Vetëm brenda qytetit në Vlorë janë 75 antena interneti apo të telefonisë celulare të vendosura mbi pallate dhe në zona të tjera të banuara. Ato përbejnë një rrezik konstant për shkak të rrezatimit që leshojnë, por shqetesimit të banoreve nuk i është përgjigjur askush deri tani. Për më tepër, Agjencia Rajonale e Mjedisit bën të ditur se nuk ka dhënë asnjë leje mjedisore për ngritjen e këtyre antenave të dëmshme.
"Për antenat përgjithësisht ka pasur ankesa nga qytetarë dhe banorët e këtyre pallateve të cilët kanë antenë në tarraca. Ne si Agjenci Rajonale e Mjedisit nuk kemi dhënë asnjë licencë për asnjë kompani celulare mbi pallatet ku banohet", tha Geron Gunbardhi, Drejtor i Agjensisë rajonale të mjedisit ne Vlorë.
Për dhënien e një lejeje nga kjo agjenci, përveç raportit mjedisor që hartojnë inspektorët, duhet më parë miratimi i banoreve që preken drejtpërdrejt nga rrezatimi i antenave. Sipas Gunbardhit është Bashkia e qytetit ajo që ka dhënë lejet e ndërtimit dhe është pikërisht ajo që duhet të marrë masat për minimizimin e impaktit negativ te antenave të telefonisë apo internetit në zonat e banuara.