English

PS në qeverisje me politika agresive sociale

Sot një shqiptar në dy është i varfër dhe vlerësimi i varfërisë, ai zyrtari, fsheh të vërtetën e varfërisë. Nëse në vlerësimin zyrtar janë 2.5 milionë shqiptarë mbi nivelin e varfërisë dhe vetëm 360 mijë nën, në vlerësimin real, që nuk është e vështirë të bëhet duke i ndërthurur të dhënat dhe shifrat, fatkeqësisht të dyja nivelet janë të barabarta. 1.4 milion mbi dhe 1.4 milionë nën. Dhe vetë niveli zyrtar i varfërisë prej 13% është njësoj si të gjitha shifrat zyrtare, një spekulim, pasi e vërteta është se varfëria reale në zona të caktuara të Shqipërisë, prek dhe kalon 50%. Ndërkohë që në tërësinë e vet rrotullohet tek 30%. Kjo është e vërteta e shifrave, por shifrat thonë pak në krahasim me të vërtetën e jetës së përditshme të shqiptarëve. Ajo çka e bën programin tonë për “Një Rilindje Shqiptare”, një bazë për të ndërtuar një program të detajuar qeverisës jo vetëm me ambicien, por dhe me argumentet e ndryshimit rrënjësor të kësaj gjendje, është fakti se të gjitha pjesët e programit edhe pse ne i trajtojmë veç e veç në përpjekjen për t’i detajuar deri në fund, janë të integruara në një model të ri zhvillimi ekonomik, social, kulturor dhe padyshim edhe demokratik.

Është një model i ri zhvillimi, i cili e shënjestron varfërinë dhe synon t’i zgjidhë problemet sociale duke i adresuar në kompleksitetin e tyre dhe duke përcaktuar domosdoshmërinë për disa reforma radikale jo vetëm në politikat sociale, por në shëndetësi, arsim, ekonomi dhe padyshim duke parë tek papunësia plagën më të thellë dhe rrënjën që ushqen varfërinë dhe dëshpërimin social. Sot zyrtarisht ka një ndihmë ekonomike prej mesatarisht 4 mijë lekë në muaj, e cila është e pamjaftueshme, por përtej pamjaftueshmërisë së saj si shifër qëndron problemi dramatik i shpërdorimit të kësaj ndihme ekonomie për arsye të mirëfillta politike, i korrupsionit që e përshkon fund e krye të gjithë procesin e përcaktimit dhe të shpërndarjes së ndihmës ekonomike dhe madje i qëllimit aspak të fshehur për ta shfrytëzuar të gjithë atë pjesë të popullsisë që jeton me ndihmë ekonomike si aset elektoral, duke e mbajtur në varfëri për ta kushtëzuar me varfërinë. Janë të panumërta rastet e denoncimeve që ne kemi marrë sistematikisht qysh prej zgjedhjeve të shkuara të vitit 2009 dhe pas zgjedhjeve të majit të vitit të shkuar, për heqjen e ndihmës ekonomike të shumë njerëzve të varfër dhe familjeve me nevojë ekstreme, thjesht dhe vetëm prej provës apo dyshimit se kanë votuar kundër qeverisë. Nga ana tjetër sot sipas shifrës zyrtare një familje shqiptare me dy persona duhet të shpenzojë minimumi 35 mijë lekë në muaj për të jetuar. Ndërsa e vërteta është që dy pensionistë në qytet jo vetëm nuk marrin së bashku më shumë se 25 mijë lekë në muaj pa llogaritur ata të fshatit që marrin edhe më pak, por praktikisht e kanë të pamundur të mbijetojnë pas gjysmës së parë të muajit pa ndihmën direkte të fëmijëve apo të afërmve.

Rënia e dërgesave të emigrantëve, e cila tani më është një trend pa asnjë iluzion kthimi mbrapsht për shkak të krizës ekonomike greke dhe gjetkë, po e vështirëson ende dhe më shumë familjen shqiptare që vuan papunësinë dhe vuan varfërinë në radhë të parë. Ajo çka e bën të gjithë këtë tablo edhe më shqetësuese apo alarmante është se shënjestrimi i varfërisë si një sëmundje e madhe sociale në shoqërinë tonë, nga ana e politikëbërjes dhe e vendimmarrjes politike të qeverisë është tërësisht e gabuar. Kemi parë me shumë interes, por pa asnjë surprizë këtu, që 10 institucione shtetërore japin 10 burime të ndryshme informacioni, tërësisht kontradiktor mes vedi, për identifikimin dhe klasifikimin e të varfërve në këtë shoqëri. Ajo çka e bën informacionin zyrtar edhe më problematik nuk është thjeshtë paaftësia e institucioneve për të bërë detyrën e tyre, por është edhe mbivendosja e shifrave të fabrikuara qëllimisht për të deformuar realitetin faktik në Shqipëri.

