Sipas një deklarate për shtyp, “FRESSH-Tirana” denoncon situatën e krijuar ditët e fundit në mbyllje të fushatës së zgjedhjeve në Fakultete/Universitete për Dekan/Rektor. Kjo fushatë po karakterizohet nga acarime dhe provokime me qëllimin manipulimin e rezultatit.
Presioni i ushtruar haptazi mbi studentët me mënyra dhe instrumente manipulative, siç është shtyerja e sezonit të provimeve në shumë prej Fakulteteve të UT-së, oferta për rritje note në shkëmbim të votës së studentit, kërcënime për ngelje në klase në shkëmbim të votës e shumë të tjera si këto, përfaqësojnë modelin më të keq në përdhosje të vet sistemit akademik universitar në vendin tonë.
Sot, ushtria e pedagogëve militante me mbështetjen e drejtpërdrejt të strukturave të partisë në pushtet po skalisin dhe në brezat e studentëve kulturën e blerjes, vjedhjes dhe manipulimit të votës.
Pikërisht ata që duhet të edukojnë brezat me vlerat më të shëndosha qytetare, demokratike dhe morale, po çojnë deri në fund shërbimin militant ndaj partisë duke marrë përsipër barrën e rëndë përballë shoqërisë dhe historisë, për të edukuar me manipulim zgjedhor studentët që presin edukim demokratik.
“FRESSH-Tirana” denoncon dhunën, kërcënimin dhe ofertat për të blerë votën e studentëve. Sistemi i antivlerave që promovohet sot në bankat e fakulteteve nga pseudo-pedagogët që karrierën e tyre akademike e profesionale e kanë të mbështetur nga klientelizmi dhe servilizmi ndaj pushtetit politik është i papranueshëm nga ne dhe shumicën dërrmuese të studentëve shqiptarë.
“FRESSH-Tirana” nisi fushatën sensibilizuese kundër pseudo-pedagogëve militantë dhe “profesorëve” të blerjes dhe manipulimit të votës së studentëve, duke shpërndarë në të gjithë fakultetet e Tiranës këto fletëpalosje.