Fjala në Kuvend e kreut të grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi:
Grupi Parlamentar opozitar, siç u theksua dhe nga shumë kolegë që morën fjalën dhe veçanërisht nga zoti Xhafa që përfaqësoi mendimin e grupit parlamentar, nënvizuam se ne si opozitë së bashku me ju kemi bërë një marrëveshje me tre vendime.
Vendimi i parë që brenda marsit të përfundojnë ligjet me shumicë të cilësuar.
Vendimin e dytë, që deri në 15 mars të përfundoj reforma parlamentare.
Dhe vendimi i tretë, që në fillim të marsit të përfundonim reformën zgjedhore.
Për dy të fundit, pra për reformën parlamentare dhe për reformën zgjedhore, ende deri në këto momente nuk ka asnjë rezultat konkret, as në horizont, e aq më pak në tryezën e parlamentarëve dhe në axhendën e parlamentit për muajin mars. Kurse për të parën, opozita dha kontributin e saj si për kodin rrugor, edhe për atë hekurudhor edhe për atë detar, për atë ajror, civil dhe prej 20 ditësh edhe për kodin penal. Ky kontribut ishte substancial, jo formal. Ishte tepër profesional dhe jo arkaik. Ishte një proces serioz, me mjaftë ekspertë të fushës dhe mendoj se ndryshimet e paraqitur dhe diskutuara dhe sot, janë të vyera dhe do ti shërbejnë si përafrimit nga pikëpamja konkretisht Kodit Penal me rekomandimet e bëra nga BE, ashtu edhe për përmirësimin cilësor në luftë kundër krimit dhe kriminalitetit.
Sigurisht sot debati duhet të ishte një gjë tjetër dhe jo thjesht miratimi apo mos miratimi i një neni thjeshtë për ata që falsifikojnë të dhënat zyrtare. E megjithatë mazhoranca duke mos dhënë dakortësinë e saj dhe jo vetëm, por nuk ka bërë as përpjekjen më të vogël për të negociuar me opozitën për të gjetur një zgjidhje të përbashkët. Pra u provua katërçipërisht se juve ju mungon vullneti për të dënuar falsifikatorët e statistikave se doni të mbuloni të vërtetën.
Ju mungon vullneti politik se ju duhet përsëri falsifikimi për të fshehur gropën ku është zhytur ekonomia shqiptare.
Ju duhet falsifikimi i statistikave se doni ende të fshihni plagët sociale si për të papunët, për fëmijët që shfrytëzohen, për pensionistët dhe shtresat në nevojë, për 5% të popullatës që ka gjysmën e ekonominë së Shqipërisë etj.
Në fund, e doni për të fshehur borxhin galopant që po zhytet përditë e më shumë Shqipëria.
Po natyrshëm, grupi parlamentar socialist duke e vlerësuar problemin politik shtroj pyetjen: Në qoftë se nuk e miratojmë këtë nen në seancë çfarë humbet Shqipëria? Sigurisht që nuk humbet asgjë. Pse nuk humbet asgjë? Për dy arsye; atë që kishte për të humbur tani e ka humbur, dëmi që kishte për të bërë tani e ka bërë. Qeveria në ikje më së fundi e la Shqipërinë dhe papunë.
Qeveria në ikje, me statistikat e falsifikuara, e la Shqipërinë në borxh.
Qeveria në ikje me statistika të falsifikuara e la Shqipërinë me mjaft plagë sociale.
Qeveria në ikje e la përfundimisht Shqipërinë në një gropë të zezë. Prandaj dëmin që kishit për të bërë e bëtë, s’ humbet asgjë.
Së dyti, ajo që duhet të kishte mbajtur debat sot në parlament do të ishte: Shqipëria nuk vuan nga mungesa e ligjeve, Shqipëria nuk vuan nga mungesa e kodeve, qoftë edhe e Kodit Penal. Shqipëria vuan nga fenomeni i pandëshkueshmërisë së qeveritarëve dhe të pushtetarëve. E pra, Grupi parlamentar shtroi pyetjen; kur këta qeveritarë dhe këta shtetarë nuk dënohen edhe kur abuzojnë me 250 milion euro, kur këta shtetarë dhe qeveritar nuk ndëshkohen edhe kur vrasin katër veta në mes të bulevardit, si do ndëshkohen për falsifikimin e të dhënave zyrtare? Pra, është problemi i pandëshkueshmërisë. Ja pse grupi parlamentar me përgjegjësinë më të madhe politike, me seriozitetin më të madh për atë që kemi thënë se ne marrëveshjet nuk i kemi me ju i kemi me shqiptarët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, kot nxituat që nga prijësi juaj deri tek folësit sot. Ta harroni alibinë për të faturuar se opozita është kundra reformave dhe kundër integrimit. Ta harroni alibinë se opozita është pengues për reformën parlamentar, që ju s’ doni ta bëni. Ta harroni alibinë se reformën zgjedhore nuk do ta bëjmë. E më së fundi, ta harroni alibinë se tetë rekomandimet e tjera të kërkuara nga BE, deri më sot nuk keni bërë asnjë hap dhe siç duket nuk keni për të bërë asnjë hap, për këtë faturën doni tja lini opozitës.
Asnjëherë nuk është vonë për të reflektuar. Ne jemi këtu dhe presim reflektimin tuaj, ashtu sikurse e presin gjithë partnerët ndërkombëtarë dhe Brukseli e Parlamenti Europian.