English

Vizion europian në qeverisjen e Kulturës (VIDEO)

Fjala e Kryetarit të PS, Edi Rama, në tryezën e Grupit të Punës për Kulturën:

601

Besoj që në të gjithë mozaikun e punës dhe të temave për programin e ri të PS “Për Një Rilindje Shqiptare”, tema që prek kulturën, si domosdoshmëri për një riorganizimin tërësor konceptual edhe infrastrukturor mbi politika të reja kulturore, është mbase tema më e vështirë. Them që është mbase tema më e vështirë, për shkak se nga njëra anë është një temë me një gjerësi të jashtëzakonshme, e cila nuk mund dot të përmblidhet në asnjë mënyrë në rolin që ka mishëruar në gjithë këto vite, sidomos të fundit, Ministria e Kulturës, e nga ana tjetër nuk mund të rroket në gjithë gjerësinë e saj për shkak të kompleksitetit dhe njëkohësisht edhe të një fature të lartë nga pikëpamja financiare që do të kishte rrokja e këtij kompleksiteti. Por, më tepër sesa kaq, besoj që të lidhet dhe me vetë përmasën shumë të gjerë që ka kultura, e cila shkon përtej aktiviteteve që organizohen apo mund të organizohen në funksion të zhvillimit të saj, në kornizën e deri sotme të politikave kulturore dhe për më tepër pastaj shkon edhe përtej një kornize si kjo që ne kemi sot në këndvështrimin ndaj kulturës.

Unë dua që në radhë të parë të them se është me shumë rëndësi për grupin e punës për politikat kulturore, që të ndërtojë një proces me sa më shumë pjesëmarrje dhe të bazohet sa më fort në eksperiencat e derikëtushme. Qoftë për të reflektuar ndaj mangësive të rënda të së shkuarës dhe të sotmes, qoftë për të përfituar nga historitë e suksesit të njerëzve të kulturës dhe të artit, si brenda ashtu dhe jashtë vendit. Është shumë i rëndësishëm ky proces gjithëpërfshirës, sepse tanimë kur kanë kaluar dy dekada, besoj se është e qartë për të gjithë se duhet ndërruar në mënyrë radikale qasja e qeverisë ndaj sferës së kulturës dhe të arteve. E cila deri më sot ka qenë tejet e kufizuar brenda nevojës për të financuar në pjesën më të madhe një kulturë tërësisht komerciale dhe nga ana tjetër për të dhënë vit pas vitit një lëmoshë për atë që në fakt përbën edhe vijimësinë në pasurimin e fondit të kulturës sonë dhe e parë kjo në të gjitha fushat e krijimtarisë artistike.

Përtej kësaj mendoj që është shumë e rëndësishme që ne të ndryshojmë qasjen duke u vendosur edhe në politikat kulturore në kontekstin europian. Duke u vendosur edhe në politikat kulturore në kontekstin e një vendi që është në mes të Europës dhe që nëpërmjet kulturës, aktiviteteve kulturore, aktiviteteve me qasje krijimtarinë artistike, si edhe kujdesit për gjithë trashëgiminë kulturore, duhet të ndërrojë me patjetër edhe politikën ndaj kulturës. Duke qenë një vend që është në rrugën e integrimit europian, është përballë derës së Europës në përpjekjen për të marrë statusin e kandidatit në BE, Shqipëria nuk mund të jetë më një vend ku qeveria e shikon kulturën si aheng apo si thjesht argëtim në kohën e lirë. Por, duhet të bëhet një vend ku qeveria e shikon kulturën si shprehjen më kuptimplotë të shpirtit europian të shoqërisë, të vizionit europian për shoqërinë dhe të një misioni që në rast se shkon përpara me një vetëdije europiane dhe përmes jetësimit të një qasje europiane ndaj kulturës, padyshim mund të kthehet në një instrument shumë të fuqishëm për integrimin shpirtëror, për integrimin kulturor, për integrimin e bashkësisë sonë në Bashkimin Europian, si një bashkësi që e jeton kulturën europiane dhe këtu brenda kufijve të Shqipërisë.

Në rast se shohim bilancin e këtyre viteve, është e qartë që në pikëpamje të aktivitetit kulturor Shqipëria mbetet një fshat i izoluar, ku ajo çka mund të numërohet si veprimtari kulturore në një kontekst më të gjerë sesa kufijtë e vet gjeografikë, është tejet e pakët për mos të thënë plotësisht e mangët. E nga ana tjetër politikat tona kulturore janë aq shumë të izoluara brenda këtij fshati kulturor sa që zor se mund të shohësh qoftë edhe një përpjekje në tentativë për të pasur kooperimin kulturor në një nivel europian në axhendën e qeverisjes së kulturës. Unë besoj që ndërtimi i një politike të re kulturore, si një politikë që është pjesë e bashkësisë europiane ku ne jetojmë dhe vendosja e bazave për të mundur që të hyjmë dhe të përfitojmë nga gjithë programet e kooperimit kulturor në nivelin europian, janë një domosdoshmëri për të bërë një hop në drejtim të kulturës dhe të arteve në Shqipëri. Sigurisht, që për këtë lypset edhe një administrim tërësisht tjetër i kulturës dhe një konceptim tërësisht tjetër i mënyrës sesi funksionon i gjithë mekanizmi shtetëror që financohet nga taksat e shqiptarëve për kulturën.

