Fjala e Kryetarit te PS Edi Rama në Tryezën e Grupit te Punës për Sportin.
Pas gjithë kësaj paraqitje energjike që bëri Fideli, unë do mundohem të them disa gjëra shumë shkurt, për t’ja dhënë mundësinë të tjerëve që janë të pranishëm këtu që të thonë fjalën e tyre, duke u bazuar mbi këtë draft paraprak i cili është fryt i një pune mjaft të dobishme, të një grupi të madh njerëzish.
Dua të them pak fjalë duke e nisur nga e vërteta e thjeshtë se sporti është kulturë, është kulturë qytetare, është kulturë demokratike, është kulturë ekonomike dhe sigurisht është të gjitha bashkë, kulturë humane. Po ashtu sporti është padyshim edhe shëndet, është stil jetese, është cilësi jete. Dhe në fund të fundit sporti është një vizion shoqëror për jetën në një vend. Kur e shohim sportin kështu dhe mbyllim sytë për të parë të gjitha aspektet e realitetit ku jetojmë, natyrshëm mund ta gjejmë tek dekadenca tërësore e sportit, një nga arsyet themelore të dekadencës tërësore të jetës sociale në Shqipëri. Por edhe anasjelltas. Dekadenca tërësore e jetës sociale shoqërore në Shqipëri, është materializuar në dekadencën e sportit vit pas viti. Në rast se sporti është kulturë demokratike, nuk ka mundësi që një vend demokratik imazhin më të parë që i vjen para syve për sportin, të ketë dhunën e përjavshme në stadiume. Në rast se sporti është kulturë qytetare, nuk ka mundësi që imazhi i parë që vjen në mend kur mbyll sytë për të parë në tërësi realitetin ku jetojmë, të jetë pikërisht mungesa e qytetarisë. Dhe duke parë sportin si kulturë, padyshim, ka një mijë e një arsye për tu dorëzuar përpara këtij realiteti dhe për të thënë se është e pamundur që ne ta rilindim sportin shqiptar dhe do ta bëjmë pjesë të “Një Rilindje Shqiptare” në të gjitha aspektet e jetës së vendit dhe të shoqërisë sonë. Por nga ana tjetër sporti është edhe një instrument dhe ndoshta një nga instrumentet më efikas për ta synuar këtë rilindje shqiptare, që është edhe emri që ne i kemi vënë vizionit tonë për të nesërmen. Është një instrument për të afruar njerëzit duke stimuluar zhvillimin individual, duke stimuluar zhvillimin komunitar, duke stimuluar zhvillimin kombëtar. Sporti është një instrument pa të cilin nuk mund të ketë politika të suksesshme të shëndetit publik dhe padyshim ajo çka investohet për sportin është në të njëjtën kohë një kosto e ulur për shëndetin publik. Është një kosto e ulur dhe për shëndetin e shoqërisë në funksion të efekteve çudibërëse që ka sporti për të luftuar të gjitha ato vese që e tërheqin rininë si një makth. Nga ana tjetër sporti është emancipim qytetar dhe në rast se sot emancipimi qytetar është një domosdoshmëri e munguar në shoqërinë ku jetojmë, më lejoni vetëm për pak sekonda, se do duhej ndoshta një orë e tërë, të kthej sytë pas bashkë me shumë kënd këtu që vjen nga historia e sportit, e t’i referohem mikut tim Kreshnik Tartarit, që është këtu në sallë, i cili ngriti një skuadër volejbolli dhe e ktheu atë në një magnet të emancipimit qytetar. Nga ana tjetër ai shembull të cilit unë ju referova, ishte jo vetëm një shembull i emancipimit qytetar por edhe një stimul i dinjitetit njerëzor, i dinjitetit komunitar dhe i vetë dinjitetit kombëtar.
