English

Statistikat Zyrtare. Fshehja e tyre është kriminale

Fjala e deputeti të Ditmir Bushati në emër të opozitës gjatë diskutimit për projektligjin për statistikat :


Projektligji për ndryshimin e varësisë së INSTAT është ndër ato projekte tipike ku gërshetohet dëshira për të konsoliduar më tej status quo e frikshme me manipulimin e të dhënave, shkelja e ligjit ekzistues dhe adresimi në mënyrë regresive, së bashku me legalizimin e mendësisë euro sklerotike të kryeministrit.

Ndryshimi i varësisë nga Këshilli i Ministrave tek kryeministri pavarësisht se në thelb janë e njëjta gjë, përbën një tjeter hap pas në procesin e ndërtimit të institucioneve solide në rrugën e integrimit europian.

BE kërkon garantimin e pavarësisë në funksionimin e INSTAT, ndërsa ju sot sanksiononi kontrollin kryeministror mbi të, duke e bërë INSTAT gjithnjë e më të ngjashëm me RTSH dhe shërbimin diplomatik, si celula propagandistike të gënjeshtrave të pushtetit dhe jo institucione të Republikës ku ofrohen shërbime e të mira publikë!

BE e thotë në mënyrë të troctë në PR 2011 se ”kuadri ligjor që rregullon punësimin dhe shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm nuk garanton pavarësinë profesionale të INSTAT”, ndërsa ju sfidoni standardin europian dhe angazhimet që kemi marrë përsipër në MSA, duke i vënë përballë Sali Berishën!

BE thotë në PR 2011 se ”kuadri ligjor që lidhet me rolin e INSTAT-it si koordinues i sistemit kombëtar të statistikave është i pamjaftueshëm”, ndërsa ju thoni se kjo gjë nuk ka nevojë të adresohet me ligj, pasi kemi garant Sali Berishën!

BE thotë gjithashtu në PR 2011 se ”ligji nuk siguron përfaqësim të gjerë të të gjithë ofruesve dhe përdoruesve të statistikave zyrtare në këshillin statistikor”, kurse ju thoni këtë punë e di vec Sali Berisha! Cila është përbërja e këshillit statistikor dhe ku janë raportet e tij? Ju prapë thoni këtë punë e di Sali Berisha!

Pra, po i ofroni qytetarëve një model të arkivuar me shembjen e perandorive komuniste, sipas të cilit, të gjitha pushtetet burojnë nga udhëheqësi i pagabueshëm.
Në patologjinë politike të kryeministrit të diagnostikuar gjatë këtyre 22 viteve sinpotima më e spikatur është grumbullimi i pushteteve. Është pikërisht instalimi i këtij model të papranueshëm që na mban larg Europës, i cili nuk mund të fshihet duke ngritur mjegullën e fajësimit të opozitës. Ky është një model që bie ndesh katërcipërisht me thelbin e Evropës dhe sistemeve demokratike.

Strategjia e fshehjes së statistikave zyrtare ka 4 vjet që ka filluar dhe kjo është kriminale jo vetëm për ekonomë e vendit por edhe për shëndetin e demokracisë. Ish ministri i financeve të Italisë Gulio Tremonti, duke marrë shkas nga kriza që po kalojnë disa prej vendeve anëtare të BE, nuk ka nguruar ta konsiderojë fshehjën, manipulimin dhe deformimin e të dhënave si fashizëm të bardhë.

Neni 6 i ligjit ekzistues parasheh se ”Kuvendi miraton programin e statistikave zyrtare, i cili mbulon periudhën e pese viteve kalendarike. Programi botohet ne Fletoren Zyrtare”. Programi 5 vjeçar për periudhën 2007 – 2011 është miratuar në janar 2008, por në kundërshtim me ligjin është botuar vetëm vendimi i Kuvendit, por jo programi. Sot, INSTAT punon pa program 5 –vjecar të miratuar. Dhe kjo duhet përbëjë shqetësim për të gjithë ato nuk dëshirojnë një fashizëm të bardhë në Shqipëri.

BE thotë se statistikat zyrtare vazhdojnë të jenë të vonuara, jo koherente e rrjedhimisht të pabesueshme.

Kjo ndodh pasi INSTAT dhunon haptazi parimet që duhet të plotësojnë statistikat zyrtare që të vlerësohen cilësore:

- “afatet”, i referohen periudhës ndërmjet disponueshmërisë së informatave dhe ngjarjes apo fenomenit që përshkruhet;
- “përpikëria”, e cila i referohet vonesës ndërmjet datës së lëshimit të të dhënave dhe datës së planifikuar (data kur duhet të dorëzohen të dhënat).