Më tutje akoma, ne besojmë se jo vetëm kemi identifikuar si duhet shënjestrën tonë në lidhje me varfërinë dhe papunësinë si shkak kryesor i saj, por e përsëris, kemi konceptuar një program që e shikon problemin në të gjitha anët. Duke pasur gravitet të vetin domosdoshmërinë për të rivendosur drejtësi në sistemin e mbledhjes dhe shpërndarjes së pasurisë. Sot në Shqipëri kemi 5% të shqiptarëve që zotërojnë më shumë se 50% të pasurisë së përbashkët, ndërkohë që kemi 95% të shqiptarëve që paguajnë më shumë sesa këta 5% për shtetin dhe për shërbimet e përbashkëta. Kjo është e papranueshme! Ne do ta ndryshojmë këtë, si gravitet të gjithë politikës sonë ekonomike dhe sociale. Sigurisht, që shkresa zyrtare e Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale nuk bën asgjë tjetër veçse dëshmon se ne kemi ministër të punës dhe të çështjeve sociale, kemi rrogëtar të ministrisë së punës dhe çështjeve sociale, por nuk kemi asnjë institucion të punës dhe çështjeve sociale dhe as politika të punës dhe të çështjeve sociale. Atëherë është e thjeshtë të shpjegohet edhe në këtë rast që kemi një ministër sepse kemi një konjukturë politike e cila duhet mbajtur në këmbë duke disponuar në funksion të kësaj konjukture një ministri të tërë dhe kemi rrogëtarë sepse kjo konjukturë kërkon edhe shërbëtorë dhe shërbesat e veta për qëllime mirëfilli elektorale, duke hedhur në lum taksat që mblidhen në shumicën e tyre nga ata shqiptarë që fitojnë më pak dhe që kanë nevojë më shumë, veçanërisht për shërbime që lidhen me punën dhe me çështjet sociale. Që Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale të thotë që jo vetëm s’kemi një minimum jetik, po nuk kemi as detyrën që ta përcaktojmë këtë minimum jetik, sepse na mungon çdo ekspertizë lidhur me këtë minimum jetik, do të thotë që nga njëra anë dhe kjo nuk është as e re dhe as surprizuese, kryeministri ka 7 vjet që gënjen, pikërisht, për minimumin jetik, sepse ai ekziston vetëm në ato fjalimet në tryezën e qeverisë, por do thoja nga ana tjetër që të gjithë shqiptarët që janë shumë, që e kanë të domosdoshme përcaktimin nga ana e qeverisë të këtij minimumi jetik, të kuptojnë se me këtë qeveri jo vetëm minimum jetik nuk do të kenë, por nuk do të kenë asnjë shpresë që të dalin nga varfëria. Përkundrazi, varfëria është një parakusht për t’i kthyer në robër të një sistemi të bazuar tek kalërimi mbi varfërinë dhe jo mbi arritjet dhe meritat në funksion të nxjerrjes së njerëzve nga varfëria.

Ka një ndryshim themelor, ndër një sërë ndryshimesh mes atyre që i thonë vetes të djathtë dhe atyre që quhen të majtë. Në rast se për të djathtën ideologjikisht të qenit i varfër do të thotë automatikisht të qenit fatkeq ose i paaftë, për të majtën të qenit i varfër do të thotë përgjegjësi e qeverisë dhe e shoqërisë. Këtu dëshiroj të sjell për ju një shprehje shumë të thjeshtë të këtij dallimi, të bërë nga një nobelist i madh Joseph Stiglitz, një ekonomist mendjendritur, i cili thotë se “një i djathtë nga një i majtë dallon menjëherë nga mënyra sesi e shikojnë një njeri që lyp në rrugë. I djathti mendon se ai njeri po lyp sepse atë meriton. Ndërsa i majti mendon që përderisa ai njeri po lyp ka një problem me qeverinë. Ka një diçka që nuk shkon në anën e qeverisë.” E pra, nga ana tjetër pikërisht pse ekziston në frymëzimin e djathë dhe pikërisht pse është mënyrë e të qenit dhe e të qëndruari në pozicionin politik e atyre që këtu vetëquhen të djathtë se as të djathtë nuk janë, gjendja e varfërisë shikohet si një gjendje që lidhet me fatalitetin apo me paaftësinë e njerëzve të varfër dhe e gjithë politika me varfërinë ndërtohet mbi bazën e lëmoshës. Lëmoshë sepse ata njerëz nuk meritojnë më shumë. Ndërkohë, që për ne është e kundërta, duhet të ndodhë e kundërta dhe jemi të vendosur të bëjmë të kundërtën. Ne mendojmë që duhet t’i kthehemi punës, shoqëria shqiptare duhet t’i kthehet punës dhe në gjithë atë pjesë njerëzish që sot janë të përjashtuar nga pikëpamja sociale tërheqja përmes punës duhet të jetë mekanizimi bazë për t’i nxjerrë nga varfëria. Dhe kur them tërheqja përmes punës sigurisht nuk kam parasysh që 1 mln të papunë ne do t’i nxjerrim menjëherë nga gjendja e papunësisë. Por, kam parasysh që paralelisht me vendet e punës që ne do të hapim, do të ndërtojmë edhe politika sociale agresive kundër varfërisë, të cilat stimulojnë integrimin social të njerëzve që kanë nevojë për ndihmë ekonomike, por që janë në gjendje që të ofrojnë krahun e tyre të punës në funksion të punëve në komunitet.

