English

Pro shkëmbimit të territoreve shprehet Rexhep Qosja

T`i mbash me zor serbët e Kosovës dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës nën një shtet që nuk e duan është jo e drejtë dhe jo demokratike, dhe ndryshe mund të thuhet t`i mbash ata nën okupim” ka deklaruar akademiku Rexhep Qosja për agjencinë “Presheva Jonë”.
“Unë mendoj se për t`u zgjidhur përfundimisht çështja e Kosovës, duhet të zgjidhet edhe një brengë e brendshme në Kosovë, për t`u çliruar nga serbët e veriut dhe kush është interesuar nga këta serbë nga brenda Kosovës, mund të kalojnë atje në veri dhe ajo pjesë t`i jepet Serbisë, ndërsa Lugina e Preshevës t`i bashkohet Kosovës. Do të thotë të bëhet shkëmbimi i territoreve, për të cilin si opsion unë jam dakord”, citon kjo agjenci fjalët e akademikut.
Qosja thotë se lëvizja e njerëzve, qofshin ata edhe funksionarë, duhet mundësuar edhe atë në mënyrë reciproke. “Dhe nëse këta serbët e Beogradit vijnë e futen në Kosovë sa herë t`ju teket, këtë gjë duhet mundësuar edhe krerëve të shteteve tona nga Prishtina e Tirana për të vizituar vëllezërit tanë momentalisht në Serbi” ka shtuar Qosja.
Edhe pse thotë se në dekadat e fundit janë arritur mjaft suksese në avancimin e proceseve të kombit, ai konsideron se çështja shqiptare në Ballkan nuk është zgjidhur.

KOMENTE