Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Leon Panetta, i telefonoi sot pasdite ministrit të Mbrojtjes, z. Arben Imami për t'i shprehur ngushëllimet e tij dhe të qeverisë së SHBA për humbjen e jetës së Kapiten Feti Vogli, gjatë një misioni të përbashkët të trupave speciale shqiptare dhe atyre amerikane në rajonin Shadizi Robat në afërsi të Bazës Ushtarake në Spin Boldak në Kandahar, Afganistan. Gjatë këtij misioni mbetën të plagosur gjithashtu nëntetar Aleksandër Peci dhe një ushtarak amerikan.
“Marrim pjesë në dhimbje dhe lutemi së bashku me familjen e kapiten Feti Voglit”, u shpreh Sekretari i Mbrojtjes së SHBA, z. Leon Panetta, duke përcjell njëkohësisht gjithë gatishmërinë e qeverisë amerikane, për çdo ndihmë në rast nevoje.
“Gatishmëria e trupave tuaja për të luftuar deri në sakrificën e fundit është për t'u vlerësuar thellë”, tha z. Panetta, ndërsa shtoi se SHBA dhe populli amerikan, vlerësojnë shumë mbështetjen e pandërprerë të qeverisë dhe popullit shqiptar.
Ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami falenderoi Sekretarin e Mbrojtjes së SHBA për mbështetjen e vazhdueshme që qeveria e SHBA dhe populli amerikan kanë dhënë për Shqipërinë dhe Forcat e Armatosura.
“Jemi krenar që ushtarët tanë dhe amerikanë luftuan së bashku me kurajo dhe profesionalizëm të lartë”, u shpreh z. Imami. Ministri i Mbrojtjes shtoi se ne jemi krenarë që ndodhemi bashkërisht në disa operacione në Afganistan.
Ministri Imami i konfirmoi z. Panetta angazhimin e palëkundshëm të qeverisë shqiptare për të vazhduar kontributin për paqen dhe sigurinë në Afganistan, përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të gjithë aleatëve të tjerë.