Më tutje dua të prek edhe një aspekt tjetër. Ka një hendek i cili vit pas viti po shkon duke u zgjeruar midis ritmeve zyrtare që janë përsëri fiktive, por po i marrim ato si pikë referimi, të uljes së papunësisë me ato të uljes së varfërisë. 20 herë më të ulta, më të ngadalta janë ritmet e uljes së papunësisë në raport me ritmet uljes së varfërisë. Dhe ky është një element shumë domethënës dhe shumë përcaktues për të ndërtuar një politikë të re në drejtim të punësimit dhe në drejtim të luftës me varfërinë. Nga ana tjetër përveç varfërisë si gjendje sociale ka edhe një varfëri që derivon prej saj, që është varfërimi i aftësive, humbja e shprehive dhe e motivimit për të tentuar hyrjen në tregun e punës. E në këtë aspekt përsëri programi ynë e adreson problemin më gjerë sesa një kapitull për çështjet sociale. Dhe unë besoj që vlera themelore e dokumentit që ne po diskutojmë me të gjithë këto tryeza, dhe i cili do të përshkojë një rrugë në të gjithë Shqipërinë për t’u konsultuar me të gjithë ata që kanë diçka për të thënë, qëndron, pikërisht, tek fakti që problemi i sotëm i gjendjes së përgjithshme të Shqipërisë, të adresohet drejtpërdrejtë në themel për të transformuar modelin e zhvillimit, e zhvillimit ekonomik, e zhvillimit social, e zhvillimit urban, e zhvillimit kulturor, e zhvillimit demokratik në tërësi. Të mos e harrojmë se familjet me shumë fëmijë dhe ndër familjet e varfra këto janë shumë ka një frekuencë varfërie dy herë më të lartë. Dhe ndërkohë të mos harrojmë se kur flasim për varfërinë si të tërë ajo pjesë e saj që ka të bëjë me fëmijët e varfër, me varfërinë e fëmijëve është pjesa më dramatike dhe njëkohësisht është pjesa që duhet të jetë e para në fokus, pasi nëse prindërit janë të varfër dhe fëmija është i varfër, shteti nuk mund të mos gjendet aty pranë për të ndihmuar prindin në radhë të parë në funksion të fëmijës. Sepse po të marrim thjesht dhe vetëm një element, rritjen e përvitshme të analfabetizmit në Shqipëri, jo si pasojë e mungesës së vetëdijes së prindërve për nevojën e fëmijëve për shkollim, por si pasojë e varfërisë kjo është barrë ekskluzive e shtetit dhe është detyrim ekskluziv i politikbërjes dhe i qeverisjes që të mos vazhdojë duke u thelluar, por që të frenohet dhe të zmbrapset.

Nëse sot 1 në 4 fëmijë zyrtarisht, gjithmonë me rezervën e shifrave zyrtare, është i varfër dhe vetëm 30% e fëmijëve përfitojnë shërbime, ndërkohë që shërbimet plotësojnë vetëm gjysmën e nevojave të tyre, kurse vetëm 10% e këtyre fëmijëve marrim plotësisht shërbime, vizioni ynë për “Rilindjen Shqiptare” dhe çka ne kemi përcaktuar si detyrim tonin në programin për “Një Rilindje Shqiptare” është që në çdo komunitet ne të kemi një qendër për fëmijët. Sikur gjithçka tjetër të bëhet më pak, një gjë duhet bërë plotësisht; të dyfishohen investimet për shërbimet për fëmijët; të mos ketë asnjë fëmijë në Shqipëri që të mos shkojë në shkollë, sepse prindërit nuk i blejnë dot librat dhe materialet shkollore.

