Tirana sot është pjesë e kryeqyteteve botërore të cilët iu kushtojnë një vemendje fëmijëve në Ditën ndërkombëtare të “Fëmijëve në Botën Urbane”. E konceptuar si një bashkëbisedim me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, fëmijë të komuniteteve rome dhe egjiptiane të cilët marrin shërbim në qendrën sociale shtëpia e ngjyrave, një projekt i përbashkët i Bashkisë dhe UNICEF, i kanë drejtuar zotit Basha disa kërkesa të cilat sipas tyre do të ndihmojnë në ndërtimin e qytetit që ata duan. Zoti Basha ka dëgjuar kërkesat e tyre që lidheshin kryesisht me krijimin e kushteve dhe lehtësira për arsimin, situatën e tyre ekonomike, për ushtrimin e aktiviteve sportive, kulturore etj.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha tha se Bashkia do t’u kushtojëe një vëmëndje të veçantë këtyre fëmijëve duke nisur me regjistrimin e tyre e për të vijuar me arsimin dhe përfshirjen e tyre në aktivitete sportive dhe kulturore.
“Bashkia nuk e nis sot këtë punë. Ne, prej kohësh po hartojmë një plan masash, për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve si ju, nëpërmjet evidentimit të atyre që shkojnë dhe atyre që nuk shkojnë në shkolla, për t’i regjistruar të gjithë që të shkojnë në shkollë dhe për t’ju ndihmuar me tekstet shkollore, por po kështu për t’ju ndihmuar pas orarit të shkollës, për ata që kanë nevojë të ndihmohen me mësim ekstra, apo për të tjerët, për t’i përfshirë në aktivitete sportive dhe kulturore, siç është aktiviteti që do të ndjekim në fund të këtij takimi”, tha Basha.
Zoti Basha nënvizoi se pa një situatë të mirë për familjet e këtyre fëmijëve nuk mund të ketë një të ardhme të mirë për këta fëmijë. Në këtë kuadër zoti Basha tha se politikat e Bashkisë do të përqendrohen tek prinderit e këtyre fëmijëve duke nisur nga rritja e shanseve për punësimin e tyre.
“Natyrisht, një rol të veçantë kanë prindërit, sepse një situatë më e mirë e prindërve do të thotë një situatë më e mirë juaja, ndaj për t’ju ndihmuar ju, ne do të përpiqemi të ndihmojmë edhe prindërit, në radhë të parë duke rritur shanset e tyre për punësim, në mënyrë që ata të mund të bëjnë detyrat e tyre si prindër karshi jush dhe ju të mund të shijoni jetën tuaj si fëmijë, por sigurisht duke marrë edhe përgjegjësitë tuaja dhe ku përgjegjësia kryesore e fëmijëve është shkolla”, tha Basha.
Përfaqësuesi i UNICEF-it në Tiranë Detlef Palm, e cila është një organizatë botërore që i vjen në ndihmë fëmijëve, tha se raporti i fundit global i UNICEF, tregon se tashmë, më tepër fëmijë jetojnë nëpër qytete se sa në fshat. Sipas zotit Palm qytetet krijojnë mundësi për një jetë të mirë dhe plot mundësira, qytetet mund të jenë gjithashtu plot vështirësi, nëse jeton në një familje që është e varfër.
“Në një qytet, qoftë ky një qytet si Berlini apo Parisi, (qytetet e mëdha të botës) mund të jetosh pranë një klinike, por mund të mos marrësh trajtimin mjekësor. Kur prindërit janë të varfër, disa fëmijëve u kërkohet të punojnë në rrugë, në një kohë kur sikurse ua thashë, fëmijët duhet të shkojnë në shkollë. Shoqëritë me pabarazi krijojnë më tepër probleme për veten e tyre, të tilla si krimi dhe dhuna, por unë dua t’ju vë në dukje se fëmijët janë të barabartë dhe çdo fëmijë mund dhe duhet të gëzojë të drejtat bazë, pavarësisht se sat ë varfër apo të pasur janë prindërit e tyre”, tha Pal.
Përfaqësuesi i UNICEF në vendin tonë i ka dorëzuar kryetarit të Bashkisë së Tiranës raportin mbi gjendjen e fëmijëve në botë sikunder e ka inkurajuar Bashkinë që të ketë në plan të parë interesat e fëmijëve në këtë qytet, për të mos humbur në axhendën urbane. “Vendosini fëmijët të parët”, tha zoti Pam.
Më pas zoti Basha ka dëgjuar kërkesat e fëmijëve dhe iu është përgjigjur pyetjeve të tyre.