Takimi i zhvilluar në kinema Milleniun të qytetit të Elbasanit u karakterizua nga një entuziazëm, të cilin vetëm të rinjtë mund ta ofrojnë. Duke ju drejtuar të rinjve të sapo anëtarësuar në FRESSH, Rama ju bëri thirrje që të bëhen pjesë e politikës për ta ndryshuar atë. Të bëhen pjesë e politikës që të ndihmojnë prindërit e tyre në betejën me papunësinë, varfërinë, çmimet e larta dhe korrupsionin marramendës. “Prindërit tuaj janë në një betejë me papunësinë, me varfërinë, me çmimet e larta, me korrupsionin marramendës që i pengon ata të bëjnë për familjen dhe ju atë që do dëshironin dhe që ju meritoni. Jo sepse ata janë të paaftë, po sepse është politika kështu siç është, që nuk i lejon ata të bëjnë për ju atë që ju takon dhe prandaj ju duhet të luftoni edhe për ta që politika të ndryshojë dhe që asnjë prind të mos ndjehet më kokulur përpara fëmijës, nga pamundësia për të shtruar tryezën dhe për ti plotësuar fëmijës të gjitha ato që i duhen. Dhe nga ankthi i tmerrshëm se kur kapërcen pesëmeditëshi i pari i muajit fillojnë të shterojnë të ardhurat dhe fundi i muajit ngjan si një horizont i mezi arritshëm.”
Edi Rama ndodhej në këtë takim për të shpërndarë kartat e anëtarësisë për 600 të rinj e të rejat që ju bashkuan FRESSH- it. Kryesocialisti u bëri thirrje të rinjve të bëhen pjesë e Partisë Socialiste dhe kjo jo sepse do të luftojnë për një njeri apo grup njerëzish, por për një program i cili do të vendos frymën e së drejtës. E ky është programi i PS “ Për një Rilindje Shqiptare”. “Bëhuni përfaqësues të vizionit tonë të përbashkët “ Për një Rilindje Shqiptare”. Bëhuni përfaqësues të ideve tona të ndryshme rrënjësisht, nga ato të atyre që qeverisin sot si s’ ka më keq Shqipërinë. Bëhuni përfaqësues të rrugës sonë që padyshim falë jush, sot është bërë më e besueshme edhe për shumë të tjerë si ju. Ju jeni secili një forcë e ndryshimit dhe bëheni veten tuaj forcën për ndryshimin që ju meritoni sepse nuk ka asnjë dyshim që do ta mbërrini ndryshimin vetëm duke e bërë të ndodh me forcën tuaj, të vendosur dhe të bashkuar me tonën dhe me të gjithkujt që mendon se meriton një vend më të mirë se ky ku sot jetojmë”.
Gjithashtu Rama theksoi se të merresh me politikë jo domosdoshmërish do të thotë të bëhesh politikan. Të marrit me politikë do të thotë të jesh më shumë sesa një njeri i mirë, do të thotë të jesh një qytetarë i mirë. Politika është një garë, konkurrencë por pse jo dhe një mundësi e mirë karriere, u shpreh kryesocialisti. “Sepse të merresh me politikë do të thotë të jesh më shumë sesa një njeri i mirë, më shumë sesa një njeri që është i rregullt me ligjin, më shumë sesa një njeri që shkon në punë dhe nëpërmjet punës së ndershme arrin të ushqejë veten apo familjen e tij. Të merresh me politikë do të thotë të jesh edhe një qytetarë i mirë dhe kjo sigurisht nënkupton që të jesh i shqetësuar në vet të parë edhe për plehrat poshtë shtëpisë. Edhe për rrugën që të çon në shkollë. E për atë që në shkollë nuk përmbush kërkesat e tua apo të bashkëmoshatarëve rreth teje. Edhe për si të presin kur troket në dyert e shtetit apo çfarë është përgatitur për të ardhmen tënde nga shteti, në kuptimin e barazisë së shanseve dhe të vlerësimit të meritës.
Ju hytë në Partinë Socialiste dhe nuk ka dyshim që politika është edhe garë mbi të gjitha. Është konkurrencë e fortë, është edhe seleksionim i pamëshirshëm. Kush thyhet nuk çan dot përpara në rrugën për ta bërë politikën mënyrë të jetuari dhe mënyrë të qëndruari ndaj problemeve që vetëm politika mund ti zgjidh sepse të vetëm njerëzit nuk i zgjidhin dot. Por edhe mundësi karriere për të realizuar një ambicie legjitime. Dera jonë tanimë është e hapur për të gjithë ju dhe shkolla e politikës është vetë jeta me politikën dhe kur bëhet fjalë për të qenit brenda një familje të madhe politike, si Partia Socialiste, është padyshim edhe gjithçka ndodh brenda kësaj familje. Por sot në këtë parti ka një vend për secilin nga ju dhe pa asnjë dyshim ka një vend për këdo që ju, si anëtarët më të rinj të PS, do të bindni dhe do të merrni me vete për të shumëfishuar praninë e gjeneratës suaj, energjitë tuaja dhe për të shumëfishuar zërat që në emrin tuaj do të flasin sot dhe nesër, kur ne të realizojmë së bashku programin e ri të Partisë Socialiste."
Ndërkohë që Sekretari për Rininë në Partinë Socialiste, Erjon Veliaj, u shpreh se të gjithë të rinjtë kanë artin e tyre. E ky art është pikërisht mënyra sesi ata luftojnë për një të ardhme më të mirë, mënyra sesi përkrahin këtë familje të madhe politike dhe solidare, siç është Partia Socialiste. “Secili prej ju gjashtëqind vetëve sot është një artist, sepse nuk ka nevojë që ju të dinin fjalime të bukura, nuk ka nevojë që të vini përpara një podiumi të tillë. Mënyra sesi silleni me njëri tjetrin është arti juaj. Mënyra sesi i i tregoni atyre që PS është një familje e madhe solidare është arti juaj. Mënyra sesi ju flisni për këtë program “ Për një Rilindje Shqiptare” është arti juaj. Mënyra sesi e thoni që duam një Shqipëri për 95% të popullsisë dhe jo vetëm për 5% të popullsisë, ky është arti juaj. Mënyra sesi ju thoni që ne i përkasim partisë që nuk lejoi shitjen e territorit, ky është arti juaj. Mënyra sesi buzëqeshim, sesi i rrahim shpatullat, mënyra sesi dëgjon ata që kanë nevojë, është mënyra sesi dëgjon, sesi hap sytë dhe veshët, sesi i rreh shpatullat Partia Socialiste e Shqipërisë.”
Të pranishëm në këtë takim ishin deputetët Ben Blushi, Valentina Leskaj, Shega Ligori, kryebashkiaku i Elbasanit, Qazim Sejdini dhe organizatorë të FRESSH-it. Si në çdo takim tjetër dhe këtu, Edi Rama ka shpërndarë karta e anëtarësisë për të rinjtë që ju bashkuan kësaj familje të madhe politike, Partisë Socialiste.