Soren Jessen-Petersen ish shefi i UMNIK-ut, është i shqetësuar rreth dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit për çështje teknike.Ai shprehet se statusi i Kosovës është përcaktuar dhe nuk mund të rikthehet mbrapa për t'u rihapur përsëri.
“Tani, pothuajse nga një derë e pasme, po diskutohet përsëri për statusin dhe Kosova është vënë nën një presion të madh, mesa kuptoj unë, që të pranojë që për të marrë pjesë ata duhet të identifikohen si Kosovë dhe pastaj kjo të shoqërohet me një asterisk dhe një referencë për rezolutën dhe Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”, thotë zoti Petersen në një intervistë të dhënë për Zërin e Amerikës.
“Nuk e kuptoj se pse duhet Kosova ta bëjë këtë kompromis. 22 vende të Bashkimit Evropian e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, 87 vende në gjithë botën e kanë bërë një gjë të tillë dhe vetëm 5 vende të BE-së që nuk e kanë bërë një gjë të tillë, duket se po përcaktojnë se çfarë do të bëhet. Dhe mendoj se kjo është shqetësuese”, thotë zoti Petersen.
Dialogu mes Serbisë dhe Kosovës është i rëndësishëm, ashtu si edhe pjesëmarrja e Kosovës në aktivitete ndërkombëtare, por “duhet ta pyesim veten se çfarë çmimi i duhet të paguajë dhe unë mendoj se po paguan një çmim shumë të lartë”.