Këshilli Bashkiak i ka dhënë në mbledhjen e djeshme miratimin 5 projekteve të propozuara nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha. Në vazhdim të angazhimit të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, për marrjen e përgjegjësive përpara qytetarëve të Tiranës, për të përmirësuar cilësinë e jetës së tyre ishte edhe propozimi “Për marrjen në pronësi nga Bashkia e Tiranës, të aksioneve të saj të Ujësjellës - Kanalizimeve sh.a, Tiranë”. Ky premtim i bërë nga zoti Basha gjatë fushatës elektorale mori vetëm mbështetjen e anëtarëve të mazhorancës në Këshillin Bashkiak të Tiranës:
“Marrja në pronësi nga Bashkisë të Tiranës, të aksioneve të Ujësjellës-Kanalizimeve, ka të bëjë para se gjithash, me marrjen e përgjegjësisë para qytetarëve të Tiranës, për një aspekt shumë të rëndësishëm të funksionimit të çdo njësie vendore, atë të furnizimit me ujë të pijshëm të qytetarëve të saj dhe të ofrimit të shërbimeve të kanalizimeve, proces i cili ka nisur prej kohësh, por që për fat të keq si shumë projekte të tjera të rëndësishme mbeti peng i “llogorizimit” dhe i konfliktit politik dhe që shpresoj se sot, me një konfirmim i cili duhet të burojë nga interesat e qytetarëve, të lihet mbrapa dhe të përfundojë edhe për Tiranën, ky proces i rëndësishëm, duke na dhënë ne jo vetëm mundësinë por edhe përgjegjësinë e madhe të përmirësimit të shërbimit të ujësjellës-kanalizimeve ndaj qytetarëve të Tiranës dhe zhvillimit të mëtejshëm të këtij rrjeti shumë të rëndësishëm, në raport me projeksionet e rritjes dhe zhvillimit të qytetit tonë, të popullsisë dhe natyrisht të Planit të ri Urbanistik”
Këshilli Bashkiak miratoi edhe projekt-vendimin “Për shpërndarjen në programe dhe zëra buxhetorë të fondit të papërdorur të vitit 2011”, prej rreth 357 milionë lekësh, i cili në bazë të ligjit “Për Menaxhimin e Sistemit Buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, trashëgohet në vitin pasardhës. Ky fond është sigurur gjatë 5 muajve të fundit të vitit, falë performancës së mirë fiskale dhe shkurtimit të shpenzimeve. Pjesa më e madhe e këtij fondi, rreth 300 milionë lekë është siguruar në muajin dhjetor dhe konkretisht nga data 7 dhjetor, kur mbyllen veprimet me thesarin dhe deri në datën 31 dhjetor. Fondi i trashëguar nga viti 2011 do të alokohet 56% për investime dhe 37% për shpenzime korrente, në programet kryesore të zhvillimit të qytetit, ndërsa 7% e këtij fondi do të jetë transfertë për Njësitë Bashkiake:
“Çështja e buxhetit të të ardhurave shtesë nuk është çështje financash të gjetura papritur dhe të paharxhuara nga administrata e mëparshme. Është e rëndësishme të kuptoni që Kryetari i Bashkisë ju ka ardhur këtu me një informacion të vërtetë dhe që qëndron kur ju ka thënë se “arka ka qenë bosh”, performanca fiskale në verë ka qenë e ulët, ndaj nuk duhet t’i rikthehemi të kaluarës me çdo rast, për të parë se si mund të korrigjojmë diçka që nuk korrigjohet. Edhe sot që ju flas dhe ju duhet të jeni në dijeni të kësaj, sepse nuk është thjesht problem i Lulzim Bashës, është problem I këtij këshilli, është problem i qytetit., ne kemi një borxh prej të paktën 12 milionë dollarësh në shpronësime të papaguara dhe 8 milionë euro të tjera në gjyqe të humbura dhe fatura të palikujduara të përmbarimit, pra kemi një faturë financiare e cila duhet përballuar dhe nuk jemi në një gjendje që të mund të themi që “papritur po shpojmë puse dhe po gjejmë para”. Këto para që ju vijnë ju, në masën më të madhe janë para të mbledhjeve të dhjetorit dhe mirëmenaxhimit të të ardhurave nga Bashkia, mirëmenaxhim i cili nuk ka ardhur pa sforco, madje ka ardhur duke na detyruar të marrim vendime jo pak të dhimbshme, nëse paratë do të shkonin në një drejtim apo në një tjetër dhe në këto zgjedhje, ne i jemi përmbajtur parimit tonë “më shumë para për investime dhe shërbime ndaj qytetarëve dhe më pak para për shpenzime operative”, natyrisht duke filluar të avancojmë sadopak edhe me larjen e borxheve të konsiderueshme që ky qytet, kjo bashki ka ndaj palëve të treta, shumica prej të cilëve qytetarë të Tiranës.
