English

Rami i dhuron programin e PS, Giovanni Pitella (VIDEO)

531
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, gjatë takimit me zotin Giovanni Pitella, pasi e uroi z. Pitella për zgjedhjen se tij si zv/Kryetar i parë i Parlamentit Europian, shkëmbeu disa mendime lidhur me situatën në vend, duke e informuar njëkohësisht europarlamentarin për rolin e PS në çuarjen përpara të atyre proceseve që janë të domosdoshme për përshpejtimin e rrugës së integrimit. Rama së bashku edhe me anëtarët socialistë të delegacionit parlamentar BE – Shqipëri, përfitoi nga rasti për ti dhuruar z. Pitella një kopje të programit të Partisë Socialiste për “Një Rilindje Shqiptare” .

Prononcimi i Kryetarit socialist Edi Rama pas takimit: “Patëm kënaqësinë ta presim këtu në selinë e Partisë Socialiste mikun tonë Giovanni Pitella. E uruam edhe për zgjedhjen si zv.Kryetar i parë i Parlamentit Europian. Shkëmbyem edhe disa mendime lidhur me situatën në vend. E informuam edhe për rolin e PS në çuarjen përpara të atyre proceseve, që janë të domosdoshme për përshpejtimin e rrugës së integrimit. I dhuruam edhe një kopje të programit tonë “Për një Rilindje Shqiptare” dhe po e përcjellim me kënaqësi dhe bindjen se do ta kemi përsëri mes nesh së shpejti."

Prononcimi i zv/Kryetarit të parë të PE Giovanni Pitella pas takimit: “Siç e dini, unë erdha këtu në Tiranë sepse u ftova nga rektori Angjeli për të marrë titullin Doktor “Honoris Causa” për integrimin e Ballkanit dhe Shqipërisë në BE. Po nuk mund të rrija dot pa u takuar me mikun dhe shokun tim të dashur Edi Rama dhe miqtë e shokët e mi socialistë, sepse PS është partia ime, sepse unë bëj pjesë në grupin parlamentar të socialistëve dhe demokratëve europianë.
Me Edi Ramën, bëmë një analizë të situatës në Shqipëri dhe ndamë shqetësimet tona lidhur me ngadalësimin e procesit në përputhje me standardet europiane. Në raportin e bërë nga KE, janë vënë në dukje disa probleme serioze të cilat ekzistojnë ende, siç është problemi me drejtësinë, siç është problemi lidhur me luftën kundër kriminalitetit, si dhe problemet lidhur me korrupsionin, dhe standardet e administratës publike. Po pavarësisht punës së opozitës dhe gadishmërisë që ofron PS dhe deputetët e saj, gjërat nuk po ecin me shpejtësi, sidomos përsa i përket reformës zgjedhore dhe institucionale, që janë kushte kryesore për të ecur përpara në rrugën e integrimit të Shqipërisë në BE. Unë e kam ndjekur këtë situatë me shumë preokupim dhe do t’i përcjell preokupimin tim edhe në PE, që nga Europa të vijë një stimul i qartë, i fortë dhe eksplicit, që kush e ka përgjegjësinë kryesore ta marrë këtë përgjegjësi dhe të japë kontributin e tij. Ne nuk mund të lejojmë në asnjë mënyrë që Shqipëria të humbë trenin e Europës dhe kjo duke i bindur socialistët që të luajnë rolin e tyre dhe nga ana tjetër, duhet nxitur që ata që janë sot në qeverisje të bëjnë të njëjtën gjë, në mënyrë konstruktive, serioze dhe të vendosur. Uroj që edhe zgjedhja e ardhshme e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, të jetë një moment për një drejtim të duhur për forcat kryesore politike, që edhe në emër të Europës do ishte një sinjal shumë i mirë përgjegjësie dhe pjekurie”.

Më herët, Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, priti në takim z. Robert Benjamin, Drejtor Rajonal për Europën Qendrore dhe Lindore në Institutin Demokratik Amerikan, me qendër në Uashington DC. Në vijim të prezantimit të disa veçorive të situatës politike në vend, Edi Rama u ndal në mënyrë të veçantë në procesin e realizmit të reformës elektorale, si një çështje e rëndësishme dhe prioritare për funksionimin e demokracisë dhe të shtetit ligjor. Rama konfirmoi vullnetin e plotë të Partisë Socialiste, për të realizuar reformën elektorale në një kohë sa më të shpejtë dhe në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR, duke shpresuar në kapërcimin e pengesave që janë hasur. Nga ana tjetër, z. Robert Benjamin shprehu angazhimin e tij dhe të Institutit Demokratik Amerikan, për të asistuar proceset demokratike në Shqipëri, përfshi reformën elektorale në tërësinë e saj, përmes iniciativave dhe projekteve konkrete.

KOMENTE