Sali Berisha u është drejtuar misionit të dytë ushtarak në ceremoninë e përcjelljes së tyre drejt Afganistanit.
“Ky është një moment shumë i rëndësishëm për ju dhe familjet tuaja dhe vendin në terësi. Pas një stërvitje të madhe ju jeni grupuar sot në këtë ceremoni për tu nisur në misionin në Afganistan, në Kabul. Për shumicën tuaj ky është misioni më i rëndësishëm për të cilin do jeni krenarë ju, familjet tuaja, forcat e armatosura dhe vendi. Ju shkoni për të pregatitur, ndihmuar dhe konsoliduar ushtrinë afgane në mënyrë që ata të marin në dorë sigurinë e vendit të tyre. Por ju shkoni edhe në përmbushje të detyrimeve që ka Shqipëria si vend anëtar i NATO-s. Me këtë rast shpreh mirënjohjen e thellë ndaj SHBA për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë, dhe ushtrisë në terësi. Falenderoj familjet tuaja të cilat kanë ndarë me ju përgjegjësinë e këtij misioni . Ju shkoni si njësia e dytë në Kabul dhe gjeni një traditë të shkëlqyer nga paraardhësit tuaj. Ju uroj rrugë të mbarë dhe suksese në misionin tuaj dhe jam i bindur që do ta realizoni këtë mision me suksesin më të madh”-tha ai.
Gjithashtu ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu vlerësoi kontributin e Shqipërisë në Afganistan duke theksuar se renditet e dyta pas SHBA-së, sa i përket numrit të pranisë së forcave në Afganistan. Ai nuk harroi të porosiste ushtarët të kujdeseshin për jetën e tyre.