English

Drejtësia ka vazhduar të trondisë opinionin publik shprehet Edi Rama

Tre gjëra dëshiroj të ndaj sot me ju në mënyrë të përmbledhur. Së pari domosdoshmëria për nxitjen e mëtejshme të procesit të reformave që lidhen me statusin e vendit kandidat për Shqipërinë në kuadrin e rekomandimeve të Bashkimit Europian. Gjykata Administrative është një sfidë e madhe që duhet ndarë me patjetër me ekspertët më të mirë të vendit dhe ekspertizën e huaj të pranishme në Shqipëri, me komunitetin e juristëve dhe me komunitetin e biznesit pa dyshim. Një dëgjesë e hapur është e domosdoshme dhe unë i falenderoj organizatorët e saj që do ta bëjnë të mundur që nesër. Por nuk mjafton, sepse sidomos komuniteti i biznesit duhet bërë patjetër pjesë e gjithë procesit në Komisionin e Ligjeve. Me shumë rëndësi janë edhe ndryshimet që lidhen me ato që Komisioni Europian rekomandon për emërimet e gjykatësve të lartë dhe gjykatësve në Gjykatën Kushtetuese.

Po ashtu heqja e imunitetit të zyrtarëve të lartë është prioritare për ne. Ka kohë që jemi shprehur publikisht për këtë. Por, si për të gjitha çështjet as kjo nuk mund të jetë e shkëputur nga një vizion tërësor i reformës në drejtësi.

Zgjedhja është e qartë, drejtësia një shërbim publik që jepet sipas ligjit dhe jo sipas mundësisë për ta blerë atë. Pushteti i sotëm si për të gjitha shërbimet publike ka zgjedhur që ato të ofrohen sipas mundësisë për t’i blerë. Ne jemi të vendosur për të kundërtën. Që të gjitha shërbimet publike të bëjmë të mundur që të jepen sipas nevojës, përfshirë dhe drejtësinë që duhet të jepet vetëm sipas ligjit.

Sot një ditë pas procesit të tragjedisë së Gërdecit drejtësia ka vazhduar të trondisë opinionin publik. Katandisja e gjykimit të një krimi shtetëror me pasojë vrasjen e 26 qytetarëve të pafajshëm, në një farsë ku nuk flitet për vrasje po për dëmtim prone e për pakujdesi teknike, ishte një tjetër goditje rrënuese për besimin e shqiptarëve, por edhe të partnerëve ndërkombëtarë, te drejtësia në Shqipëri. Procesi i përjashtoi shkaktarët e mëdhenj të tragjedisë dhe dha dënime selektive edhe ato tejet zhgënjyese për opinionin publik duke goditur përsëri edhe vetë Prokurorinë e Republikës. Përsëri zgjedhja është e qartë, drejtësi e barabartë apo rrënim i mëtejshëm i themeleve të barazisë para ligjit. Edhe në këtë rast është e qartë që pushteti i sotëm kërkon medoemos t’i rrënojë të gjitha themelet e barazisë para ligjit. Ndërkohë që ne do të bëjmë çmos që barazia para ligjit të jetë themeli jo vetëm i programit, por edhe i angazhimeve tona publike përballë shqiptarëve, i kontratës sonë qeverisëse me ta.

Së treti doja të nënvizoja domosdoshmërinë që grupi parlamentar dhe seancat publike të Kuvendit të Shqipërisë të bëhen për ne pjesë e rrugës së programit “Për një Rilindje Shqiptare”. Të bëhen për ne hapësirat ku përmes përfaqësuesve më të lartë të popullit opozitar në Kuvendin e Shqipërisë zgjedhja të bëhet e qartë. Çdo shqiptar e shqiptare të ketë mundësinë të bëjë zgjedhjen e vet bazuar tek dallimi i qartë. Një dallim i qartë, që na takon ne ta bëjmë në çdo debat e në çdo diskutim, për çdo projektligj e për çdo nismë të qeverisë së sotme. “Rilindje Shqiptare” ose Rrënim i Mëtejshëm; punësim real ose rritje e papunësisë; taksim i ndershëm ose taksë e sheshtë; shërbime publike posaçërisht në arsim e shëndetësi, por në tërësi sipas nevojave ose sipas mundësisë për të paguar; mbështetje biznesit ose shfrytëzim i biznesit; zhvillim modern rural ose braktisje e mëtejshme e fshatit në gjendjen e vet mesjetare. E kështu me radhë, në çdo aspekt dhe për çdo hap të mëtejshëm që imponon axhenda e Kuvendit të Shqipërisë, është me rëndësi themelore që ne si alternativa europiane e shqiptarëve, si një forcë politike e vendosur për të bërë gjithçka mundemi që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat nga njëra anë, por dhe që popullit shqiptar t’i jepet mundësia që të bëhet pjesë e një përpjekje “Për Një Rilindje Shqiptare”, duhet ta bëjmë me këmbëngulje dhe me vendosmëri shumë të qartë.

Përpjekja e përditshme dhe e vijueshme e pushtetit të sotëm përmes të gjithë mjeteve të propagandës për ta ulur debatin publik dhe për ta kthyer ballafaqimin politik në një ballafaqim konfiktual bazuar vetëm në shpifje, në deformime, në sharje e në fyerje për opozitën, nuk mund të bëhet në asnjë rast dhe për asnjë arsye pjesë e axhendës sonë të komunikimit publik. Ne duhet të komunikojmë intesivisht përditë e më shumë në të gjitha hapësirat publike me shqiptarët, me çdo familje të zakonshme të këtij vendi, me çdo aktor dhe faktor të shoqërisë shqiptare, për t’ua bërë përditë e më të qartë rrugën ku ne dëshirojmë që Shqipëria të hyjë për të mbërritur sa më parë në Bashkimin Europian dhe për të mbërritur sa më parë të bëhet vendi europian që shqiptarët ëndërrojnë dhe meritojnë.

KOMENTE