Këtë vit Kosova feston përvjetorin e katërt të pavarësisë së saj. Krerët e institucioneve të vendit kanë organizuar aktivitete të ndryshme.
Kuvendi i Kosovës sot, e enjte 16 shkurt, do të mbajë një seancë solemne, ku do të flasin kryeparlamentari Jakup Krasniqi, presidentja Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi.
Presidentja Jahjaga organizon edhe pritjen tradicionale me rastin e Ditës së Pavarësisë. Në këto aktivitete janë të ftuar mysafirë nga vendi dhe ndërkombëtarë.
Më 17 shkurt, pra ditën e nesërme, kremtimet pritet të nisin në orën 11:00, me parakalimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Sheshin “Nëna Terezë”, ndërsa qytetarëve do t’iu drejtohen Jahjaga dhe Thaçi.
Zyrtarë nga kabineti i kryeministrit bëjnë të ditur se me rastin e katërvjetorit të Kosovës shtet, kreu i ekzekutivit do të bëjë përurimin e objektit të ri të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Tiranë. Që nga 17 shkurti i 2008-ës, pavarësia e Kosovës është njohur nga 87 shtete.