“Nuk ka asnjë sekret ne jemi tërësisht të pakënaqur me çfarë po ndodh dhe tërësisht të pakënaqur me politikat qeverisëse, dhe më shumë se kaq me mungesën e zbatimit të ligjit, mungesën e zbatimit të ligjeve në realitetin shqiptar. Në fakt ne kemi dy Shqipëri të ndryshme, një është Shqipëria në letër dhe një është Shqipëria në realitet. Njëra është Shqipëria që mund të shihet përmes legjislacionit dhe tjetra është Shqipëria që njerëzit e jetojnë përmes moszbatimit të ligjit dhe mungesës totale të barazisë përpara ligjit.
Duke shkuar më tej, ne mendojmë se Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për një ndryshim të qeverisë, por Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të sjelljes së qeverisë dhe një ndryshim të cilësisë së qeverisjes. Shqipëria ka nevojë për një qeveri që të fokusohet më shumë mbi faktin se si njerëzit jetojnë nën këtë qeverisje dhe se si njerëzit mund të gjejnë rrugën e tyre, në bazë të kushteve që mund të garantojnë barazi përballë ligjit, që të mund të garantojnë mundësitë e tyre përballë sfidave të tyre dhe që gjithashtu të mund të garantojë që secili të ketë sukses në bazë të meritës, përmes konkurrencës së lirë, dhe jo bazuar mbi çfarë mbiemri mban individi, apo cilat janë lidhjet e tij me pushtetin. Ne kemi një program të ri me një emër ambicioz, që e kemi quajtur program “Për Një Rilindje Shqiptare”.
Për ne është e qartë se zgjedhja është mes një Rilindjeje Shqiptare ose një Rrënimi të Mëtejshëm.
Çështjet kryesore të Programit tonë janë, të krijojmë kushtet për punësim real ose papunësi e mëtejshme. Të jemi në gjendje të ngremë një sistem taksimi të ndershëm ose një taksë e sheshtë që ka shuar klasën e mesme dhe klasën e varfër dhe ka krijuar një polarizim në rritje midis më shumë se 95 % të njerëzve që fitojnë më pak dhe paguajnë më shumë, dhe më pak se 5 % e njerëzve që fitojnë më shumë dhe paguajnë më pak. Ne jemi absolutisht të bindur se duke i dhënë mundësinë vendit për një fillim të ri ne na duhet ndërtojmë politika që do ta ndihmojnë biznesin dhe jo ta dëmtojnë atë. Për këtë është absolutisht e domosdoshme të luftojmë kundër monopoleve dhe kundër një shoqërie shumë klienteliste deri tani, për shkak të qeverisë e cila ka bazuar çdo gjë që i përket sipërmarrjes mbi klientët e saj.
Ne jemi absolutisht të bindur se ne nuk mund ta ngremë një Shqipëri europiane nëse nuk ndërtojmë shërbime publike që janë të bazuar në nevojën e çdokujt dhe jo në aftësinë çdokujt për të paguar për këto shërbime.
Ne kemi bindjen se si në arsim ashtu edhe në kujdesin shëndetësor ne duhet të ndryshojmë radikalisht politikat dhe sistemin në vetvete.
E fundit, po jo më pak e rëndësishmja, është se ne duhet të krijojmë kushtet për të ndryshuar tërësisht situatën në zonat rurale. Ne ende kemi pothuaj gjysmën e popullsisë që jeton në zonat rurale ku ka papunësi të lartë, dhe ku pavarësisht nga zhvillimi i deritanishëm rural ka varfëri dhe tokë shumë të fragmentuar, ku ka mungesë investimesh dhe ku njerëzit mbijetojnë kryesisht nga të ardhurat e emigrantëve.”
Të pranishmit drejtuan edhe pyetje për Edi Ramën. Një vajzë e re e pyet për arsyet pse nevojitet taksa e progresive në Shqipëri dhe Kryetari Rama theksoi abuzimin që përmban në vetvete aplikimi i taksës së sheshtë, duke sjellë dhe shembujt konkretë: “Taksa e sheshtë është thjesht një abuzim, kjo është e vërtetë teorike dhe është e vërtetë praktike në Shqipëri. Është e pamundur që një infermiere është të jetë e detyruar sot të paguajë më shumë taksa se doktori kryeministër.”
Geri Kokalari pyeti se çfarë do të bëjë Edi Rama ndryshe nga Sali Berisha për pavarësinë e institucioneve. Lideri i opozitës tha se Partia Socialiste nuk do të ndërhyjë asnjëherë në pavarësinë e institucioneve dhe për këtë ajo i ka dhënë shembujt e provat që sot që është në opozitë: “Unë mund t’ju them me siguri atë që ne nuk do të bëjmë. Ajo që ne nuk do të bëjmë është të ndërhyjmë në punën e institucioneve të tjera kushtetuese. Nuk do të ndërhyjmë në punën e prokurorisë së përgjithshme. Nuk do të kërkojmë kurrë nga gjykatësit të mos japin drejtësi. Kjo nuk është thjesht diçka e bazuar në fjalë, por është e bazuar në fakte. Ne kemi fakte që provojnë se në opozitë ne jemi sjellë ndryshe nga qeveria për të njëjtat çështje. Prokuroria e Përgjithshme kërkoi imunitetin e 3 deputetëve tanë për të hetuar ngjarjet e 21 janarit dhe ne jo vetëm që nuk e kundërshtuam këtë, por votuam pro heqjes së imuniteteve.”
Një burrë i thyer në moshë, i cili ka qenë në burgjet e diktaturës për 25 vjet pyet për programin që ka PS për të përndjekurit. Kryetari Rama theksoi se janë vetë ish të përndjekurit që janë bërë pjesë e hartimit të Programit për këtë shtresë: “Ne jemi të angazhuar për të pasur një tjetër qasje përballë kësaj shtrese. Jo bazuar për nevojën për të marrë votat e tyre, por të bazuar në bindjen se kjo është një çështje e drejtësisë shoqërore. Kemi ngritur një grup pune që drejtohet nga një zonjë e re, e cila është vajza e një ish të burgosuri politik, që e ka vuajtur personalisht persekutimin politik, dhe e cila në bashkëpunim me të tjerë që janë po ashtu nga ky grup, është duke udhëhequr punën për Programin. Ne do të përfshijmë propozimet e tyre në Programin tonë dhe do të angazhohemi për çdo propozim që do të jetë i mundur sipas këndvështrimit tonë.”