English

Basha-Mustafa: Së shpejti marrëveshje për bashkëpunim mes Tiranës dhe Prishtinës

Kryetari i Bashkisë së Tiranës z.Lulzim Basha zhvilloi një takim me kryetarin e Komunës së Prishtinës z. Isa Mustafa. Vizita e zotit Mustafa në Tiranë vjen në një ditë të shënuar në ditën e Pavarësisë së Kosovës. Zoti Basha ka shfrytëzuar këtë mundësi për ta uruar drejtëpërdrejtë zotin Mustafa për Pavarësinë e Kosovës dhe për të vlerësuar përpjekjet që ai dhe stafi i tij po bëjnë për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Prishtinës.

“Përfitoj nga rasti t’ju uroj z. Kryetar, këtë ditë shumë të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, këtë ditë shumë të rëndësishme për qytetarët e Kosovës dhe shqiptarët kudo ku jetojnë, 4 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe të shpreh kënaqësinë që ky 4 - vjetor e gjen qytetin e Prishtinës, komunën e Prishtinës, në një stad të ri të përpjekjes suaj të vazhdueshme, për të konsoliduar standartin europian, në mirëqeverisjen e Prishtinës, të përpjekjes suaj të vazhdueshme, për të përmirësuar jetët e qytetarëve të Prishtinës, të përpjekjes suaj të suksesshme, për të përfaqësuar dhe prezantuar në çdo segment të qeverisjes, praktikat më të mira europiane” tha Basha.

Në këtë takim zoti Basha dhe zoti Mustafa kanë nënvizuar nevojën dhe domosdoshmërinë e intesifikimit të bashkëpunimit mes Tiranës dhe Prishtinës në fushën e artit, kulturës, sportit e në mënyrë të veçantë atë ekonomike. Një plan konkret bashkëpunimi do të konkretizohet me një marrëveshje të detajuar, e cila do të firmoset nga kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha dhe ai i Komunës së Prishtinës Isa Mustafa, gjatë vizitës që zoti Basha do të zhvillojë së shpejti në Prishtinë, pas ftesës së bërë nga, z. Mustafa.
Kryetari i Komunës së Prishtinës nënvizoi si fusha me interes për bashkëpunim me Tiranën, zhvillimin hapësinor dhe urban , kulturën, sportin etj.

“Kemi nevojë për këmbime të përvojave dhe mendimeve, por edhe të ekspertizës mes Tiranës dhe Prishtinës, sepse jemi shumë afër, kemi edhe vija shumë të lehta tani, të komunikimit dhe me Tiranën ne tani mund të komunikojmë siç komunikojmë me çdo shtet në Kosovë dhe ju me çdo qytet tjetër në Shqipëri. Për ne do të jetë e mirseardhur vizita juaj atje dhe natyrisht hartimin e një programi konkret bashkëpunimi të fushave të ndryshme, të cilat mendoj se do i ndihmojnë progresit tonë, në përparimin e pushtetit, efiçencës së pushtetit local edhe në Kosovë, edhe në Prishtinë, edhe në Tiranë, këtu dhe hapave që bashkarisht duhet të ndërmarrim drejt integrimeve, në familjen e madhe europiane”, tha Mustafa.

Në kuadër dhe të 100 vjetorit të Pavarësisë, zoti Basha ka biseduar me homologun e tij nga Prishtina për organizimin e Asamblesë së të gjitha njësive vendore shqiptare e cila do t’i kontribuojë vendosjes së një bashkëpunimi më të ngushtë mes tyre.

“Sikundër kemi folur edhe më parë, nenvizuam nevojën për të bashkërenduar jo vetëm midis Tiranës dhe Prishtinës, por midis gjithë njësive vendore në Ballkan e më tej, të kryesuara nga shqiptarë, për të promovuar sa më shumë vlerat unike të qytetërimit shqiptar, vlerat e mikpritjes, tolerancës, qëndresës dhe inovacionit, nëpërmjet një Asambleje të të zgjedhurve vendorë shqiptarë, të cilët do të angazhohen konkretisht për të rritur e zhvilluar bashkëpunimin në fushën ekonomike, në fushën e artit, kulturës, duke sjellë më afër qytetarët të cilët qeverisen nga pushteti vendor, nga të zgjedhur shqiptarë, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë, Itali të Jugut apo kudo ku ka të zgjedhur shqiptarë apo qytetarë shqiptarë tek njësitë vendore”, tha Basha.

Në takim ishin të pranishëm edhe Z. Haki Rugova, kryetar i Komunës së Istogut dhe familjarë të ish-Presidentit Ibrahim Rugova.

KOMENTE