Për ne është shqetësues fakti se po vonohet publikimi analizës së tregut të punës. Të dhënat e punësimit në fshat i referohen anketës së tregut të punës 2009. Po kështu, të dhënat e varfërisë janë të deformuara duke mos paqyruar realitetin drithërues. Janë kryer para krizës së cmimeve të lëndëve të para dhe ushqimore, para vendosjes së taksës së sheshtë dhe para fillimit të rënies së dërgesave të emigrantëve.

Skandaloze është loja ogurzezë e kryeministrit dhe INSTAT lidhur me të dhënat për PBB-në, ku kemi rrëshqitje drejt interpretimit të ëndrrave të kryeministrit për Shqipërinë si ekonomia e dytë në Europë pas Gjermanisë.

Qesharake paraqitet procesi i regjistrimit të ndërmarrjeve, ku pretendohet zhvillim ekonomik sepse është rritur numri i ndërmarrjeve të reja. Por nëse këto gjetje kryqëzohen me të dhënat e vetë INSTAT për punësimin rezulton se:

- ndërmarrjet private shqiptare kanë mesatarisht 2,4 të punësuar.
- në periudhën 2006 – 2010 janë krijuar 60 mijë ndërmarrje të reja, por punësimi është rritur me vetëm 30 mijë vetë.
- Ndërmarrjet hotele, restorante në vitin 2010 kanë 0,83 vetë të punësuar.

Përparimi i Shqipërisë drejt BE varet pikërisht nga përmbushja e detyrimeve të sipërpërmendura, dhe jo nga retorika e helmtaisur e kryeministrit që e trajton Shqipërine si një klon kufitar, kapërcimi i të cilit shoqërohet me ndëshkim.

Këto janë detyra shtëpie për qeverinë jo për opozitën. Shpreh mirënjohen e opozitës shqiptare për Komisionerin e Zgjerimit Stefan Fule dhe përfaqësuesin e Presidencës Daneze që me shumë kthjelltësi e dashamirësi na rikujtuan para dy ditësh rregullat e qarta dhe detyrat e papërmbushura.

Ne do të vijojmë të këmbëngulim për zbatimin e cdo angazhimi të ndërmarra në procesin e integrimit europian, duke u bërë zëdhënës të vlerave europiane, por harrojeni se do të përfshihemi në rrjetën e baltës që dëshpërimisht thur Sali Berisha. Mjegulla e fajësimit të opozitës nuk ka penguar Bashkimin Europian që në mënyrë të kthjellët të shohë e të deklarojë si qëndrojnë gjërat në të vërtetë. Rasti i INSTAT është ndër më elokuentët.

Sot, keni një mundësi për ta kundër votuar këtë nismë, për t’i hapur rrugën ndërtimit të një modeli të ri statistikor europian që do të garantonte seriozitetin dhe pavarësinë e Institutit të Statistikave, duke e vënë drejtimin e tij nën kontrollin e Kuvendit të Shqipërisë, e duke përcaktuar mandate, përbërje dhe kritere të precize të qëndrimit në detyrë të Këshillit të Statistikave dhe Drejtorit të Përgjithshëm të INSTAT, ashtu sic e kërkon angazhimi ynë në MSA dhe PR 2011.

Programi jonë për Një Rilindje Shqiptare na përkushton për të c’rrënjosur modelin aktual, pasi e konsiderojmë statistikën një të mirë publike që i duhet të gjithëve e jo vetëm qeverisë. Statisktika që trajtohen nga një zyrë publike që funksionon në mënyrë transparente e që jep llogari para ligjit e jo kryeministrit. Zyrë publike që trajton informacion statistikor neutral. Si e tillë, duhet të gëzojnë besimin e përdoruesve dhe jo vec bekimin e kryeministrit.

Ne e kemi bërë zgjedhjen tonë: Statusi i vendit kandidat dhe celja e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në BE është interes kombëtar që s’mund të tradhtohet për asnjë interes tjetër personal, sepse besojmë se integrimi s’është vetëm miratim ligjesh po edhe zbatim ligjesh, s’është përbetim me fjalë, por tregues me vepra. Për më tepër, është shtet i së drejtës, drejtësi e barabartë për të gjithë, luftë reale me korrupsionin e c’montim të pandëshkueshmërisë që është kthyer në sistem vlerash, shoqëri e lirë dhe operatorë që konkurrojnë në një mjedis transparent e meritokrat.

Kjo është e vetmja rrugë për të nxjerrë vendin nga prapambetja dhe ky është vizioni ynë për shtet-ndërtimin.

KOMENTE