Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi zhvilloi sot një bisedë telefonike me Kryetarin e Shefave të Shtabeve të SHBA, Gjeneral Martin Dempsey.
Pas përshëndetjeve të rastit, Gjeneral Dempsey shprehu ngushëllimet më të thella për humbjen e kapiten Feti Vogli, në adresë të familjes Vogli dhe të FA shqiptare. “Ne jemi bashkë dhe ju do të keni mbështetjen tonë të plotë”, - ka theksuar Gjeneral Dempsey. Duke vlerësuar veprën e kapiten Feti Voglit, ai shprehu mbështetjen e fuqishme që SHBA garantojnë për Shqipërinë, si një aleate e denjë dhe e sigurt në misionet e NATO dhe në luftën kundër terrorizmit.
Gjeneralmajor Gjunkshi vlerësoi me konsideratat më të larta interesimin e Gjeneral Dempsey dhe në të njëjtën kohë, i shprehu atij ngushëllimet më të thella për humbjet e ushtarakëve amerikanë në ngjarjet e fundit në Kabul. Gjeneralmajor Gjunkshi e siguroi gjithashtu homologun e tij amerikan se fjalët e përzemërta të Gjeneral Dempsey do t’ia përcillte familjes së dëshmorit Feti Vogli.
Më pas, gjeneralmajor Gjunkshi e informoi Gjeneral Dempsey edhe për kontaktet që ai ka pasur këto ditë me autoritetet ushtarake më të larta të NATO, por edhe me gjeneral Allen, komandantin e ISAF dhe për vlerësimet e tyre. Gjeneralmajor Gjunkshi e siguroi Gjeneral Dempsey se rënia heroike e kapiten Voglit nuk e ka lëkundur aspak vendosmërinë e vendit tonë dhe të Forcave të Armatosura shqiptare në pjesëmarrjen në misionet paqeruajtëse për aq kohë sa edhe aleatët amerikanë.
Në të njëjtën kohë të dy shefat e shtabeve gjetën rastin të shprehin edhe një herë kënaqësinë për takimin që pritet të zhvillohet së afërmi nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, në SHBA.
Biseda me Kryetarin e Shefave të Shtabeve të SHBA ishte në serinë e kontakteve, letërkëmbimeve dhe bisedave që shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Gjunkshi ka pasur me homologët e vendeve të NATO dhe me një numër të konsiderueshëm autoritetesh politike, diplomatike dhe ushtarake.