Sot në mesditë, në Ministrinë e Mbrojtjes, në nderim të kapiten Feti Vogli, i cili ra në krye të detyrës në misionin paqeruajtës në Kandahar, Afganistan, u organizua ceremonia e uljes në gjysmë shtizë të Flamurit Kombëtar.
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, gjeneralë dhe drejtues të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm.
Personeli i Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm, ushtarakë dhe civilë, u rreshtuan në oborrin e Ministrisë së Mbrojtjes, në respekt dhe nderim të veprës së kapiten Feti Vogli. Më pas, përmes një dhimbje të thellë njerëzore dhe një solidariteti për veprën heroike të kapitenit Feti Vogli, u ul në gjysmë shtizë Flamuri Kombëtar, i vendosur në një vend qendror në Ministrinë e Mbrojtjes.
Po sot, një ceremoni e tillë u organizua edhe në Batalionin e Forcave Speciale në Zall-Herr. Në nderim të kolegut të tyre, kapiten Voglit, trupat e këtij batalioni zhvilluan një demonstrim veprimesh, ku shpalosën aftësitë e tyre ushtarako-profesionale për përballimin e situatave në operacionet kundër terrorizmit. Gjithashtu po në këtë repart është ngritur edhe një fotoekspozitë kushtuar jetës dhe aktivitetit të kapiten Feti Vogli.