Komandanti i Skuadronit të Dytë të Ushtrisë së SHBA që operon në kuadër të misionit ISAF në Afganistan, me të cilin Forcat Speciale shqiptare kryejnë misionin e tyre në Kandahar, i ka dërguar familjes së kapitenit Feti Vogli dhe Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura një letër ngushëllimi në të cilën sqaron edhe rrethanat e rënies në krye të detyrës të Dëshmorit të Atdheut, kapitenit Feti Vogli. Nënkolonel David Jones shprehet në këtë letër se kapiteni Feti Vogli ra pre e një zjarri të befasishëm të një efektivi të policisë afgane në pikën e kontrollit, ndërsa ai iu përgjigj këtij zjarri me trimëri e kurajë. Në vijim teksti i plotë i letrës:
Departamenti i Ushtrisë
Shtabi Qendror
Skuadroni i 2-të
Baza e Përparuar Operacionale “Spin Boldak”
Drejtuar: Familjes së Kapiten Feti Vogli,
Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA Shqiptare,
Komandës së Forcës Tokësore
Dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për humbjen e të dashurit tuaj. Fetiu po kryente një mision humanitar jashtëzakonisht të rëndësishëm në ditën që ndodhi incidenti tragjik. Ai po eksploronte mënyrat se si mund të ndërtohej një shkollë dhe një qendër shëndetësore në një zonë të quajtur Robat, ku komuniteti lokal ka nevoja jetike për arsimim më të mirë dhe infrastrukturë shëndetësore më të mirë. Fetiu po kryente një mision rikonicioni në Distriktin Spin Boldak, në Afganistanin Jugor së bashku me kontingjentin e tij të Forcave Speciale shqiptare “Eagle 4”, si dhe me trupa nga skuadroni i Kavalerisë e anëtarë të policisë afgane.
Gjatë operacionit, një polic i pabesë afgan, në mënyrë krejt të befasishme hapi zjarr dhe plagosi Fetiun dhe dy ushtarë të tjerë të koalicionit. Një komandant afgan i Pikës së Kontrollit u përpoq të reagonte shpejt për të neutralizuar agresorin, por gjithsesi plagët e Fetiut rezultuan shumë të rënda. Ata që ishin të pranishëm në këtë ngjarje e përshkruan të gjithë reagimin dhe sjelljen e Fetiut pas këtij sulmi të befasishëm si heroik. Pa asnjë dyshim, ai luftoi me një kurajë absolute, me nder e dinjitet duke dhënë dhe jetën e tij. Ai u qëllua ndërsa përpiqej që ta bënte jetën e të tjerëve më të mirë. Për këtë arsye, ju siguroj që Fetiu është për ne një hero, që do të nderohet e do të ketë nderimet tona më të larta, ndërsa vazhdojmë misionin tonë në Afganistan.
Ai ishte një luftëtar trim e i respektuar, ndaj dhe do të mbetet gjithnjë në mendjet dhe zemrat tona, ndërsa ne do të mbarojmë punën që ai filloi në Provincën e Kandaharit. Qëllimi im është që Fetiu të jetojë gjithnjë në zemrat tona nëpërmjet fitoreve të vazhdueshme ndaj Talibanëve, dhe nëpërmjet paqes që ne po arrijmë për popullin afgan të drobitur nga lufta. Sakrifica e tij do të jetojë gjithnjë në shpirtin e një partneriteti të qëndrueshëm e të pashkatërrueshëm që ekziston ndërmjet ushtarëve të skuadronit tim dhe operatorëve special të Forcave Speciale shqiptare.
Edhe një herë, ngushëllimet e mia më të thella për ju dhe familjen tuaj. Do të ndjejë mungesën e kapitenit Feti Vogli dhe ndikimin e tij pozitiv në mjedisin e luftës në Afganistan.
Sinqerisht,
Nënkolonel, David. E. M. Jones
Komandant i Skuadronit të Dytë