Sot është përkujtuar Kuvendi i Lezhës dhe krerë të lartë të politikës u mblodhën në Lezhë për të përkujtuar këtë ngjarje të madhe për kombin shqiptar.
Por midis krerëve të lartë u vu re mungesa e Presidentit Bamir Topi.
Ai dhe pse kishte marrë ftesën nga bashkia Lezhë në përkujtimin e 568-vjetorit të Kuvendit të Lezhës por i është mohuar e drejta e fjalës dhe e përshëndetjes në këtë ceremoni bën të ditur drejtoria e Informimit Publik e Institucionit të Presidentit.
Në deklaratën e presidencës thuhej:
“Duke e konsideruar këtë akt përjashtues, si sjellje të padenjë zyrtare, si shkelje flagrante e normave të Protokollit të Shtetit, si mungesë respekti për institucionet e shtetit, për qytetarët e Lezhës si dhe për ngjarjen historike të cilën përkujtojmë sot, Presidenti nuk mund të bëhej pjesë formale e prezencës në këtë ceremon.
Në këto rrethana, Presidenti e gjykon të nevojshme që në përvjetorin e 568-të të Kuvendit të Lezhës dhe të nisjes së festimeve zyrtare për 100-vjetorin e shtetit shqiptar, të komunikojë me qytetarët e Lezhës dhe të gjithë Shqipërisë me mesazhin, të cilin në rrethana normale të një vendi demokratik, do të duhej të lexohej në ceremoninë solemne në Lezhë"
Por Presidenti Bamir Topi ka përshëndetur nga presidenca ku në fjalimin e tij thuhej:
“Në historinë e një kombi, ashtu si në jetën e një njeriu, ka data e vende, të cilat me simbolikën dhe rëndësinë e tyre mbeten të pazëvendësueshme, kujtohen me respektin më të madh dhe frymëzojnë në rrugën drejt të ardhmes. Shteti shqiptar ka heroin e tij kombëtar, Gjergj Kastriotin Skënderbeun; shteti shqiptar ka edhe simbolin e tij – flamurin kuq e zi; shteti shqiptar ka edhe simbolikën frymëzuese të tij – Kuvendin e madh të Lezhës, njërën prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.
Duke nderuar sot Kuvendin e Lezhës, madhështinë dhe aktet historike të prijësave shqiptarë, Skënderbeun dhe veprën e tij të pavdekshme, kemi detyrimin që sot në Lezhën e bekuar nga Zoti, të shohim së bashku nga e ardhmja, për një bashkim energjish dhe forcash në interes të qytetarëve dhe të vendit. Asnjë më shumë nuk mund të na frymëzojë sa simbolika e Besëlidhjës së Lezhës që politika dhe institucionet e saj vendimmarrëse, - ta përdorin mandatin e tyre me modesti dhe fisnikëri, me përulje dhe përgjegjshmëri; - si një detyrim moral, politik, institucional dhe atdhetar para qytetarëve, vendit dhe interesave madhore të tij” përfundon Presidenti Topi.