Duke filluar nga data 20 shkurt, të gjithë maturantët do të kenë gati në dispozicion formularët e provimeve të detyrueshme dhe atyre me zgjedhje ka njoftuar ministria e arsimit.
Ministria e Arsimit ka publikuar në fundjavë, formularin A1 dhe A2 për lëndët me zgjedhje. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, afati i plotësimit të formularëve nga maturantët do të jetë periudha 20 shkurt-10 mars e pas kësaj date ata do ta dorëzojnë pranë drejtorive të shkollave të tyre.
”Formulari A1 plotësohet për t’u regjistruar në Maturën Shtetërore 2012 vetëm nga maturantët e vitit 2012. Formulari A1 plotësohet me stilolaps (me një ngjyrë, blu ose të zezë) dhe me shkronja të mëdha të shtypit”, thuhet në udhëzim.
Formulari A1 konsiderohet i vlefshëm vetëm nëse është plotësuar në mënyrë të saktë dhe të kuptueshm.
Gjithashtu nëse bëhen gabime në plotësimin e formularit A1 ai ka mundësi të plotësojë një tjetër duke e dorëzuar brenda afateve të dorëzimit, duke u firmosur nga tre persona që janë maturanti, mësuesi kujdestar dhe drejtori i shkollës.
Në ndihmë të nxënësve për përgatitjen e provimeve janë dhe programet orientuese për 40 lëndë që u publikuan nga MASH gjatë kësaj jave që kaluam.