A mund të rilind sporti në Shqipëri dhe a mund të jetë sporti një nga instrumentet kryesor të procesit qeverisës për “Një Rilindje Shqiptare”? Unë them pa asnjë dyshim po dhe kjo “po“ më është përforcuar në këtë pjesë të shkurtës të rrugës së programit për sportin që është iniciuar nga grupi i punës që ne kemi ngritur nën drejtimin e Fidel Yllit por me bashkëpunimin e shumë njerëzve të sportit sipas aspekteve që sporti ka dhe të shumë të tjerëve që kanë ndihmuar duke dhënë mendimet e tyre, pavarësisht se jo në pak raste, politikisht nuk i përkasin kampit tonë politik. Besoj se synimi për të tërhequr mendimet e të gjithëve, veçanërisht kur është fjala për një program për sportin, është absolutisht thelbësor në adresimin e të gjitha pyetjeve në çdo drejtim, pa parë ngjyrën e përkatësisë politike të askujt ndër personaliteteve e botës së sportit shqiptar që mund të kontribuojnë me mendimet e tyre. Ky është një hap i parë dhe ajo që është më e rëndësishmja në tërësi për programin tonë, por posaçërisht meqenëse po flasim për sportin, është që programi të jetë pronë e të gjithë njerëzve të sportit. Programi të jetë pronë e të gjithë atyre që e duan sportin por që meritojnë ta shikojnë të materializuar një vizion të ri për sportin në Shqipëri. Programi duhet të jetë pronë e të gjithë atyre që pa qenë njerëz të sportit kanë shumë interesa të lidhur me sportin, e çdo prindi që ka interes të drejtpërdrejtë, që sporti në nivelin shkollor të zhvillohet dhe të jetë një mundësi për fëmijën e tij. Të jetë alternativa më e mirë mes alternativave që ofron hapësira ku fëmija gjendet sapo del nga shtëpia dhe ne e dimë mirë që shumica e këtyre alternativave janë alternativa që nuk do donim asnjëherë që fëmijët tanë t’i përqafonin nga pamundësia për të patur një alternativë më të mirë.
Po ashtu programi për sportin duhet të jetë pronë edhe e shumë njerëzve të biznesit sepse s’ka pikë dyshimi që sporti është edhe kulturë ekonomike dhe është një instrument i zhvillimit ekonomik, pavarësisht se në pamje të parë ky zhvillim nuk vjen në rrugë direkte. Por ama në rrugë indirekte, nuk është ky vendi për të dhënë unë një leksion të kësaj natyre sepse ju e dini shumë mirë të gjithë, zhvillimi i sportit sjell një zhvillim ekonomik i cili vjen si rrjedhojë e zhvillimit të sportit. Në fund të fundit le ta fusim të gjithë këtë përpjekje në një trekëndësh që ka tre elementë, që janë elementë që programi ynë duhet t’i shohë si elementë kyç dhe duhet të shërbejë për t’i zhvilluar këta tre elementë. Shkolla, sfida sportive dhe mitet sportive. Dhe këtu kemi të bashkuara bashkë nga njëra anë domosdoshmërinë për të investuar në nivelin e edukimit, domosdoshmërinë për të investuar në nivelin e garës sportive dhe gjithashtu për të investuar tek mitet e sportit.
Po i rikthehem edhe njëherë shembullit që solla. Sa shumë vajza në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë u tërhoqën nga sporti për shkak të Ela Tases apo të Mimoza Ibrahimit. Sa shumë djem në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë u tërhoqën nga sporti për shkak të Agim Fagut apo të Gazmend Çaçit. Sa shumë të tjerë djem u tërhoqën nga sporti për shkak të Jani Kaçit, Perlat Mustës apo të Foto Strakoshës që kemi nderin ta kemi këtu në tavolinë. E kështu me radhë për të ardhur në anën tjetër të medaljes. Në një anë që asnjëri nga ne nuk mund të ndjehet mirë kur e shikon. Në vitin 1991 kur rrugët u hapën dhe kur shumë talenteve ju dha mundësia që në këto rrugë të gjenin edhe rrugën e afirmimit të tyre në nivel botëror, disa djem, një ndër të cilët e kemi këtu që është një kampion bote, një kampion i madh, Luan Shabani, të lindur në shtëpi të varfra shqiptare me një talent të jashtëzakonshëm brenda vetes dhe vetëm për shumë pak që nuk e gjetën dot në vendin e tyre u detyruan që ta gjejnë nën një flamur tjetër. Pa u menduar gjatë dhe në mënyrë barbare shumëkush u rend t’i quajë tradhtarë. Por në fakt tradhtarët e vërtetë ishin ata që nuk patën sy për të parë talentin e këtyre njerëzve dhe nuk patën mend për të kuptuar se ai talent mund të zhvillohej këtu në këtë vend me shumë e shumë herë më pak, sesa abuzimet e pafundme që shpenzuan para pa fund në drejtim të paditur. E nëqoftëse do ta quanim këtë një kapitull të mbyllur që lidhet me një moment turbullie të përgjithshme e ndokush do të donte t’i amnistonte këta tradhtarë të vërtetë, jo vetëm të sportit, por në tërësi të shoqërisë shqiptare, si ka mundësi që në vitin 2011 një djalë tjetër shqiptarë, një tjetër talent i atyre përmasave, i cili nuk ishte më në kohën e kaosit dhe të turbullirës por ishte në sytë e të gjithëve. U shfaq edhe në olimpiadë me fanellën e kombëtares së Shqipërisë dhe u pa qartë që ishte një kampion olimpik i lindur, të detyrohet të shkojë dhe të gjejë strehë diku tjetër, e të ngrejë si kampion bote flamurin e një vendi tjetër, për shkak se shteti shqiptar, qeveria shqiptare, autoritetet përkatëse të sportit në Shqipëri nuk patën mend, por më shumë se mend nuk patën zemër për të venë në dispozicion të atij djali një shumë që në krahasim me shumën që shpenzohet kot nën zërin në buxhet sport, por që s’ka të bëjë fare me sportin ishte simbolike. E pra kjo është një anë e medaljes të cilën ne duhet ta fshijmë përgjithmonë. Për të pasur një sport që të konkurrojë në nivele botërore, në të gjitha kulturat sportive, Shqipëria e ka të pamundur. Por për të pasur kultura sportive që kanë traditë në këtë vend dhe për të zbuluar talente në ato kultura sportive, ne nuk na duhen para që nuk i kemi, por ne na duhet një politikë që deri më sot nuk e kemi.