Volumi kryesor i parave të rishpërndara shkon në dy vepra kryesore, shpronësimet për pjesën nga bulevardi “Bajram Curri” tek rruga “Ali Demi”, apo ajo që njihet si pjesa që vazhdon përtej “Brrylit”, pra Unaza përtej “Brrylit”, për t’u lidhur me rrugën “Ali Demi” është një vepër e nisur në 2003, e stopuar në 2004 nga Ministria e Transportit atëherë dhe ne sot nuk po bëjmë asgjë më shumë e asgjë më pak, por po marrim përgjegjësitë për qytetin tonë, s’mund të rrimë duke hapur sytë sa andej këtej, kemi nxjerrë fondin tonë të shpronësimeve, kemi siguruar me mjetet tona vazhdimin e projektit dhe me këtë shumë parash, jo vetëm të shpronësojmë ato familje - pronare të cilat e kanë kërkuar këtë prej shumë kohësh, por hapim rrugën për të përfunduar këtë projekt i cili do të lehtësojë shumë gjendjen e trafikut dhe aksesin në veçanti të minibashkisë numër 1 në qendër dhe këtu ndalem tek pika e dytë që ngritët, ajo e diskriminimit. Nuk ka dhe nuk do të ketë diskriminim mbi baza politike të minibashkive, sepse kjo qëndron mbinjë racionale do të thoja, dy dimensionale, sepse asnjë minibashki nuk ka vetëm socialist dhe asnjë minibashki nuk ka vetëm demokratë dhe të jeni të sigurtë se unë nuk I ndërtoj parimet e punës apo punën time, mbi parime mllefi mbi një kryetar, në bazë të siglës së partisë që e paska mbështetur para një viti apo 8 muajsh në zgjedhjet lokale, por e ndërtoj mbi bazat e nevojave të qytetit dhe këtë besoj se e kanë parë të qartë edhe kryetarët, pavarësisht nëse janë të PS, LSI apo PD, gjatë procesit të konsultimit të buxhetit me ta, proces i cili ka qenë transparent dhe gjithpërfshirës dhe edhe në këtë vendimarrje ka transparencë, racionalitet, ka gjithpërfshirje.”
Në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak u miratua me votat e të gjithë anëtarëve të pranishëm të Këshillit, propozimi i Kryetarit të Bashkisë për zmadhimin e kapitalit të Klubit të Futbollit “Tirana sh.a”. Ky vendim parashikon dhënien e një shume prej 80 milionë lekësh Klubit të Tiranës, i cili do të përdoret për nevojat e klubit, si për përmirësimin e infrastrukturës, ndërtimin e Akademisë, përmirësimin e kushteve të stërvitjes, rinovimin e bazës materiale e nevoja të tjera të adresuara nga drejtuesit e Klubit të Futbollit të “Tiranës”.
Të gjithë anëtarët e Këshillit Bashkiak dhanë miratimin e tyre edhe për propozimin: ”Për krijimin e Qendrës Sociale ”Shtëpia e Përbashkët”. Kjo Qendër ndodhet në territorin e Njësisë Bashkiake numër 11, në Laprakë. Në këtë Qendër do u ofrohen shërbime të ndryshme kategorive në nevojë, si informim, këshillim, asistencë ligjore, etj. Po kështu unanimisht u miratua edhe propozimi i Kryetarit të Bashkisë Lulzim Basha, për vendosjen