English

Edi Rama: Partia Socialiste do të jetë gjithnjë në krah të Kosovës

Deklarata e plotë e kreut të socialistëve me rastin e 17 shkurtit, ditës së pavarësisë së Kosovës.

"17 shkurti do të mbetet përgjithnjë një ditë e pashlyeshme në historinë e kombit shqiptar. Shpallja e pavarësisë së Kosovës do të jetë për të gjithë ne që e jetuam atë ditë, një ditë e pashlyeshme emocionesh të forta dhe vetëdijeje se asgjë nuk është e pamundur për ne shqiptarët kur dimë të luftojnë së bashku për qëllime të mëdha. Ndjehem thellësisht i privilegjuar që sot, në cilësinë e kryetarit të opozitës në Shqipëri, t’u uroj të gjithë vëllezërve e motrave në Kosovë gëzuar përvjetorin e pavarësisë.

Ndjehem po ashtu thellësisht i privilegjuar që t’i uroj edhe publikisht në këtë datë të gdhendur në historinë e shqiptarëve kryeministrit të Kosovës dhe mikut tim të shtrenjtë Hashim Thaçi, suksese të mëtejshme në drejtimin e qeverisë së Kosovës për të mirën e Kosovës, të të gjithë qytetarëve të saj dhe të ardhmërisë së kombit shqiptar. Kosova ka fituar një luftë që përpara pak më shumë se një dekade pakkush e parafytyronte të mundshme.

Kjo është një datë kur do të kujtohet gjithnjë me admirim e mirënjohje të thellë nga mbarë kombi ynë Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe komandanti legjendar Adem Jashari. Por kjo është po ashtu një datë kur do të kujtohet me admirim e mirënjohje të posaçme edhe lideri historik i rrugës së mundimshme paqësore drejt pavarësimit të Kosovës Ibrahim Rugova.

U prehshin në paqe që të dy këta njerëz të mëdhenj të kombit tonë.
Kjo është padyshim dita e lavdisë së përhershme të gjithë martirëve e dëshmorëve të luftës për Kosovën e lirë që vunë jetën e tyre në altarin e kombit tonë dhe gjakun në themelet e Kosovës së pavarur demokratike. I përjetshëm qoftë emri dhe shembulli i tyre në kujtesën e këtij kombi. Kjo është edhe dita për të falenderuar me mirënjohjen e respektin më të thellë të gjithë miqtë e partnerët ndërkombëtarë të popullit shqiptar, Shtetet e Bashkuara në radhën më të parë e me radhë të gjitha shtetet e mëdha të botës demokratike, të cilat bashkuan forcën e pathyeshme të kurajos e të vlerave të tyre të mëdha njerëzore, për ta çliruar Kosovën krah për krah me luftëtarët e saj heroikë. Në këtë ditë të shënuar dua të nënvizoj pasionin atdhetar dhe vullnetin e palëkundur politik të Partisë Socialiste e të të gjithë opozitës shqiptare për të mbështetur përparimin e shqiptarëve në të gjitha trojet e tyre, brenda e jashtë Shqipërisë, duke mbështetur pa asnjë ngurrim Kosovën e të gjitha forcat politike të saj në sfidën e madhe të demokratizimit, modernizimit, integrimit europian.

Nuk ka ditë më të mirë se kjo e sotmja për të përsëritur qartë dhe prerë se ne do të jemi në krah të Kosovës e të qeverisë së saj, kundër çdo përpjekjeje për të rivënë në diskutim kufijtë territorialë të Kosovës. Kundër çdo përpjekjeje për të mos e pranuar sovranitetin e shtetit të Kosovës në territorin e vet me synim kthime të papranueshme e të pamundura mbrapa, në një të shkuar që Kosova e ka lënë pas njëherë e përgjithmonë. Kundër çdo përpjekje për të rifutur në skenën e jetës e të politikës së rajonit tonë fantazma që i përkasin një historie tragjike me të cilën Kosova i mbylli përgjithmonë llogaritë falë një lufte heroike. Nuk ka ditë më të mirë se kjo po ashtu as për Serbinë për të ardhur në vete e për të kuptuar se, sa më shumë e zgjat lidhjen e vet me të shkuarën aq më shumë kohë humbet për veten e saj po edhe për rajonin tonë në raport me të ardhmen.

Fqinjët serbë duhet ta kuptojnë se Kosova u ka ikur nga duart njëherë e përgjithmonë dhe duke e ndjekur pas si në një ëndërr të keqe për t’i shqyer ndonjë copë, ata nuk bëjnë asgjë tjetër përveçse mbajnë veten lidhur në rrugëtimin e pashmangshëm të këtij shekulli të ri për Ballkanin që është pa asnjë dyshim e lëkundje, rrugëtimi drejt Bashkimit Europian. Edhe referendumi i tyre pa përmbajtje në Veriun e Kosovës, s’është tjetër veçse një episod banal i kësaj ëndrre të keqe penguese për Serbinë europiane dhe për prosperitetin demokratik, ekonomik e shoqëror të popullit serb. Shqiptarët në rajon e kanë bërë zgjedhjen e tyre të qartë. Kanë zgjedhur të ardhmen europiane jo të shkuarën ballkanike.

Në emër të së ardhmes europiane edhe Shqipëria edhe Kosova, edhe shqiptarët e Maqedonisë edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës apo të Malit të Zi, kanë dorën të shtrirë për të gjithë të tjerët duke lënë pas armiqësitë e së djeshmes për miqësinë dhe partneritetin e të nesërmes nën qiellin e përbashkët të Europës. Por kanë bashkë me dorën e shtrirë edhe vullnetin e palëkundshëm për të luftuar së bashku kundër çdo kërcënimi apo atavizmi të së shkuarës ballkanike.

Gëzuar 17 shkurtin e të gjithëve, sepse kjo është dita e pavarësisë së Kosovës por edhe një festë e madhe e përbashkët e të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë në Ballkan apo ndodhen nëpër botë".

KOMENTE