English

Anëtarësimi në PS, një mundësi dhe sfidë

” Në takimin me të rinjtë fierakë të FRESSH-it kreu socialist Edi Rama u shpreh se politika në Shqipëri i ka dhënë njerëzve të zakonshëm shembullin e keq dhe modelin e gabuar. Sipas tij ka ardhur koha për ndryshimin e kësaj situate sepse pa ndryshuar politikën askush nuk mund ta ndryshojë i vetëm realitetin e vështirë.

“Nuk jeni ju që duhet të ndryshoni, është politika siç e shohim dhe e dëgjojmë përditë që duhet të ndryshojë. Dhe vetëm besimi se politika mund dhe duhet të jetë ndryshe do ta ndryshojë politikën. Ju keni hedhur sot një hap dhe unë ju përgëzoj me mirënjohje për kurajon, sepse jo për të thënë një fjalë të rastit, por për të thënë një fjalë ashtu siç është, Partia Socialiste ka nevojë për sa më shumë njerëz që e shikojnë politikën, me sytë e shpresave të tyre. Dhe që kërkojnë përmes politikës ndryshimin e realitetit të tyre duke ndryshuar në radhë të parë vetë politikën.”

Kryesocialisti Rama shprehu nevojën që anëtarët e këtij forumi duhet ta shikojnë përfshirjen në FRESSH si të jetuarit brenda një gare dhe konkurrence.

“Politika e jetuar brenda një organizate është garë, është konkurrencë e fortë, është edhe seleksionim i pamëshirshëm. Kush thyhet nuk çan dot përpara në rrugën për ta bërë politikën art të jetës së vet si qytetarë. Mënyrë të jetuari me problemet që politika duhet t’i zgjidhë dhe që pa politikën nuk zgjidhen dot. Ju mund ta ndryshoni politikën dhe ta bëni të aftë të ndryshojë pamjen e vet dhe bashkë me të edhe pamjen e të gjitha gjërave.”

Duke e parë këtë ndryshim tek rinia, Rama e ka parë kartën e anëtarësimit si një mundësi dhe sfidë për të rinjtë socialiste.

“Ju ftoj që kartën e anëtarësisë të PS që do të merrni sot, të mos e shihni thjesht si një karton, por si një mundësi dhe sfidë. Për ta njohur politikën nga afër në frontin e vet më të vështirë që është fronti angazhimit në vijën e parë.

Në fund, Edi Rama ka shpërndarë kartat për anëtarët më të rinj të Partisë Socialiste.

KOMENTE