Kuvendi i Kosovës dhe kreu i saj, Jakup Krasniqi, vazhdojnë të jenë të painformuar për procesin e bisedimeve. Krasniqi, pas mbledhjes së Kryesisë, ka deklaruar se ende nuk ka marrë kurrfarë materiali apo informacioni zyrtar nga Qeveria, raporton KTV-ja. Ai ka thënë se po presin që në seancat e ardhshme të Kuvendit qeveria të informojë deputetët. Shefi i Kuvendit, nuk ka pëlqyer fort të marrë qëndrim për deklaratat e fundit të ndërmjetësuesit të bisedimeve, Robert Cooper, që ka thënë se bisedimet kanë qenë politike dhe ka përmendur mundësinë e diskutimit edhe për veriun. Krasniqi është shprehur se për veriun vlen vetëm Plani i Ahtisaarit, duke kundërshtuar diskutimin e kësaj çështje. Por ka thënë se nuk mund të japë vlerësime nëse delegacioni kosovar në krye me Edita Tahirin ka shkelur Rezolutën e Kuvendit të para një viti, e cila thotë se Kosova do të zhvillojë vetëm biseda teknik dhe praktike me Serbinë dhe jo për çështje politike.
(shqipëria natyrale)