që ka bllokuar veriun e gjunjëzuar tërësisht shtetin.
“KM mund të gënjejë për ngricën që ka bllokuar ekonominë po s'mund të fshehë dot dëborën që ka bllokuar Veriun e gjunjëzuar tërësisht shtetin. Asnjë ndihmë s'ka shkuar në Veri prej dy javësh dhe ndihmat që mund të shkojnë nga sot do jenë thjesht mediatike, sepse shteti ka rënë!” shkruan Rama në Twitter.

Ndërsa më herët, Kryetari Rama ka reaguar në lidhje me vendimet më të fundit të qeverisë ku rritje page përfitojnë ata që kanë kualifikim, grada apo tituj, duke i cilësuar ato si vendime kundër interesit publik dhe të mirës së përbashkët. Nga Twitter-i, kryesocialisti theksoi se vendimi më i fundit për rritje page nga qeveria është një pabarazi dhe duke ironizuar e ka krahasuar me lotarinë.

“20-30 mijë lekë më shumë për shkencëtarët ministra, zv.ministra e drejtore! Do fitojnë më shumë, do paguajnë me pak taksa. Pabarazia në themel! Lotari Kombëtare private! Si askund në Europë ku lekët i merr shteti për kulturën, sportin, çështjet sociale. Abuzim i hapur në dëm të shtetit. Çdo ditë vendime kundër interesit publik dhe të mirës së përbashkët! Pushtet i vjedhur për t'u bërë hyzmet interesave private të pushtetarëve”, përfundon mesazhin e tij Rama në Twitter.

KOMENTE