Lidhur me Marrëveshjen midis Kosovës dhe Serbisë me lehtësim nga Bashkimi Europian Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton bëri një deklaratë.
Ajo në deklaratën e saj ka cituar:
“Këto marrëveshje janë në përputhje me pavarësinë, integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës.
Ato e lëvizin Kosovën përpara dhe më afër integrimit të plotë evropian, të cilin Shtetet e Bashkuara vazhdojnë ta përkrahin. Kosova tash do të ulet në tavolinë në forumet rajonale si partnere e barabartë, ku do ta përfaqësojë veten dhe do të flasë për veten”, ka thënë shefja e diplomacisë amerikane.
Clinton ka thënë se këto marrëveshje do t’i hapin derën edhe kandidaturës së Serbisë për Bashkimin Evropian.
“Përparimi i Serbisë drejt integrimit evropian është gjë e mirë për Serbinë, mirë për Kosovën dhe mirë për të ardhmen e tërë rajonit”, ka deklaruar ajo, duke shfaqur shpresën se ”dialogu i lehtësuar nga BE-ja do të vazhdojë lidhur me çështjet e tjera që ndikojnë në jetën ditore të qytetarëve të të dyja shteteve.
Dëshiroj të lëvdoj të dyja qeveritë për fleksibilitetin e tyre dhe punën e vështirë që e kanë bërë gjatë këtij dialogu. I inkurajoj popujt e Kosovës dhe Serbisë që t’i zbatojnë këto marrëveshje me mirëbesim dhe që të përkrahin përparimin që është bërë.
Të dyja shtetet mund jenë të sigurta për një të ardhme paqësore dhe prosperuese si pjesë e një Evrope të tërë, të lirë dhe në paqe, vetëm përmes dialogut dhe besimit të rritur” citon Clinton në deklaratën e saj.