Deputeti socialist Saimir Tahiri ka paraqitur para Gjykatës së Tiranës argumentat në bazë të të cilave ai ka deklaruar se fëmijët e kryeministrit Berisha janë të korruptuar. Në sallën e gjyqit, Tahiri, i cili shoqërohej nga deputetët Eduard Shalsi, Vasilika Hysi, Eglantina Gjermeni dhe Artan Gaçi, ka renditur 12 prova, të cilat faktojnë korrupsionin galopant të djalit dhe vajzës së kreut të qeverisë. Në seancën e parë, deputeti Tahiri nuk e pranoi akuzën e shpifjes, duke rideklaruar edhe njëherë në sallën e gjyqit se i përmbahej deklaratës së tij, se fëmijët e kryeministrit të vendit janë të korruptuar. Tahiri kërkoi si provë regjistrin e hyrje-daljeve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë e Drejtësisë, për të provuar përfshirjen e Shkëlzen Berishës në negociatat për biznesin e demontimit të armëve në Gërdec.
Duke e cilësuar djalin e kryeministrit të përfshirë në korrupsionin e Gërdecit Tahiri kërkoi tabulatet telefonike të Mihal Deliojorgjit dhe Fatmir Mediut, për të vërtetuar komunikimin e tyre me Shkëlzen Berishën para dhe pas tragjedisë së Gërdecit dhe veçanërisht ditën që ndodhi shpërthimi, si edhe një shkresë të Ministrit të Drejtësisë Aldo Bumçi në 2006, drejtuar ministrit të Mbrojtjes të asaj kohe Fatmir Mediu me mbishkrimin “Për zotin Shkëlzen Berisha”.
Gjithashtu Tahiri kërkoi letërkëmbimin e studios ligjore “Malltezi dhe Kola” me biznesmenin Asnar në kohën, kur qeveria shqiptare miratonte planin për ndërtimin e parkut industrial në Porto Romano.
Më poshtë të 12 provat dhe dëshmitarët që deputeti Tahiri ka kërkuar për këtë proces gjyqësor:
Bazuar në Nenin 12, 180, 182, 213 e vijues, 225 e vijues, administrimin e provave të mëposhtme:
1. Administrimin nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurisë me cilësinë e provën nga Gjykata të Deklaratës së Pasurisë së shtetases Argita Sali Berisha, dhe përkatësisht deklaratën e pasurisë për vitin 2004, 2005, 2006, 2007, 2008, 2009, 2010, 2011
2. Ekstrakti historik nga Regjistri i QKR për firmën “Malltezi dhe Kola”nga data e regjistrimit për herë të parë e deri sot
3. Të dhënat për pagesën tatimore nga Drejtoria e Tatim Taksave Tiranë për studion “Malltezi dhe Kola” nga fillimi i ushtrimit të aktivitetit deri më sot
4. Të dhëna mbi transaksionin mbi pasurinë e paluajtshme nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës për tokën në Porto Romano mbi të cilën ka një studim për ndërtim termocentralit Porto Romano
5. Studimi i Qeverisë Shqiptare për ndërtimin e Termocentralit në Porto Romano sipas miratimit të tij në KRTRSH dhe në Qeveri n.q.s ka
6. Studimi dhe miratimi i planit për ndërtimin e parkut industrial nga qeveria shqiptare në Porto Romano, dosje e plotë siç është miratuar
7. Studimi i KESH dhe dosja e plotë për ndërtimin e termocentralit në Porto Romano dhe, eventualisht nëse ka, për parkun industrial
8. Letërkëmbimi elektronik dhe postar ndërmjet studios ligjore “Malltezi dhe Kola” dhe shtetasit Zafar Asnar, biznesmeni që kemi mësuar se ka pasur një marrëdhënie konsulence me këtë studio.
