Që në fillim të saj seanca plenare është shoqëruar me debate të ashpra mes kreut të grupit të PS-së Gramoz Ruçi dhe kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli për situatën e emergjesës duke bërë që Kuvendi të ndërpresë edhe punimet.. Ruçi ka theksuar në fjalën e tij se kjo seancë nuk mund të vijojë normalisht pasi vendi po kalon një situatë emergjente si dhe tërhoqi vëmendje për mos prezencën e kryeministrit Berisha në sallë. Ndërkohë zonja Topalli e ka ndërprerë deputetin e PS-së pasi deklaratat e tij ishin jashtë rendit të ditës.
“Vendi po kalon në një situatë jo normale dhe në këto kushte çdo parlament nuk do të merret me punën rutinë por të informonte për situatën. Shefi i ekzekutivit duhet të ishte në seancë ku të raportonte për situatën dhe të kërkonte edhe mendimin e të zgjedhurve të popullit qofshin këta të mazhorancës apo të opozitës. Edhe pse kemi dallime kjo fatkeqësi duhet të na bashkojë dhe oferta e opozitës është bërë e njohur prej ditësh” ka theksuar Ruçi.
Në rendin e ditës se Kuvendit parashikohen 10 pika, ndërkohë që ligji më i rëndësishëm që pritet të diskutohet është ai për disa ndryshime në Kodin Civil, pasi kërkon unanimitet nga të dyja palët.