English

Jozefina Topalli takim me një delegacion të Kursit të Lartë të Akademisë së Mbrojtjes

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli priti sot në një takim kortezie një delegacion të Kursit të Lartë të Akademisë së Mbrojtjes për marrjen e Gradës Kolonel. Të pranishëm në këtë takim ishin Komandanti i Batalionit të Operacioneve Speciale, Dritan Demiraj, si dhe Kryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë, Leonard Demi.

Kryetarja e Kuvendit pasi uroi mirëseardhjen vlerësoi lart misionin dhe rolin e kësaj Akademie si një institucion i rëndësishëm për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes në vend.

“Forcat e Armatosura dhe të gjitha strukturat e saj janë përfaqësimi dinjitoz i shtetit, janë forcat që garantojnë sigurinë për të ardhmen e vendit dhe të fëmijëve të tanë. Ndaj dhe është detyra jonë si Parlament, dhe e të gjithë deputetëve që të mbështesin misionin e kësaj Akademie, përmes kuadrit ligjor që edhe pse është i plotësuar mund të ketë ende nevojë për standarde të reja. Angazhimi jonë do të vijojë edhe përmes mbajtjes së konferencave në lidhje me çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes në bashkëpunim me parlamentet e rajonit dhe të Evropës. Ne jemi këtu për t’iu ofruar të gjithë ndihmën dhe mbështetjen tonë.”

Zonja Jozefina Topalli shprehu një vlerësim të veçantë për përmbushjen me dinjitet të të gjitha angazhimeve tona si vend anëtar i Aleancës më të fuqishme të sigurisë në botë, NATO-s.

“Ne si Parlament kemi punuar fort për tu bërë pjesë e Aleancës së Atlantikut, natyrisht kemi patur mbështetjen e aleatit tonë strategjik Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Parlamentet e vendeve anëtare të NATO, brenda një kohe rekord, jashtëzakonisht të shkurtër ratifikuan protokollin, duke kapërcyer kështu procedura të vështira dhe falë punës së palodhur dhe përkushtimit të autoriteteve shqiptare, ne merituam anëtarësimin me të drejta të plota në NATO. Ne sot po përmbushim denjësisht të gjitha detyrimet. Rasti i dy ushtarëve të forcave tona në Afganistan është rasti që na bën të ndihemi të gjithë krenar dhe të përulemi përpara veprës së tyre, e cila nderoi flamurin dhe kombin shqiptar.” tha Kryetarja e Kuvendit.

Përfaqësuesit e Akademisë së Mbrojtjes vlerësuan rolin e Parlamentit, dhe të Komisionit Parlamentar të Sigurisë, në mbështetje të forcës, rolit dhe kontributit të Forcave të Armatosurave, atyre civile dhe ushtarake si shenjë e bashkëpunimit të mirë që kanë këto institucione me njera-tjetrën ndërsa theksuan rëndësishme e forcimit të bashkëpunimit edhe më tej.

Gjatë takimit u diskutuan dhe u hodhën sugjerime mbi mundësitë për të krijuar ura të reja bashkëpunimi në mbështetje të Akademisë së Mbrojtjes jo vetëm brenda vendit por edhe jashtë tij.

“Në këto vite ne jemi përpjekur të sjellim një dimension tjetër të diplomacisë parlamentare, si në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizm-Asociimit ashtu në periudhën e ratifikimit të Protokollit të NATO-s. Parlamenti ka një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe sigurisht do të keni një vëmendje të rëndësishme lidhur me prioritet mbi të cilat ju punoni siç është siguria dhe mbrojtja” tha Kryetarja e Kuvendit.

Akademia e Mbrojtjes është e ndarë në katër Departamente, përkatësisht në atë të Lidershipit, Strategjisë, Operacioneve dhe Shkencës. Përfaqësuesit e Akademisë i përcollën Kryetares së Kuvendit ftesën që në një të ardhme të afërt ajo të mbajë leksion për studentët e Akademisë.

KOMENTE