Dua t’i shpreh ngushëllimet më vëllazërore qytetarëve të Kosovës dhe autoriteteve shtetërore të saj për tragjedinë rrëqethëse të humbjes së jetëve njerëzore nën ortekun e dëborës. Ishte një tragjedi e dhimbshme për të cilën i jemi pranë Kosovës me zemër e mendje në këtë ditë zie. Në ndërkohë veriu i Shqipërisë po edhe zona të tjera në jug po jetojnë orë dramatike. Ne po bëjmë të gjithë çka mundemi dhe të gjithë duhet të bëjmë gjithçka mundemi. Qeveria është përgjegjëse për mobilizimin e tërë strukturave shtetërore e fondeve të nevojshme publike, por edhe ne do të bëjmë aq sa kemi mundësi.
Është bërë tanimë ritual që çdo dimër shqiptarët në veri, po jo vetëm në veri, të vuajnë pasojat e rënda të ujit që përmbyt apo të dëborës që bllokon me dhjetëra e dhjetëra komuna të vendit. Këtë herë rënien e shtetit dhe pafuqinë totale të tij me dhjetëra mijëra familje po e provojnë në kurriz për shkak të mungesës së çdo ndihme ushqimore e logjistike në kushtet e izolimit nga dëbora. Nuk ka se si të ndodhë ndryshe kur shteti është gjunjëzuar si mos më keq për shkak të paralizës së strukturave të veta dhe kushteve të rënda financiare. U bënë dy javë që gjendja shkon duke u rënduar për shkak të dëborës dhe qeveria vetëm mbrëmë u kujtua të mblidhet për këtë situatë. Këto nuk janë orë për të përfituar politikisht, por as për të heshtur përballë paaftësisë, shthurjes, paralizës së shtetit.
Në selinë e Partisë Socialiste vijnë telefonata të panumërta nga zonat e izoluara ku njerëzit kërkojnë ndihmë në mungesë të minimumit jetik. Kryetarët tanë të komunave në zonat veriore janë të angazhuar bashkë me deputetët për të bërë gjithshka është e mundur, por mundësitë e tyre janë tejet të kufizuara. Nuk kanë as fonde dhe as mjetet e nevojshme për përballimin e një krize të këtyre përmasave, ndërkohë që forcat shtetërore të emergjencës civile kanë degraduar tërësisht. Qeveria duhet të mos fshihet pas mbledhjeve pa asnjë plan të besueshëm dhe fjalimeve boshe pa asnjë vlerë për zbutjen e krizës.
Një plan gjithëpërfshirës solidariteti shoqëror është i domosdoshëm. Një organizim transparent dhe një informim në kohë reale për operacionet e ndihmës është i domosdoshëm. Një bashkëpunim real me të gjitha strukturat e pushtetit vendor pa dallime partiake është i domosdoshëm. Të gjitha këto mungojnë, sepse qeveria nuk ka plan, nuk ka organizim, nuk ka sens bashkëpunimi. Nuk ka as struktura të mirëfillta mbështetëse për një emergjencë të këtyre përmasave. Ne jemi gati të kontribuojmë për këtë plan. Ne jemi gati po ashtu të bashkërendojmë forcat me strukturat shtetërore. Ndërkohë po mobilizojmë të gjitha strukturat tona vendore edhe në zonat që janë jashtë këtij kërcënimi të përorshëm me një zinxhir solidariteti në ndihmë të familjeve të izoluara.
S’ka asnjë gjasë të zbutet kjo krizë pa një sforco të përbashkët të gjithë shoqërisë, duke filluar nga çdo strukturë qendrore e vendore pa asnjë kufi politik, dhe duke përfshirë shoqërinë civile, median, publikun e gjerë. Mungon po njësoj një plan për të përballuar krizën energjetike, e cila po troket fort në derë dhe lajmet nga vendet fqinje që eksportojnë energji nuk janë të mira. Prerjet e energjisë po ndjehen kudo, nga Tirana në të gjithë territorin. Borxhi i KESH-it është dramatik. CEZ-i po ashtu është në gjendje të vështirë dhe mesa duket do të vazhdojë të shtojë ndërprerjet e energjisë. Rreziku i kolapsit energjetik nuk duhet konsideruar i pamundur. Përkundrazi është prapa derës. Edhe për këtë ne jemi gati të japim kontributin tonë.
Në nëntor e kërkuam me ngulm parashikimin e fondeve në buxhet për një situatë si kjo, por qeveria nuk deshi të dëgjonte. Pa kontrata afatgjata, të paktën tremujore, ashtu siç kërkuam që në nëntor, ja ku jemi sot në mëshirën e faktorëve që janë jashtë vullnetit tonë. Urgjentisht duhet mbështetur KESH-i me fonde për tre muaj. Dhe në asnjë mënyrë nuk duhet shkuar përpara me shitjen e hidrocentraleve për të larë borxhet e marra kuturu. Parlamenti duhet të jetë vendi ku qysh në seancën e ardhshme të bëhet një përpjekje serioze për të bashkërenduar forcat të gjithë bashkë. Jemi gati të votojmë një financim të posaçëm për krizën humanitare të zonave të bllokuara dhe krizën energjetike që mund të çojë në kolaps energjetik, po nuk u morën menjëherë masat e duhura tani. Me këto sasira dëbore duhet menduar që sot edhe për të përballuar po ashtu rrezikun kërcënues të përmbytjeve të radhës në zonën e Shkodrës po jo vetëm.
Qeveria hyri me shumë vonesë në rolin e saj. Tani ajo duhet të dëgjojë zërin e arsyes dhe jo të luajë teatrin e pakuptimtë të një angazhimi propagandistik pa asnjë impakt real në zbutjen e krizës. Nëse shumica ka vullnet për të bashkëpunuar me opozitën në kuadrin e një plani të diskutuar e miratuar bashkërisht, qoftë për emergjencën humanitare ku gjenden zona të tëra të vendit dhe qoftë për krizën energjetike, ne jemi gati. Ndërkohë prej ditësh kemi bërë sa kemi mundur për të mobilizuar forca dhe për të mbështetur përfaqësuesit tanë vendorë në ato zona, sëbashku me deputetët e Kukësit, të Dibrës, të Shkodrës, të Librazhdit e me radhë. Por kjo s’mjafton. Ashtu sikundër nuk mjafton ajo që po bën qeveria. Është shumë e rëndësishme që të mbledhim forcat dhe të bëjmë gjithçka mundemi sot sepse nesër mund të jetë vërtetë shumë shumë vonë.