9. Administrimin nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurisë me cilësinë e provën nga Gjykata të Deklaratës së Pasurisë së shtetases Shkelzen Sali Berisha, dhe përkatësisht deklaratën e pasurisë për vitin 2004, 2005, 2006, 2007, 2008, 2009, 2010, 2011
10. Ekstrakti historik nga Regjistri i QKR për firmën e ndërmjetësimit të Shkëlzen Sali Berishës nga data e regjistrimit për herë të parë e deri sot
11. Të dhënat për pagesën tatimore nga Drejtoria e Tatim Taksave Tiranë për këtë firmë nga fillimi i ushtrimit të aktivitetit deri më sot
12. Dosjen e plotë, nga gjykata meqë është marrë vendimi ose nga prokuroria, të çështjes së ashtuquajtur “Gërdeci”, dhe veçanërisht:
a. Regjistrin e hyrje daljeve të ministrisë së mbrojtjes dhe ministrisë së drejtësisë ku pasqyrohen hyrje daljet e Shkëlzen Sali Berishës në këto ministri përpara se të merrte vendim këshilli i ministrave për demontimin e armëve në Gërdec
b. Tabulatet telefonike të shtetasit Mihal Delijorgji dhe Fatmir Mediu në lidhje me telefonatat në drejtim të Shkëlzen Berishës para dhe pas tragjedisë të Gërdecit, dhe veçanërisht ditën që ndodhi shpërthimi në Gërdec
c. Shkresën e firmosur nga Ministri i Drejtësisë i asaj kohe, z. Aldo Bumçi, me mbishkrimin “për Z. Shkëlzen Berisha”, drejtuar Ministrit të Mbrojtjes së asaj kohë, z. Fatmir Mediu
d. Mediat e shkruara në të cilat pasqyrohen kabllogramet e një ambasade të huaj këtu në Tiranë, dhe veçanërisht, dëshmia e ish Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare të asaj kohe, Z. Luan Hoxha
Si dhe të thirren në cilësinë e dëshmitarit shtetasit:
1. Argita Berisha
2. Flutura Kola
3. Damir Fazlliç
4. Zafar Asnar
5. Shkëlzen Berisha
6. Rrahman Selmanllari
7. Mihal Delijorgji
8. Fatmir Mediu
9. Aldo Bumçi
10. Viktor Gumi
11. Luan Hoxha
Duke dalë nga dyert e gjykatës deputeti socialist Eduard Shalsi duke iu përgjigjur interesit të medias u shpreh se ata që duhet të japin llogari janë fëmijët e Sali Berishës: “Në fakt sot nuk kemi ardhur për të mbrojtur kolegun tonë Saimir Tahiri. Ai nuk ka nevojë për mbrojtje. Duhet sipas dokumentave që ai i paraqiti gjykatës, tashmë Argita dhe Shkëlzen Berisha të provojnë atë çfarë Saimir Tahiri ka thënë. Gjithsesi ne erdhëm këtu, duke patur parasysh se do kishim mundësi të takonim edhe Argitën dhe Shkëlzen Berishën, të cilëve do të donim t’i thonim që nëse ka një njeri, i cili ka abuzuar me të drejtën e fjalës; nëse ka një kampion Shqipëria për cënim nderi, personaliteti dhe fyerje shqiptarësh dinjitozë; nëse Shqipëria ka njohur këto 20 vjet një njeri që ka shpifur mbi kundërshtarët politikë, por jo vetëm; ai është ati i tyre Sali Berisha.
Janë pikërisht Argita e Shkëlzen Berisha ata që duhet të japin llogari” përfundoi Shalsi.
Ndërsa vetë nënkryetari i grupit parlamentar të PS Tahiri ka rinënvizuar çka ka thënë edhe më parë, se ai i qëndron pikë për pikë të gjithë deklarimeve të tija publike: “E sigurt është një gjë që unë nuk i tërhiqem asnjë centimetër deklaratave të mia, sipas të cilave fëmijët e kryeministrit kanë qenë dhe janë të korruptuar. Ajo që mund të them me siguri është që bëra një sërë kërkesash në gjykatë për administrimin e provave dhe thirrjen e dëshmitarëve, jo për të justifikuar deklaratat e mia, por për të vërtetuar deklaratat e mia, sipas të cilave fëmijët e kryeministrit janë të korruptuar. Është në nderin e tyre të vijnë dhe të japin sqarime bashkë me dëshmitarët të cilët kam kërkuar.”