Së fundi, dua të prek edhe dy elementë të tjerë që besoj janë themelorë për këtë kapitull, por besoj që janë elementë të patjetërsueshëm për t’i dhënë të gjithë agresivitetin e nevojshëm politikave të reja sociale në funksion të ripërtëritjes së shoqërisë. Nga njëra anë personat me aftësi të kufizuar dhe nga ana tjetër strehimi. Përsa i përket personave me aftësi të kufizuar janë aktualisht me shifrat zyrtare 115 mijë, 4% e popullsisë e pak më shumë. Ndërkohë që, kujdestaria e miratuar me ligj zyrtarisht quhet e realizuar në ¼ e saj, por “de fakto” edhe këtu kemi një numër të konsiderueshëm kujdestarësh që paguhen nga taksat e qytetarëve, në bazë të ligjit dhe që janë përcaktuar si kujdestarë për arsyet e mosarsyes së politikës dhe në funksion të të njëjtave konjuktura që kanë prodhuar në vend të një ministrie të punës dhe të çështjeve sociale dhe të një ekspertize për punën e çështjeve sociale, një detashment të tërë politik me në krye një ministër i cili quhet i tillë, por që lidhje në botë me punën e me çështjet sociale ai nuk ka. Ashtu siç nuk kanë lidhje në botë me punën dhe me çështjet sociale rrogëtarët që ai ka emëruar pasi ka ç’emëruar njerëz me formim akademik, njerëz me eksperiencë në këtë fushë dhe të tjerë nënpunës civilë, të cilët enden sot rrugëve të papunësisë.

Ne kemi marrë disa angazhime edhe për personat me aftësi të kufizuar dhe do t’i detajojmë këto angazhime në rrugën e programit duke bashkëpunuar ngushtë me përfaqësitë e tyre dhe duke dëgjuar nga afër jo vetëm historitë e tyre që janë shumë të rëndësishme për t’i dhënë programit jo thjesht një përmbajtje teknike, por edhe atë shpirt pa të cilin një program nuk mund të bëhet kurrë një instrument për t’i çuar gjërat përpara. Ndërkohë që nga ana tjetër me shifrat zyrtare përsëri që lidhen me strehimin dhe me politikat e strehimit kemi 20 vjet që dështojmë dhe riciklojmë dështimin. Pa as më të voglin dyshim edhe pse mundësitë e shtetit shqiptar në këto 20 vjet mund të kenë qenë të kufizuara për të përmbysur raportin e shifrave të sotme të njerëzve që e kanë dhe atyre që nuk e kanë një strehim, dhe këtu flasim për familje të varfra dhe përgjithësisht për familje të reja të varfra, pa asnjë dyshim një politikë e re strehimi mund t’i çojë gjërat përpara me një shpejtësi të arsyeshme. Duke përfunduar dua ta falenderoj këtë grup pune dhe t’i falenderoj gjithë të pranishmit dhe të ritheksoj edhe njëherë tjetër që procesi i programit për ne është po aq i rëndësishëm sa vetë programi. Synimi nuk është thjesht të shkruajmë në letër një program angazhimesh me një numër të kufizuar ekspertësh, por synimi është që të përfshijmë sa më shumë njerëz në shkrimin e këtij programi dhe t’i bëjmë sa më shumë shqiptarët të ndjehen bashkautorë dhe bashkëpronarë të këtij programi. Duke i dhënë mundësi që të na zgjedhin për të realizuar atë çka ne do të detajojmë bashkërisht në rrugën e programit. Prandaj është shumë e rëndësishme që këto tryeza të vazhdojnë punën në çdo qark dhe në çdo rreth e në çdo komunitet të vendit. Të detajojnë gjithë kapitujt e programit ashtu siç asnjëherë një parti politike në Shqipëri nuk i ka detajuar për të shkuar përpara qytetarëve dhe për të dhënë një nga një të gjitha arsyet pse kërkon votën e tyre dhe të gjithë argumentet sesi me votën e tyre do ta ndryshojë realitetin ku ata jetojnë dhe do të ndryshojë edhe gjendjen e përgjithshme të shoqërisë mbi bazën e thjeshtë të të pasurit të një qeverie dhe të një qeverisje që si fillim të japi shembullin e vet dhe pastaj të kërkojë që të tjerët të japin shembullin e tyre.

KOMENTE