Padyshim, që të gjitha ato pjesë të këtij mekanizmi që lidhin trashëgiminë kulturore dhe domosdoshmërinë për ta trajtuar trashëgiminë kulturore si pjesë të një përkatësie thellësisht europiane dhe nga ana tjetër ndaj krijimtarisë bashkëkohore, edhe kjo në nevojë për t’u trajtuar si pjesë e qenësishme e përkatësisë sonë europiane, janë dy anë të një medaljeje, që sot fatkeqësisht nuk e kemi në politikat kulturore të qeverisë dhe të shtetit shqiptar.
Besoj se puna e këtij grupi dhe Rruga e Programit për Kulturën ka një kompleksitet të atillë që ashtu siç e bën të domosdoshme nevojën e ngritjes së urave të komunikimit me të gjithë njerëzit që direkt ose indirekt lidhen me kulturën, ashtu e bën edhe të domosdoshme përshtatjen e përpjekjes sonë për një politikë të re kulturore me eksperiencat pozitive të rajonit, por edhe më shumë se të rajonit brenda Bashkimit Europian. Sigurisht, që kjo lidhet shumë edhe me mundësitë financiare të shtetit shqiptar dhe me pamundësinë objektive të buxhetit të shtetit. Por unë nuk besoj, s’kam besuar asnjëherë që pamundësia objektive e buxhetit të shtetit, që historikisht ka ekzistuar në drejtim të kulturës për të përmbushur të gjitha ato nevoja që kultura ka dhe për ta bërë kulturën një element shumë të fuqishëm të transformimit në shoqëri, përbën pengesën e vërtetë dhe atë më realen sot. Ajo çka përbën pengesën e vërtetë, atë më realen sot, është vizioni tërësisht i ngushtë dhe horizonti tërësisht i mbyllur i politikave të deri sotme kulturore. Ne duhet të jemi të shqetësuar për ta ndryshuar rrënjësisht këtë vizion dhe për t’i dhënë politikave tona kulturore një horizont të ri. Nuk na mungojnë burimet njerëzore, nuk na mungojnë eksperiencat pozitive, nuk na mungojnë as mundësitë për të qenë të lidhur me një botë që është shumë më e madhe sesa bota jonë e vogël, ku fatkeqësisht nga të gjitha aspektet e tjera, aspekti i kulturës është aspekti që ka vuajtur dhe që vuan më shumë. Është mishërimi i mediokritetit dhe i dritëshkurtësisë së qeverisjes dhe i paaftësisë së plotë të një sistemi të ndërtuar së prapthi, për të prodhuar më shumë sesa aheng dhe argëtim sa për të kaluar kohën apo ditën.

Janë disa pika që mendoj se programi për kulturën duhet të konsiderojë si pika referimi, duke filluar nga Shqipëria europiane, pra Shqipëria si pjesë e Europës; duke vazhduar me kooperimin kulturor në rajonin tonë dhe më gjerë se kaq, si një shtyllë kryesore e politikave kulturore; duke vazhduar me trashëgiminë kulturore si një pasuri e cila nuk mund të lihet më tutje në degradimin që po e bjerr në mënyrë të përvitshme; me administrimin kulturor për të reformuar të gjithë mekanizmin shtetëror të kulturës sot dhe për ta kthyer në një mekanizëm efikas, i cili të mund t’i përgjigjet sfidave që ne kemi në këtë drejtim; dhe sigurisht edhe me artin dhe me kulturën si krijimtari e mirëfilltë, që shtrihet që nga artet e bukura, tek artet skenike, tek kinematografia e sigurisht shkon deri tek libri dhe tek politikat me librin.

Këto janë pak a shumë ato që unë do të thoja, pa pretenduar të ezauroj gjithë këtë kompleksitet problemesh që e mbajnë ndrydhur dhe e shkretojnë fatkeqësisht në mënyrë sistematike, botën kulturore shqiptare, nga pikëpamja e politikave të kulturës. Ndërkohë, që sigurisht njerëz me talente të posaçme, njerëz me vullnete të posaçme kanë arritur dhe do të arrijnë gjithmonë që të kontribuojnë me artin e tyre, që të kontribuojnë me atë çka ata mund të japin në të gjithë sferën e veprimtarisë artistike dhe kulturore, por kjo nuk përbën asnjë arsye për t’ja dhënë si kredite vlerat që këta njerëz krijojnë, politikave kulturore, apo qeverisjes së kulturës. Politika kulturore dhe qeverisja e kulturës është diçka krejt tjetër e cila duhet të jetë jo vetëm në mbështetje të këtyre talenteve dhe në krye të punës për kultivimin e talenteve në një vend, por shumë më tepër se kaq. Duhet të jetë katalizatore e një procesi ku kultura është pronë e të gjithë qytetarëve, ku kultura është instrument për të lehtësuar jetën e të gjitha komuniteteve, ku kultura është një urë që mundëson lidhjen e njerëzve, pavarësisht statusit të tyre social, me aktivitetin shpirtëror dhe me vlerat morale të një kombi të tërë.
Faleminderit për vëmendjen dhe do ishte me shumë interes që jo vetëm të dëgjonim të ftuarit që janë sot këtu, por do ishte me shumë interes që ne të këmbëngulnim shumë fort në domosdoshmërinë për të dëgjuar të gjithë njerëzit e kulturës dhe të artit, të gjithë ata që kanë pasur të bëjnë me mekanizmin shtetëror të kulturës dhe të artit, të gjithë ata që kanë diçka për të thënë, për mënyrën sesi politikat mbi kulturën dhe artin duhet të ndryshojnë për t’ju qasur në një mënyrë efektive problematikës së rëndë që sot është bërë kërcënuese për shumë aspekte që lidhen me kulturën dhe me artin në Shqipëri.

KOMENTE