Keti Bazhdari, kryetarja e grupit të punës për çështjet e ish të përndjekurvegjatë një komunikimi me mediat u shpreh se Berisha po mashtron ish të përndjekurit politikë në lidhje me dëmshpërblimet.
Deklarata e plotë:
Bazuar në të pavërtetat e pafundme, që po i thuhen çdo ditë popullit nga tellallët e qeverisë, me në krye mjeshtrin popullor të demagogjisë Sali Berisha, ne si grup pune i Partisë Socialiste që mbrojmë çështjet e të përndjekurve, kundërshtojmë me forcë projekt mashtrimin e radhës në dëm të kësaj shtrese dhe krejt popullit.
Në këtë projekt mashtrim pretendohet se numri i ish të burgosurve që janë gjallë, mbi 85 vjeç dhe që do të përfitojnë dëmshpërblimin e plotë brenda vitit, është mbi 400. Ky pretendim është absolutisht fiktiv dhe me efekte kryekëput propagandistike dhe korruptive. Sipas informacionit të marrë nga shoqatat e ish të përndjekurve, ky numër nuk i kalon 50 veta në të gjithë Shqipërinë, certifikuar kjo dhe me informacione të marra nga arkiva e MB ndër vite.
Barra e provës për ata që inskenuan këtë projektligj, është që të japin të gjithë të dhënat për çdo ish të burgosur që ka mbushur moshën 85 vjeç dhe që rezulton i gjallë, me qëllim verifikimin jo vetëm nga opozita që është e bindur në falsitetin e këtyre shifrave, por dhe nga mbarë opinioni publik dhe mediat. Pra këta zotërinj, gjoja qeveritar, mbërrijnë deri aty sa të bëjnë korrupsion dhe me shpirtrat e heronjve dhe biles korrupsionin me të përndjekurit e kanë krimin e tyre të preferuar.
Këta gjoja qeveritar, që në vitin 2007 u kanë premtuar ish të përndjekurve, me gojën dhe dorën e vet, se do u japin për 8 vjet të gjithë dëmshpërblimin, por sot ndodhen me të dyja këmbët mbi këtë premtim. Megjithëse kanë kaluar 4 vjet dhe ish të përndjekurit duhet të kishin përfituar tashmë këstin e katërt, janë mëse gjysma e tyre që nuk kanë marrë endë të parin.
Partia Socialiste kërkon që të ndalet në mënyrë sa më urgjente abuzimi propagandistik me ish të përndjekurit nga ana e qeverisë dhe shpreh gatishmërinë e saj të plotë që të votojë një ligj serioz dhe në mbështetje të vërtetë të kësaj shtrese, duke kërkuar në përputhje me programin e saj “Për Një Rilindje Shqiptare”:
Uljen e moshës së përfituesve në 75 vjeç, të cilët do të marrin të gjithë dëmshpërblimin brenda këtij viti kalendarik;
Zgjerimin e grupit të përfituesve dhe zbatimin e një shpërblimi progresiv, në varësi të viteve të dëmit;
Thjeshtimin dhe shkurtimin e procedurave të dëmshpërblimit dhe mbulimin e kostove të tyre nga vetë shteti;
Dhënia e një statusi të veçantë për ish të përndjekurit ku përfshihet ofrimi i shërbimeve publike falas për të gjithë këtë shtresë.