English

Basha: E shkuara dhe heronjtë tanë nuk mund të harrohen

Berisha: Tirana duhet të ketë një muze të genocidit kundër shqiptarëve
Jashari: Basha rikthen pas 20 vitesh Adem Jasharin në Tiranë

Fjala e plotë e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha:

I nderuar z Kryeministër,
E nderuara znj Berisha,
I nderuar përfaqësues i familjes Jashari, I dashur mik Murat
Zotërinj ministra, zotërinj deputetë,
Të nderuar anëtarë të Këshillit Bashkiak të Tiranës,
Të nderuar të ftuar,

“Çdo popull ka një detyrim të thellë moral për të përkujtuar herojnë e tij, ndaj sot unë jam i nderuar që Tirana i bashkohet Prekazit, Raçakut, Krushës së Madhe e të Vogël, Gjakovës, Pejës, Prishtinës, Mitrovicës e shumë shumë qytete e trojeve anë e ambanë Kosovës që kujtojnë bijtë dhe bijat e tyre, që nderojnë herojnë tanë që u vranë dhe u masakruan më shumë se dy shekuj në trojet e tyre. 5 marsi i vitit 1998 shënon kthesën e madhe në historinë shekullore të përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri. 14 vjet më parë Prekazi dhe famija Jashari, jo për herë të parë, u vunë në shënjestër të makinerisë vrasëse të shovinistëve serbë. Për tri ditë me radhë, burra, gra e fëmijë të Jasharëve i dëshmuan botës vendosmërinë e shqiptarëve për liri. Bilanci i këtyre tri ditëve ishte i dhimbshëm. 56 Jasharë, nga Blerina 7 vjeç deri tek Shabani 74, u vranë dhe u masakruan. I fundit që ra heroikishit duke çuar në fund amanetin e komandantit legjendar Adem Jashari që askush të mos dorëzohej, ishte i biri, Kushtrim Jashari, vetëm 13 vjeç.

Sakrifica legjendare e Jasharëve është një nga pikat më sublime të historisë së shqiptarëve që dëshmon sa vlen liria për kombin tonë. Ne sot përulemi me nderim e me respekt përpara çdo burri, gruaje e fëmije që u masakruan dhe humbën jetën në rreth dy shekuj të genocidit serb në Kosovë. Ne sot kujtojmë përpjekjet legjendare në këto dy shekuj për liri por edhe të gjithë të rënët për liri që cilët kurorëzuan me sukses amanetin e tyre me çlirimin e Kosovës. Masakrat dhe genocidi ndaj shqiptarëve të Kosovës ka nisur dy shekuj më pare, me shpërngulje masive rreth viteve 1800 për të ardhur deri tek veprat barbare të vitit 1999. Kjo eskpozitë është një kontribut modest i qytetit të Tiranës për të përkujtuar një nga pjesët më të vështira por edhe më domethënëse të historisë të kombit tonë dhe për të dëshmuar se ne, nuk do të harrojmë të shkuarën tonë mbi të cilën po ndërtojmë të ardhmen.

Ndaj më lejoni tu them që kjo ekspozitë është për ne vetëm një hap i vogël, vetëm një hap i parë. Ne sot jemi më të lirë se kurrë në historinë tonë por kjo s’ka qënë aspak e lehtë. Ndërsa sot po ndërtojmë të ardhmen tonë si një komb i lirë, më e pakta që mund të bëjmë është të mos harrojmë të shkuarën dhe heronjtë tanë. Ju falenderoj për pjesëmarrjen në hapjen e kësaj këtë eskpozite e cila do të qendrojë e hapur për dy javët e ardhshme. Në veçanti falenderoj për pjesëmarrjen në këtë ditë domethënëse për ta, përfaqësuesit e familjes Jashari”.

Fjala e plotë e Murat Jasharit:

“I nderuar kryebashkiak z Basha, të falenderojmë nga zemra për organizimin e kësaj ekspozite, për të dokumentuar historinë tonë të dhimbshme kombëtare që nga 1833 deri në ditët e sotme. Natyrisht që dekadat dhe shekujt kanë qënë të dhimbshëm për kombin shqiptar, vetëm e vetëm për të qënë të lirë e sovranë. Historia fatkeqësisht na sjell dhimbje e ngjarje trishtuese në të cilat ka kaluar kombi ynë, por natyrisht na sjell edhe anën tjetër të medaljes, krenarinë tonë, krenarinë e gjyshërve e stërgjyshërve tanë, të nënave e baballarëve, motrave e vëllezërve. Natyrisht që ata dhanë edhe jetën, dhanë edhe ekonomitë për të ardhur deri tek liria.

Urojmë dhe shpresojmë që edhe ne ta shfrytëzojmë lirinë për ta ndëruar vendin tonë, për ti bërë shqiptarët ashtu siç e meritojnë, sepse robëritë shekullore, perandoritë e ndryshme që kanë kaluar nëpër tokat tona kanë lënë gjurmë të hidhura e të dhimbshme. Falenderojmë të gjithë ata që sakrifikuan që ne sot të bashkojmë mendjen, të bashkohemi mesveti, të shkëmbejmë mendimet tona dhe mbi të gjitha që na dhanë mundësinë që të gjithë ne të ndihemi si vëllezër e motra siç ishim dikur ma tej. Tash e tutje gjërat janë në dorën tonë. Për këtë dua ta falenderoj kryebashkiakun z Lulzim Basha, për këtë inicativë sepse edhe njëhere pas pothuasje 20 vite, e ktheu prap në Tiranë Adem Jasharin dhe familjen e tij.

Gjyshi, ndjesë pastë që ishte një ndër mësuesit e parë të pas luftës së dytë botërore, thoshte se duhet ta dhamë të dhimbshmen për ta marrë të kajshmen. Më mirë të sakrifikohet një njeri dhe të shpëtojnë një familje dhe ma mirë të sakrifikohet një familje për të shpëtuar një komb të tërë. Meqë jemi në 100 vjetorin e Pavarësisë të Shtetit Shqiptar dhe në katër vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, mendoj se shqiptarët kudo që janë po frymojnë më lirshëm se çdo herë. Urojmë dhe shpresojmë të bashkojmë mendjen dhe veprimet tona që e ardhmja të jetë më e mirë duke nderuar të kaluarën, të ndërtojmë të ardhmen”.

KOMENTE