English

Kryeministri Berisha mbledh Grupin e Punës për çështjet e ujit dhe kanalizimeve

Kryeministri Berisha drejtoi mbledhjen e Grupit të Punës për çështjet e ujit dhe kanalizimeve, për të diskutuar rreth problematikave në këtë fushë, si dhe për të trajtuar dhe përcaktuar disa detyra të rëndësishme, me synim funksionimin edhe më të mirë të punës në këtë drejtim.

Duke vlerësuar përpjekjet e mëdha që janë bërë deri tani në sektorin e ujit, veçanërisht për sa i përket zvogëlimit të humbjeve në rrjete, rritjes së nivelit të faturimit dhe të arkëtimit, vendosjes së matësve në shkallë vendi, etj, Kryeministri vuri në dukje se, në drejtim të kanalizimeve dhe të trajtimit të mbetjeve që dalin prej tyre, kërkohet një veprim shumë energjik. Kryeministri tërhoqi vëmendjen se duhet të veprohet me shpejtësi dhe me përparësi absolute për përfundimin e procesit të kanalizimeve, të lidhjes së këtij sistemi me kolektorin dhe të lidhjes së kolektorit me Impiantin e përpunimit, veçanërisht në zonat turistike, që kanë edhe ngarkesën më të madhe në 3-4 muajt e verës. Por, ky proces duhet të shtrihet në të gjithë vendin.

Gjithashtu, theksoi Kryeministri, është e domosdoshme që Drejtoria e Rrugëve, në të gjitha ndërtimet, të parashikojë kolektorët e ujërave të shiut. Shoqëritë e ujësjellësve duhet të jenë përgjegjëse për furnizimin me ujë, për shërbimin e kanalizimeve dhe trajtimin e ujerave të shiut.

Kryeministri u ndal edhe në problemin madhor të gropave septike dhe u shpreh se qëndrimi që mbajnë strukturat e pushtetit vendor për këtë çështje është shumë i rëndë. Këto struktura, edhe pse kanë autobote dispozicion, i çojnë këto mbetje në vende që nuk duhet t’i dërgojnë, në zona të paautorizuara. ”Është shumë e rëndë kur edhe në vendet që ka kolektor, apo impiant përpunimi, këto struktura bëjnë zgjidhje më të shkurtra dhe nuk i zhvillojnë tërësisht kapacitetet e tyre. Ministria e Mjedisit duhet të praktikojë qëndrimet më të rrepta, ndaj të gjithë atyre që nuk trajtojnë mbi baza ligjore problemet e lidhura me gropat septike”, u shpreh Kryeministri.

KOMENTE