Një politikë e cila të fokusohet tek sporti si një instrument i patjetërsueshëm për transformimin e shoqërisë, si një instrument i patjetërsueshëm për dinjitetin njerëzor dhe qytetar, për identitetin komunitar dhe për vetë identitetin kombëtar. Në rast se në territore të caktuara të vendit tonë ka një traditë për sportet e rënda, atëherë atje ka edhe talente që nuk kanë nevojë për shpenzime të papërballueshme, por ka nevojë vetëm për një vizion, ka nevojë vetëm për një sens të misionit të sportit në shoqëri, për tu kthyer në mite për ato komunitete ku sundon varfëria, ku sundon papunësia, ku sundon dëshpërimi social dhe ku bashkëmoshatarët e tyre nuk kanë asnjë pikë referimi. Një kampion bote në një zonë të tillë Shqipëria mund ta nxjerr në peshëngritje, mund ta nxjerr në mundje, por ama nuk ka nxjerr thjesht një kampion bote. Ka nxjerr një shembull përpara një brezi të ri të humbur në ato territore për tu treguar të gjithëve se ka edhe një mundësi tjetër përveç bilardos, llotos, alkolit, bingos apo arratisë në drejtim të paditur për një copë bukë. Ashtu sikundër s’ka asnjë dyshim se Shqipëria nuk mund të konkurrojë për të fituar kupën e botës në futboll, por ama Shqipëria mund të kultivojë përmes futbollit dhe përmes disa sporteve të tjera lojërash me dorë, një kulturë e cila do të ndihmonte në mënyrë të jashtëzakonshme mirërritjen e komuniteteve të vogla në klasa, në shkolla, në qytete deri tek bashkësia e madhe shqiptare.
Por si mund ta bëjmë ne këtë, nëqoftëse ne nuk i kthehemi shkollave, nëqoftëse ne nuk i kthemi kulturës sportive në shkolla, nëqoftëse ne nuk e shikojmë këtë si një proces afatgjatë. Nuk dua të zgjatem më tutje, as për aspektet e infrastrukturës, as për aspektet e legjislacionit, as për aspekte të tjera që Fideli i paraqiti këtu në emër të grupit të punës por dua ta mbyll duke ju siguruar për një gjë. Projekti i madh, realisht ambicioz, realisht sfidë më vete për një shtet si Shqipëria që ju patë këtu dhe që Kryetari i Bashkisë së Korçës e mban në sirtar prej vitesh për shkak se ka ndeshur në shurdhërinë e plotë të qeverisë, është pjesë e programit tonë dhe është pjesë e sfidës sonë. Nuk ka asnjë arsye që ne ta konsiderojmë atë një projekt ambicia e të cilit është shumë më e madhe sesa mundësitë tona, por janë të gjitha arsyet për ta konsideruar atë projekt një flamur të ambicies sonë për mënyrën sesi duam ta integrojmë në kulturën e bashkëjetesës mes shqiptarëve, kulturën sportive dhe për mënyrën sesi duam ta ndërtojmë me këto tre elementë gjithë programin tonë, nga shkollat deri tek mitet, duke kaluar përmes konkurrencës që është një problem në çdo sferë të jetës, se këtu edhe konkurse misesh nuk bëhen dot më pa u vjedhur votat. Por ama kjo nuk është një arsye për të qenë pesimistë, por kjo është një arsye për të thënë me bindje se me të gjithë eksperiencën që kemi, me të gjitha kapacitetet njerëzore që kemi, me të gjithë ekspertizën që kemi, duke pasur ekspertë të tryezës por edhe ekspertë të fushës, në kuptimin e betejës sportive, duke pasur ndërthurje brezash që kanë jetuar kohëra të ndryshme dhe kanë eksperienca të ndryshme, duke pasur edhe gjithë sensin e bashkëkohësisë, ne padyshim mund të çojmë sportin një hap përpara për të çuar shoqërinë një hap përpara në radhën më të parë. Dhe pastaj rezultatet në kuptimin sportiv sigurisht mirëse të vinë.