English

Presidenti Topi uron për detyrën e re presidentin e Gjermanisë Joahim Gauk

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi i ka dërguar një mesazh urimi Presidentit të ri të Republikës Federale të Gjermanisë, Joahim Gauk me rastin e zgjedhjes në postin e lartë.

“I nderuar Zoti President,

Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë që, në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’Ju përcjell urimet më të ngrohta dhe miqësore me rastin e zgjedhjes suaj në postin e lartë të Presidentit të Republikës Federale të Gjermanisë!

Kam bindjen e thellë se fitorja dhe fillimi i mandatit tuaj si President janë ngjarje shumë pozitive për kombin gjerman, që do të influencojnë edhe në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve tona. Dëshiroj të shpreh dhe besimin tim se miqësia, partneriteti dhe bashkëpunimi i frytshëm midis Shqipërisë dhe Gjermanisë do të vazhdojnë të konsolidohen e të zhvillohen më tej, në interes të begatisë së dy popujve tanë miq dhe të përpjekjeve të përbashkëta për konsolidimin e demokracisë, lirisë, zhvillimit dhe të drejtave të njeriut në vendet tona si dhe në të gjithë rajonin e Ballkanit.

Me këtë rast, dëshiroj të shpreh vlerësimin tim më të lartë për mbështetjen që Gjermania i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë në përpjekjet e saj drejt integrimit euroatlantik si dhe në përfshirjen e saj sa më të shpejtë në familjen e madhe evropiane. Theksoj gjithashtu vendosmërinë e madhe dhe seriozitetin që shteti shqiptar do të tregojë në rrugën drejt integrimit në Bashkimit Evropian, për të fituar sa më parë statusin kandidat për anëtarësim.

Duke ju shprehur edhe një herë urimet e mia më të sinqerta për zgjedhjen tuaj si President i Republikës Federale të Gjermanisë, si dhe suksese në misionin tuaj fisnik, ju lutem pranoni, i nderuar zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!” – theksohet në mesazhin e urimit të Kreut të Shtetit shqiptar.

KOMENTE